Lirohen dy pushtetarët vendorë
PËRMET - Kreu i Komunës Frashër dhe kryeplaku i fshatit Mican, kanë lënë qelinë e paraburgimit pas 48 orësh. Masa e arrestit të dhënë dje në ngarkim të Tomorr Kotorrit kryetarit të Komunës Frashër dhe kryeplakut të Micanit Faslli Canka, ka qenë detyrim për paraqitje dy herë në muaj dhe ndjekje në gjendje të lirë. Të dy të zgjedhurit vendor u akuzuar për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi. Akuza e fundit ka rënë nga ana e organit të akuzës për pabazueshmëri në argument, ndërkohë që ka qëndruar në fuqi ajo e "shpërdorimit të detyrës". Kryesuesi i trupit gjykues Pëllumb Vehbiu ka dëgjuar argumentet e servirura nga ana e palës mbrojtëse dhe nga ajo paditëse e përfaqësuar nga Përparim Mele dhe pas një seance që zgjati më tepër se 45 minuta, vendosi që dy personat të liroheshin në sallën e gjyqit. "Policia e Gjirokastrës ka nxituar me arrestimin e personave të akuzuar pasi vepra penale e ngritur nga ajo siç ishte moskallëzim krimi ka qenë e pabazuar se nuk kishim të bënim me krim konkret të padenoncueshëm", janë shprehur për gazetën "Panorama" mbrojtësit e Kotorrit dhe Cankës. Këta dy të fundit u arrestuan nga Policia e Gjirokastrës pasi nuk kishin raportuar për ekzistencën e parcelave me hashash dhe kultivim të bimëve narkotike për kryeplakun e fshatit Miçan, Faslli Canka. Sipas Korrit, shkresa e policisë kishte mbërritur në komunë me vonesë, ku përcaktohej data e raportimit për zonat e kultivuara, duke mos i dhënë kohë për të përgatitur materialin e nevojshëm. p.n