E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në nënstacion, 2 të plagosur

 

ELBASAN/ ALDO KOZARJA

Për pak sa nuk është kthyer në një tragjedi manovra e tre nëpunësve të nënstacionit elektrik që ndodhet në ambientet e ish-kombinatit Metalurgjik. Gjatë këtij procesi është provokuar një shpërthim, i cili plagosi rëndë dy punonjëse të turnit. Sipas burimeve të policisë, Alma Seitaj, 40 vjeçe me detyrë përgjegjëse e turnit, Roza Bezhani, 50 vjeçe me detyrë paneliste kanë marrë plagë të rënda djegieje, ndërsa Veli Sulollari, 54 vjeç është lënduar lehtë. Ngjarja u shënua rreth orës 03:50, kur tre punonjësit e njësisë të tensionit të lartë kishin përfunduar së riparuari një defekt të ndodhur gjatë natës. Përgjegjësja Seitaj së bashku Bezhanin kanë qenë në katin e tretë të godinës kur kanë kryer manovrimin, ndërsa përgjegjësi në katin e dytë, ku ndodhet dhoma e thikave për të kontrolluar nëse ishte riparuar mirë apo jo defekti. Porsa kanë kryer manovrimin aparatura ka shpërthyer dhe papritur dy punonjëset janë gjendur mes flakëve, duke u përplasur nga fuqia e tyre. Ndërsa përgjegjësi Sulollari për shkak se ka qenë në një kat më poshtë ka marrë vetëm dëmtime të lehta. Në ndihmë të së dëmtuarve kanë shkuar me shpejtësi kolegë të tyre, të cilët në momentin e shpërthimit të fuqishëm ndodheshin jashtë ndërtesës. Ata kanë transportuar drejt spitalit të Elbasanit me djegie të shumta dy punonjëset Alma Seitaj dhe Roza Bezhani, të cilat menjëherë u janë nënshtruar ndërhyrjes së mjekëve. Dy punonjëset e njësisë të tensionit të lartë janë futur në sallën e operacionit, ku mjekët janë përpjekur t'u japin ndihmën e parë dhe të krijojnë një gjendje të qëndrueshme. Pas rreth 4 orësh mjekja që u kujdes pohoi se pacientet paraqisnin gjendje të rëndë, pasi djegia është e një shkalle të lartë, kryesisht në trup. Rreth orës 15:00, dy nëpunëset janë dërguar me autoambulancë në drejtim të Tiranës, me qëllim kurimin në repartin e specializuar të djegieve në QSU. Për këtë ngjarje kanë nisur menjëherë hetimet. Sipas dyshimeve të para të ekspertëve në fushën e energjetikës, shpërthimi mund të ketë ndodhur nga ndonjë gabim i punonjësve ose nga ndonjë e papritur e rastit, e cila mund të ketë ndikuar në shpërthimin e fuqishëm. Mendohet se dy nëpunëset nuk kanë ulur fidrat, (ngarkesat), por kanë ndërhyrë pa e kryer këtë veprim, çka pati pasoja të rënda. Gjithsesi, hetimet e kryera në bashkëpunim me prokurorinë do të konkludojnë mbi shkaqet, pasi të merren në pyetje dhe specialistë të energjetikës. Pas ngjarjes ka pasur shkëputje të energjisë në një zonë pranë nënstacionit.

PUKE/ Vdes në korrent elektricisti
PUKE - Po riparonte një defekt, vdes në krye të detyrës elektricisti. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 11:15 në rrethin e Pukës, ndërsa viktima sipas policisë është Pjetër Ndoku, 50 vjeç. Mësohet se Ndoku ishte elektricist në OSSH dhe ka vdekur në linjën e tensionit të lartë. Viktima ndodhej në fshatin Luf të komunës Qerret tek kabina elektrike kur humbi jetën nga rryma. Pas sinjalizimit të dhënë, policia mbërriti në vendin e ngjarjes. Grupi hetimor po vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›