E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, prefektura plan masash për abuzimet me ujin

 

SHKODER- Anomalitë në furnizimin me ujë të pijshmë në disa zona të qytetit të Shkodrës ka detyruar prefektin Maxhid Cungu që të mbledhë Task Forcën. Në këtë strukturë të ngritur me qëllim menaxhimin e situatës në furnizimin normal me ujë të pijshmë të Shkodrës, bëjnë pjesë Prefektura, Ndërmarrja e Ujësjellësit, Bashkia, Policia e Shtetit etj. Në takimin e djeshëm janë raportuar si shkaktarë të kësaj gjendjeje lavazhet e palicensuara të cilat shfrytëzojnë rrjetin jashtë çdo kriteri. Gjithashtu një fenomen tjetër që con në pakësimin e ujit të pijshëm janë dhe ndërhyrjet në rrjet nga qytetarët të cilët shfrytëzojnë ujin e pijshëm për vaditjen e tokave të mbjella. Task Forca e ngritur nga Prefektura ka hartuar tashmë një plan pune. Objekti kryesor do të jetë kontrolli i hollësishëm për të gjitha lavazhet në qytetin e Shkodrës si dhe në zonat përreth stacionit të pompave për të identifikuar ndërhyrjet e paligjshme në rrjet për vaditje. Task Forca ka të drejtë të ndërpresë lidhjet e dyta në rrjet, të mbyllë lavazhet të cilat kanë ndërhyrë në mënyrë abusive, të vendosë matësat tek lavazhet e licensuar por që shfrytëzojnë ujin pa kriter si dhe të vendosë gjoba. Nuk do të mbesin jashtë kontrollit, masave dhe gjobave edhe abonetet familjarë që janë debitor pranë ndërmarrjes së ujësjellësit qytet.                         r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›