E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agolli: Për Kuzhe bëj si mbrojtësin e mesfushorin

 

Ansi Agolli është autori i golit të barazimit në miqësoren kundër Gjeorgjisë (1-1), njëherësh edhe rrjeta e fundit e shënuar nga Kombëtarja jonë, duke e shkruar emrin e tij në librin historik të atyre që kanë mundur të shënojnë me fanellën kuqezi. "Goli është pjesë e lojës, por është gjithmonë një kënaqësi. Për mua ka më shumë rëndësi ekipi, që të ketë një ecuri sa më të mirë dhe rezultate", tha mesfushori i majtë i Krivbasit në kampionatin ukrainas. Trajneri Kuzhe ka thënë shpesh, që ka nevojë për një mesfushor të majtë dhe mbrojtës të majtë. "Roli im natyral është mesfushor i majtë, por normalisht që mundohem ta bëj dhe mbrojtësin e majtë sa më mirë. Për mua nuk ka ndonjë problem. Këtë e vendos trajneri", - tha ish-lojtari i Tiranës. Baza e re e Kombëtares vjen pikërisht nga ky kampionat, pasi janë pesë lojtarë të thirrur nga Kuzhe, portieri Isli Hidi, mbrojtësit Debatik Curri e Armend Dallku, si dhe mesfushorët Ansi Agolli e Ervin Bulku. Niveli i kampionatit ukrainas konsiderohet si i shtati më i fortë në botë, duke lënë pas kampionate të tilla si ai holandez dhe ai francez. "Futbolli ukrainas është në rritje dhe besoj se kjo ndikon pozitivisht edhe te unë", - thotë Agolli, i cili është në muajt e tij të parë në Ukrainë, pas eksperiencave në Zvicër (Nojshatëll Ksamaks, Lucern) e Finlandë (VPS).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›