E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, shqiptarja mbyt dy fëmijët e saj

 

GREQI/ELEFSINË

Tragjedi në një familje shqiptarësh në Greqi, nëna mbyt dy fëmijët dhe më pas tenton vetëvrasjen. Ngjarja e rëndë u shënua mesditën e djeshme në Elefsinë, qytet bregdetar pranë kryeqytetit grek Athinë, ku dy fëmijë u gjetën të mbytur në banesë kurse nëna e tyre nën rrotat e një makine, pak pasi dyshohet se i mori jetën fëmijëve të saj. Agjencia e lajmeve NOA, e cila i referohet burimeve nga vendngjarja pohon se ka tragjedia e rëndë ka ndodhur në familjen Adri Terziut, i cili së bashku me bashkëshorten Bardha, djalin dhe vajzën, jetonin prej vitesh si emigrantë të rregullt në vendin fqinj. Policia e Athinës, pohoi dje se sektori kundër krimit ndaj personit, ka vendosur nën vëzhgim të rreptë të dyshuarën e mbytjes deri në vdekje të dy fëmijëve të saj, 8 dhe 10 vjeç, djalë e vajzë. Dy të vegjlit e pajetë, u gjetën sot në mesditë në rrugën "Riga Fereu" numër 5 në qytetin e Elefsinës, rreth 55 kilometra larg kryeqytetit Athinë. Policia konfirmoi se në orën 11:30, një grua ka telefonuar në sallën e pritjes së thirrjeve nga qytetarët në rajonin policor Athinë. Ajo ka raportuar se ishte fqinjë e familjes Terziu dhe se kishte gjetur brenda në banesë, të pajetë, djalin dhe vajzën e çiftit shqiptar. Në pak minuta shumë forca policie, autoambulanca dhe ekspertë mjeko-ligjorë mbërritën në vendngjarje. Ata konstatuan se dy fëmijët motër e vëlla, inicialet e të cilëve janë A dhe S. Terziu përkatësisht, tetë dhe dhjetë vjeç, ishin mbytur në fyt me duar dhe kishin ndërruar jetë që të dy. Ata gjendeshin brenda në vaskën e banjës. Eksperti mjeko-ligjor Hristos Levkidis, tha se ende nuk ka dalë një rezultat konkret për të qartësuar nëse dy fëmijët ishin mbytur me duar apo ishin mbytur me ujë brenda vaskës ku i ati tha se i gjeti, para se t'i dërgojë në shtrat ku edhe i gjeti policia, e cila i dërgoi kufomat në morg. Pak minuta pasi u bë ky zbulim, një tjetër ngjarje u raportua disa dhjetëra metra më tutje, këtë herë nga një shtetas grek i cili me një autoveturë me të cilën drejtonte, ishte lemerisur nga skena që u detyrua të përballojë. Qytetari 30-vjeçar, i tha policisë se ndërsa po udhëtonte në rrugën "Iera", ka shtypur një grua e cila përfundoi nën rrotat e veturës, duke u plagosur rëndë. Udhëtari raportoi se nuk bëhej fjalë për aksident, por për një dalje të qëllimshme të 37-vjeçares, e cila po përpiqen t'i jepte fund jetës. E plagosura, është dërguar në spitalin shtetëror të Xhanios në Pire, ku edhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, të cilët thanë se gjendja e saj mbetet serioze, për shkak se ajo ka marrë plagë të rënda në kokë. Nga hetimi, ka dalë se 37-vjeçarja, ka dalë përpara makinës në çastet e fundit dhe ka përfunduar nën rrotat e saj, duke dashur të kryejë vetëvrasje, vetëm disa minuta, pasi ka kryer krimin familjar. Pas ngjarjes së rëndë, policia, pasi mori në pyetje të dyshuarën, familjarë dhe fqinj të familjes Terziu, arriti në konkluzionin se Bardha Terziu, 37 vjeçe, lindur në Dibër e banuese në Tiranë, me banim të përkohshëm në Greqi, ishte autorja e mbytjes së dy fëmijëve të saj dhe më pas autore e vetëflijimit të tentuar, që besohet se e kreu pasi përjetoi gjendje depresive dhe pendese për ngjarjen e ndodhur. Më tej policia pohoi se hetimet do të vazhdojnë dhe do të thellohen për të sqaruar gjithçka mbi ngjarjen që shokoi banorët e zonës dhe sidomos të pallatit ku jetonte familja e mbetur pa fëmijë. f.m

Burri: Lajmërova policinë për aksidentin e gruas, nuk dija çfarë kishte bërë me fëmijët
Adri Terziu, burri 39-vjeçar me origjinë nga fshatrat e Burrelit ka përjetuar situatë të rëndë ditën e djeshme, pas humbjes së dy fëmijëve dhe tentativës së bashkëshortes për t'u vetëflijuar para tij. Ai ka rrëfyer se sapo ka mbërritur në shtëpi, i njoftuar me celular nga disa fqinj dhe të njohur është lemerisur nga pamjet që i kanë dalë para syve. Terziu i tha policisë se gjendej në punë e sipër në një objekt, të një firme ndërtimi ku ai punon, kur është njoftuar për ngjarjen e tmerrshme. Burri 39-vjeçar ka deponuar se e shoqja, kohët e fundit, përballej me probleme psikologjike, shfaqte shenja depresioni herë pas here, por kurrë nuk ia priste mendja se do të ndodhte një gjë e tillë. Ndërsa duke folur për televizionin grek "Alpha", babai i të mbyturve ka treguar se në mëngjes kishte shkuar normalisht për në punë, duke lënë në shtëpi gruan dhe dy fëmijët e tyre, motër e vëlla, duke luajtur. Më tej, do të plotësonte librin e sigurimit shëndetësor dhe kur po kthehej në shtëpi, ka parë të shoqen, pak metra larg shtëpisë së tyre, të ecte tutje-tëhu me të shpejtë nëpër rrugë, larg trotuarit. Duke dashur që t'i tërhiqte vëmendjen të shoqes që të kishte kujdes, i thirri, por ajo u vu më tepër nën panik dhe u përplas me makinën më të parë që u afrua, duke përfunduar nën rrotat e saj. Në këto kushte, bashkëshorti ka njoftuar menjëherë Policinë Rrugore për të raportuar këtë aksident, pa e ditur atë çfarë kishte bërë ajo në banesë me dy fëmijët e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›