E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agolli, Pëllumbi e Meidani negociata për afrimin PS-LSI

TIRANË- Edhe pse të pamandatuar nga strukturat partiake, tri figurat e njohura të socialistëve, shkrimtari Dritëro Agolli, ish-Presidenti Rexhep Meidani dhe ish-Kryetari i Kuvendit, Sërvet Pëllumbi, kanë nisur përpjekjet e tyre për të afruar socialistët e PS-së dhe ata të LSI-së në një koalicion parazgjedhor. Të tre ata, në mënyrë të veçantë kanë zhvilluar nga një takim informal me të mandatuarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për negociata me socialistët, Sabit Brokaj. Temë e këtyre diskutimeve mësohet të ketë qenë pikërisht nevoja për bashkimin e së majtës, si dhe rrugët që duhen ndjekur për realizimin e saj. Në vijim të këtij qëllimi, të katër negociatorët kanë vendosur që në një moment sa më të afërt të zhvillojnë një takim të përbashkët, ku dhe të koordinohet një strategji konkrete negociatash me dy forcat respektive, por edhe për të dalë publikisht me një deklaratë të firmosur prej tyre. Burimet nga dy partitë thonë që në këtë deklaratë, socialistët e vjetër do të sugjerojnë rrugën e bashkimit të partive të majta për të arritur fitoren e zgjedhjeve, e cila rrezikohet nëse ata janë të përçarë përballë Berishës. Pas këtij momenti, pritet që të katër negociatorët të bisedojnë me liderët e forcave ku ata bëjnë pjesë, për të gjetur rrugën e pajtimit dhe më pas të bashkimit në një koalicion parazgjedhor. Pavarësisht këtyre bisedimeve, duhet theksuar fakti se asnjëri prej anëtarëve të vjetër të PS-së, Agolli, Meidani dhe Pëllumbi, nuk janë mandatuar nga partia e tyre për këto negociata riafrimi me LSI-në. Ndërkohë që, dje, kreu socialist Edi Rama, në një reagim për mediat lidhur pikërisht me këto përpjekje, ka theksuar se dera e PS-së mbetet e hapur për Ilir Metën, në rast se ky i fundit ka vendosur të punojë për të majtën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›