Agolli: Projekti i sheshit “Skënderbej”,nuk përfshin 2 kullat
Ndërsa punimet në sheshin qendror të Tiranës vazhdojnë,policia rrugore ka nisur të vendosë gjoba për shkelje të sinjalistikës së re. Ndonëse ka pak ditë që është vënë dhe qytetarëve iu kërkua mirëkuptim, e bashkëpunim ndaj tyre, tani kanë nisur penalizimet. Ndërkaq pas shumë akuzave në adresë të Bashkisë së Tiranës për dy kullat “e paligjshme” që do ngrihen në shesh,vjen një tjetër sqarim. “Projekti për sheshin “Skënderbej” nuk trajton godinat. Janë dy çështje të ndryshme. Për to do të ketë vendim të posaçëm nga KRRT-ja”. Sqarimin e bën administratori i Bashkisë së Tiranës Dritan Agolli. Në një intervistë për “Ditarin Javor”,ai thekson se projekti për sheshin është brenda të gjitha rregullave dhe të gjitha akuzat sipas së cilave ka një ndryshim të planit francez,janë të pavërteta. “Kërkesa e bërë që projekti të miratohej në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Shqipërisë është e pasaktë, sepse argumentet e përdorura që projekti i sheshit “Skënderbej” ndryshonte planin francez nuk janë të vërteta. Projekti i sheshit “Skënderbej” nuk trajton godinat. Pavarësisht se të gjitha studiot pjesëmarrëse në konkurs, përfshirë dhe atë belge trajtonin godinat në vetvete, sepse nuk mund të konceptohet sheshi pa godinat, në vendimmarrjen e KRRT-së kjo gjë nuk është përfshirë”, është shprehur Agolli. Sipas tij në vendimin e marrë nga KRRT-ja ku është miratuar projekt-ideja, në pikën tre është saktësuar se çështja e godinave do t’i lihet një vendimmarrjeje të veçantë të këtij organizmi.”Pikërisht për të mos ngatërruar dy çështje që janë të ndara, sheshin me godinat. Pra debati për kullat është krejt i pavend, është thjesht një abuzim, apo në rastin më të mirë është një mosinformim”, është shprehur Agolli. Ai ka pohuar gjithashtu se edhe sa i përket dokumentacionit,bashkia ka zbatuar të gjitha rregullat.”Një nga pikat e shumë debatuara është miratimi nga ana e Institutit të Monumenteve të Kulturës, ose Këshilli Kombëtar i Restaurimeve. Për hir të së vërtetës Bashkia e Tiranës e ka kryer edhe këtë detyrim ligjor duke dorëzuar projektin pranë Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dhe prej këtij këshilli është dhënë miratimi. Shprehimisht në vendim thuhet: “Miratohet projektideja fituese e sheshit “Skënderbej”, sqaron Agolli. Ai thekson se këshilli vendosi dy kushte njëri prej të cilëve u plotësua ndërsa tjetri,nuk qëndron . “Kushti i dytë që nuk qëndron ka të bëjë me çështjen e godinave. Këshilli shprehej që të mos realizoheshin dy godina të caktuara, por unë e shpjegova më lart se projekti nuk ka lidhje me godinat”,tha administratori i Bashkisë. Sa i përket kushtit të tretë që ka të bëjë me pjerrtësinë e piramidës ai nënvizon se edhe kjo pikë është e debatueshme, e rëndësishme është se miratimi i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve është marrë. “Kjo do të thotë sipas tij se nga pikëpamja procedurale bashkia e ka një shkresë miratimi.