Topi: Për dosjet, do të flas përmes dekretit
TIRANË- Presidenti i Republikës ka vendosur që të flasë përmes dekretit lidhur me draftin “Për pastërtinë e figurës”. I pyetur pikërisht për këtë çështje, kreu i shtetit i ka kujtuar medias që të kthehet në kohë dhe të shikoje qëndrimin e tij për dosjet. Me sa duket, Topi i referohej firmës që ai ka hedhur për draftin e PD-së në vitin 2006, teksa edhe dje, ka sqaruar se si politikan, ai është i hapur për dosjet. “Unë në natyrën time, nuk bëj koment mbi komente, por duke qenë gjithmonë në një pozicion respekti ndaj medias dhe transparencës publike, do të bëja thirrje që t’i ktheheni arshivës. Secila nga mediat ka arkivën e vet, dhe aty do të gjeni të gjitha deklaratat e mia, për sa i përket çështjes së dosjeve. Në rast se do të më pyesnit si politikan, gjithmonë kam qenë i hapur për ta parë këtë çështje sa më shpejt, në mënyrë sa më profesionale, në mënyrë sa më të gjerë, sa më komplekse, dhe natyrisht që, ai që kërkon të bëjë karrierë, natyrisht që ka disa detyrime parësore dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me pastërtinë morale”, - tha ai. Por, duke kujtuar se ai mban një pozicion tjetër tashmë, atë të Presidentit, Topi ka deklaruar se do të flasë nëpërmjet dekretit, duke lënë të hapur të gjitha mundësitë, qoftë edhe të kthimit mbrapsht të ligjit.
Ndryshimi i variantit Topi-Patozi
Presidenti i Republikës rekomandoi dje që media të shihte pas në qëndrimet e tij për dosjet, ku përfshihet edhe firma e tij në draftin e 2006-s. Por sa ndryshon ky draft nga ai aktuali dhe sa do të ndikojnë këto ndryshime në vendimin që Topi do të marrë, nën cilësinë e Presidentit të Republikës. Në draftin e vitit2006, në nenin që bën fjalë për subjektet që verifikohen, nuk është parashikuar KLD-ja, ndërkohe që është përfshire në draftin e vitit 2008. “Subjekt i verifikimit janë të gjithë funksionarët publikë të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë ose do të ushtrojnë funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, - thuhet në një nga pikat e nenit 3 të draftit aktual.
Gjithashtu, në nenin 4 të draftit të vitit 2006, që bën fjalë pikërisht për papajtueshmërinë e funksioneve, thuhet se pastërtia e figurës morale të funksionarit publik është e papajtueshme me mbajtjen prej tij, edhe të atyre të cilët kanë qenë hetues, prokurorë, gjyqtarë apo ndihmësgjyqtarë në proceset politike “speciale”. Procese politike “speciale” quheshin gjyqet ndaj anëtarëve të Byrosë kur shpalleshin armiq, si rasti i Kadri Azbiut apo Beqir Ballukut. Ndërsa në draftin e PD-së në vitin 2008, hiqet fjala “speciale”, duke zgjeruar ndjeshëm rrethin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të periudhës komuniste.
Autoriteti i Kontrollit të Figurave ka gati formularët, edhe pse ligji ende nuk ka vajtur tek PresidentiPD-ja lëshon formularët tip, ende pa u miratuar ligji
TIRANË- Ende pa u miratuar ligji në Kuvend, shumica qeverisëse ka bërë gati formularët që do të lëshojë Autoriteti i Kontrollit të Figurave për subjektet që do të verifikohen. Dje në mesditë, ndërsa OSBE/ODHIR-i po bënte përpjekjen e fundit që drafti për spiunët të mos kalonte, mazhoranca i kishte marrë të gjitha masat që kjo çështje të merrte fund pikërisht mbrëmë. Formularët tip të bërë gati për Autoritetin e Kontrollit të Figurave (që ende nuk është ngritur) tregojnë pikërisht këtë fakt. Në një nga formularët e përgatitur thuhet se, “Autoriteti i Kontrollit në mbështetje të ligjit për pastërtinë e figurave, pasi zhvilloi procedurën e verifikimit të pastërtisë së figurës, deklaroi se zoti ose zonja që ka funksion të papajtueshëm me funksionet e përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji, ka të drejtë që të njihet me aktet e përfshira në dosjen e tij dhe të paraqesë pretendime brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit”,- thuhet me pak fjalë në një nga formularët e përgatitur. Në një tjetër formular tip thuhet se pas procedurës së verifikimit, subjekti i verifikuar ka të drejtë që të bëjë ankimim kundër kësaj dëshmie në Gjykatën e Apelit. Pra, më pak fjalë, ose më saktë, lidershipi me i lartë i PD-së e kishte vendosur prej kohësh kalimin e këtij drafti, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të opozitës apo ndërkombëtarëve. PD-ja i ka marrë parasysh të gjitha. Edhe mungesën e dy anëtarëve të opozitës në Autoritetin e Kontrollit të Figurave. “Ka edhe një nen në ligj, që autorizon shoqërinë civile të propozojë anëtarë, në rast se njëra nga partitë politike nuk mbush vendin”,- tha Berisha, dy ditë më parë.