E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jamir Hyka: Qipro, shans për të rinjtë

 

Mesfushori i Kombëtares shqiptare Jahmir Hyka e vlerëson Qipron, si një skuadër ndaj së cilës duhet të luhet me respekt. Kjo pasi sipas tij ishullorët janë rritur shumë gjatë viteve të fundit. "Është një ndeshje që duhet vlerësuar shumë, pasi Qipro është rritur shumë kohët e fundit. Nuk i di ende idetë e trajnerit për këtë ndeshje, por ashtu si ajo kundër Gjeorgjisë (1-1), do të vlejë shumë edhe për lojtarët e rinj", - thotë Hyka, që ka veshur 14-herë fanellën e Kombëtares A. Anësori i Mainc 05, skuadrës gjermane të Bundesligës 1, ka luajtur për herë të parë me Kombëtaren në ndeshjen miqësore kundër Maqedonisë (7 shkurt 2007, të humbur 0-1 në Shkodër), kur ai ishte vetëm 18 vjeç. Ish-trajneri kuqezi, kroati 75-vjeçar Oto Bariç i pati besuar disa minuta edhe pse atëherë Hyka ishte ende minoren. "E falënderoj shumë, që besoi tek unë. E vlerësoj si një trajner të madh, një mendim që e kanë dhe shumë futbollistë të tjerë të Kombëtares aktuale. Arie Haan? Më mirë të mos flas për të", -shton Hyka për ish-trajnerin holandez të përfaqësueses. Miqësoret me Kombëtaren duket se i kanë ecur ish-lojtarit të Tiranës, pasi ishte pikërisht miqësorja me Poloninë (e humbur 0-1, më 27 maj në Reutlingen të Gjermanisë), ku dhe ai shkëlqeu përpara se drejtuesit e Mainc 05 t'i ofronin një kontratë të majme financiare në qershor të vitit të kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›