Rama: Dosjet, Berisha karshillëk ndërkombëtarëve
TIRANË- Socialistët japin alarmin se qëndrimi refuzues i Kryeministrit Sali Berisha ndaj sugjerimeve të partnerëve ndërkombëtarë për ligjin e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit, rrezikon ta kthejë vendin një dekadë pas. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një dalje të posaçme për mediat, ka shprehur shqetësimin për situatën e rëndë, në të cilën e ka futur vendin Kryeministri Berisha dhe mazhoranca që ai drejton, duke kaluar një ligj shumë të kontestuar, jo vetëm nga opozita dhe përfaqësuesit e drejtësisë në vend, por edhe nga miqtë e mëdhenj të Shqipërisë në botë, përfshi këtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo edhe Anglia. “Berisha po kthehet me shpejtësi në kohën e vjetër të karshillëkut primitiv ndaj partnerëve tanë të pazëvendësueshëm perëndimorë”, - tha Rama, duke theksuar në të njëjtën kohë se Kryeministri është kapur pas viktimave të komunizmit për të shpëtuar anijen e qeverisë, e cila, sipas tij, po mbytet në kënetën e korrupsionit. Gjithashtu, lidhur me këtë debat, Partia Socialiste e ka vlerësuar si të turpshëm mohimin që Kryeministri i bëri telefonatës me ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, Daniel Frid, ndërkohë që vetëm një orë më pas u detyrua ta pranojë atë. Sipas Ramës, kjo sjellje e Kryeministrit të vendit po bën qesharak jo vetëm atë, por të gjithë shqiptarët në sytë e partnerëve ndërkombëtarë që presin nga vendi ynë standarde demokratike. “Ai shkon aq larg, sa të mohojë publikisht, jo vetëm deklaratën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për anti-kushtetueshmërinë e projektligjit famëkeq, po edhe telefonatën me një zyrtar të lartë amerikan e mik të shquar të shqiptarëve, i cili i ka shprehur drejtpërdrejt Kryeministrit shqiptar shqetësimin serioz të partnerit tonë të madh për këtë hap aspak të dëshiruar, në kundërshtim me Kushtetutën e me shtetin ligjor”, - tha më tej Rama. Ai ka ftuar Berishën që t’u kërkojë ndjesë partnerëve ndërkombëtarë. Pavarësisht këtij konflikti, shefi i selisë rozë ka ripërsëritur edhe një herë tjetër dje gatishmërinë e socialistëve për t’u ulur me demokratët dhe të gjithë faktorët ndërkombëtarë, për të hartuar një ligj që bën hapjen e dosjeve sipas standardeve demokratike, ku të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Nga ana tjetër, PS-ja ka akuzuar qeverinë dhe shumicën e djathtë se nëpërmjet këtij debati shterpë ka marrë peng zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke shmangur totalisht vëmendjen nga miratimi i ndryshimit në Kodin Zgjedhor, sipas vërejtjes së bërë në Presidenti i Republikës. “Marrja peng e Kodit Zgjedhor për arsye që s'kanë të bëjnë as me interesat e shqiptarëve e të Shqipërisë dhe as me Kushtetutën e ligjin, po vetëm me interesat, përditë e më personale të Kryeministrit të rrethuar nga zullumi përditë e më i trashë i korrupsionit qeveritar, është shprehja më alarmante e papërgjegjshmërisë së njeriut që qeveris vendin tonë dhe e vënies së pushtetit ekzekutiv në funksion të interesave të këtij njeriu e të oborrit të tij”, - tha Rama. Nisur pikërisht nga këto shqetësime, kreu socialist ka përsëritur edhe një herë vendimin e deputetëve socialistë për të mos marrë pjesë në asnjë seancë parlamentare, për sa kohë mazhoranca nuk do të sjellë për votim Kodin Zgjedhor.