E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS-ja e hapur me LSI-në, por jo për Kodin

PS-ja mbetet e hapur për bashkëpunim me LSI-në, por jo për Kodin Zgjedhor

TIRANË- Partia Socialiste mbetet e hapur për bashkëpunim me LSI-në, por jo për Kodin Zgjedhor, pasi kjo është një çështje e mbyllur tashmë. Në përgjigje të kërkesës së Metës për negociata, Kryetari i PS-së, Edi Rama, është shprehur se qëndrimi i PS-së ka qenë dhe mbetet i qartë. “Kodi është çështje e mbyllur, dera jonë është gjithnjë e hapur. Po të dojë vërtetë të bashkohet dhe të luftojë me ne, Ilir Meta ta thotë dhe mirë se të vijë. Por, fatkeqësisht, u bënë kohë që ai çfarë thotë një ditë, nuk e thotë një ditë tjetër”, - tha dje Rama. Dy ditë më parë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, përmes një konference për shtyp, kërkoi një takim me Kryetarin e PS-së, Edi Rama. Meta u shpreh gjatë konferencës për shtyp se ishte i gatshëm për negociata dhe se pothuajse gjatë gjithë vitit, sipas tij, LSI-ja nuk i kishte ndërprerë iniciativat për dialog. Por qëndrimet e LSI-së, dhe veçanërisht kryetarit të saj, kane qenë të ndryshme në ditë të ndryshme. Kështu, një ditë pas kërkesës për dialog, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka rifilluar sërish akuzat. Dje, gjatë një takimi të zhvilluar në Kombinat, Meta ndryshe nga 24 orë më parë, kur bëri thirrje për bashkëpunim, deklaroi se ishte koha që të ndëshkohet me votë ky teatër, sipas tij,i shëmtuar politik i bashkëpunimeve të paprincipta mes lidershpit të PS-së dhe PD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›