E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Braçes: Hajdeni në Kuvend, ndryshe kaloj Kodin me Metën

Braçe flet për dosjet: “Ligji do të shërbejë për mbylljen e dosjeve të korrupsionit”

TIRANË- Kryeministrin Sali Berisha e ka tradhtuar durimi dje, ndërsa ka kërcënuar deputetët socialistë se do të votojë Kodin Zgjedhor me Lëvizjen Socialiste për Integrim, në rast se ata nuk vinin në sallën e Kuvendit dhe të votonin ligjin “Për pastërtinë e figurës...”, ose thënë ndryshe ligjin për hapjen e dosjeve. Duke iu drejtuar nënkryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Erion Braçe, i cili ishte i vetmi socialist në sallën e Kuvendit gjatë pjesës së parë të seancës, kreu i ekzekutivit, i gjendur për disa ditë radhë përballë një presioni të gjithanshëm, jo vetëm opozitar, por edhe ndërkombëtar për ligjin e dosjeve, i ka dalë vetja nga kontrolli, duke u bërë socialistëve në mes të Kuvendit një marrëveshje publike, duke kërkuar votat e tyre për dosjet, në këmbim të Kodit Zgjedhor. Një ofertë, e cila duket se nuk është mundur të përcillet për publikun, pasi është bërë në një moment kur pajisjet audio të sallës së Kuvendit kanë pësuar një defekt. Por, këtë deklaratë e ka konfirmuar dje deputeti Erion Braçe, pasi është larguar nga salla, i cili është shprehur: “Berisha më tha që deputetët socialistë të vijnë në sallë për të votuar, se në të kundërt do ta votoj Kodin Zgjedhor me Ilir Metën. Unë i thashë, nëse mundesh, bëje, dhe natyrisht, po gjeti ata deputetë të LSI-së aty për të votuar Kodin, le ta votojë. Unë i përsërita se nuk do të jemi në sallën e Kuvendit deri në ditën që do të votohet Kodi”, - tha Braçe. Ndërkohë që oferta kërcënuese e Berishës ka ardhur pasi, vetë Braçe, në emër të Grupit të tij Socialist, mbajti një fjalë të gjatë, ku shpjegoi edhe një herë qëndrimin refuzues të opozitës kundra një ligji të tillë, i cili sipas tij cenon rëndë Kushtetutën dhe të drejtat dhe liritë e njeriut. Kështu, Braçe ka akuzuar kreun e ekzekutivit se nëpërmjet praktikave të shantazhit ka marrë peng një tjetër proces shumë të rëndësishëm, siç është ai zgjedhor. “Deputetët socialistë nuk gjenden sot në sallën e Kuvendit, duke adoptuar një qëndrim të drejtë, të ndershëm dhe njëherësh të fortë politik në raport me institucionin e marrë peng nga Sali Berisha, me Kuvendin, i cili prej ditësh po refuzon të bëjë detyrën e tij kushtetuese, funksionale, të shqyrtimit dhe miratimit të dekretit të Presidentit të Republikës mbi Kodin Zgjedhor”, - tha Braçe në fjalën e vet. Edhe një herë, në emër të forcës që ai përfaqëson, Braçe ka bërë të ditur vlerësimin se ligji për pastërtinë e figurave nuk synon hapjen e dosjeve të komunizmit, por mbylljen e dosjeve të korrupsionit. “Ky ligj nuk hap dosjet. Ky ligj i mbyll ato. Ky ligj nuk dënon diktaturën e komunizmit, por mbron diktaturën e korrupsionit. Ky ligj nuk ka qëllim transparencën. Ky ligj ka vetëm një synim: të godasë rëndë, deri në paralizë, institucionet kushtetuese të drejtësisë në çdo nivel”, - theksoi nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›