Duro: Qipriotët, miqtë e mi, por do fitoj unë
Klodian Duro, një nga mesfushorët me përvojë të Kombëtares (58 ndeshje), është i vetmi lojtar i thirrur nga trajneri Josip Kuzhe që luan në kampionatin qipriot. Elbasanasi 32-vjeçar shpenzoi një sezon me Omonia Nikosian përpara se të transferohej këtë verë te Apollon Limasol. Si një njohës i futbollit ishullor, paralajmëroi se sfida kundër Qipros duhet përgatitur me seriozitetin maksimal, pavarësisht se qëllimi i dy ekipeve është të eksperimentojnë me lojtarët e rinj që kanë thirrur. "Qipro ka një Kombëtare për t'u vlerësuar. Shumica e lojtarëve njihen shumë mirë me njeri-tjetrin. Kanë një vazhdimësi prej më shumë se pesë vjetësh që luajnë bashkë. Kanë një eksperiencë në arenën ndërkombëtare. Baza e Kombëtares është nga kampionati vendas, nga ekipet kryesore siç janë Anorthosis e Omonia. Kanë një trajner me shumë eksperiencë, që ka drejtuar edhe në nivel klubesh e përfaqësuesesh. Është për t'u vlerësuar", ka pohuar Duro. Më tej elbasanasi përmendi disa futbollistë të kësaj kombëtareje të cilët mund ti krijojnë probleme skuadrës sonë. "Yjet e tyre janë ata të përhershmit, si Ioanis Okas, kapiteni i Qipros, apo dhe Mihalis Konstantinos. Të dy kanë një eksperiencë të madhe në fushën evropiane, pasi kanë luajtur në Ligën e Kampioneve me Panathinaikos apo Olimpiakosin. Do të jetë një ndeshje e veçantë për mua, pasi të paktën me gjashtë lojtarë që përbëjnë bazën e Kombëtares së Qipros, kemi qenë kolegë te Omonia. Sigurisht, që gjatë kohëve të fundit kam pasur kontakte me ta, pasi dhe ata kanë ndëruar ekip, siç është rasti i Okas, i cili ka lëvizur nga Omonia te Anorthosis", ka vazhduar Duro. Mesfushori ka ndërhyrë edhe në temën e rinovimit të kombëtares e cila u prek paksa para disa ditësh edhe nga trajneri Kuzhe. "Më shumë se fjalët nëpër intervista apo konferencat e shtypit, ajo që na bën ne të jemi pjesë e ekipit Kombëtar, është fusha e blertë. Vazhdojmë të gëzojmë një formë të mirë e që të tjerët na duan në merkato. Besoj se ne japim maksimumin dhe forma jonë natyrshëm që i jep dhe kënaqësi trajnerit. Nga ana tjetër, besoj se ekipi Kombëtar ka nevojë për frymë të re dhe produkt të ri. Mendoj se me kalimin e kohës do t'u bashkëngjiten, për të krijuar një grup të fuqishëm, pse jo dhe të shpresojmë më shumë se edicionet e kaluara", ka përfunduar ai.