Masterat, hiqet kushti i diplomave të përafërta
zirina llambro
Kristalizim i reformave në arsimin e lartë të shoqëruara me ndryshime thelbësore në ligj. Projektligji është gati dhe pritet shumë shpejt të miratohet nga Qeveria. Ajo miratoi dje edhe programet e reja të doktoratës për degët e historisë dhe gjeografisë. Në ndryshimet e pritshme të ligjit pritet të vendoset sistemi master i dyllojshëm, master i shkencës, master i profesionit. Nëse më parë ka qenë kusht që për të pranuar në këtë cikël studimesh diploma e shkollës së lartë duhet të ishte e një fushe të ngjashme, studentët do të kenë mundësi që të zgjedhin masterin për çfarëdolloj fushe të duan,mjafton të plotësojnë kushtet për tu pranuar. Po kështu projektligji ka përcaktuar edhe decentralizimin e vendimmarrjes së shkollave të larta. Do të jenë vetë universitet që do të administrojnë të ardhurat e tyre. Ky proces do të shtrihet edhe në kërkimin shkencor. Ndërkaq pritet të ketë një skemë kryekëput të re të financimit të shkollave të larta. Të gjitha ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë pritet të bëhen publike sot nga Ministria e Arsimit. Dje qeveria miratoi gjithashtu hapjen e programeve të reja të doktoraturës në fakultetin e Histori Filologjisë. Në vendim janë përcaktuar kuotat e pranimit dhe profilet për Historinë dhe Gjeografinë ku do të ndiqen këto programe. Po kështu janë përcaktuar edhe tarifat e shkollimit që për këtë cikël do të jenë 200 mijë lekë. Dosjet e kandidatëve janë dorëzuar pranë departamenteve. Ndonëse jemi në fund, vendimi i këshillit të ministrave përcakton që programet e doktoraturës të nisin që këtë vit akademik. Për degën e historisë do të ketë katër drejtime në këtë cikël. Përkatësisht bëhet fjalë për historinë, arkeologjinë, marrëdhënie ndërkombëtare dhe trashëgimi kulturore. Kohëzgjatja e studimeve do të jetë 3 vjet. Edhe për degën e gjeografisë tarifat dhe kohëzgjatja janë të njëjta. Pak muaj më parë janë përcaktuar edhe kushtet për të konkurruar në një program doktorature. Janë vetë fakultetet që përveç kushteve standarde vendosin kritere shtesë për kandidatët.
Programet e doktoraturës
Fakulteti i Histori Filologjisë
Hapen doktorata në
Histori drejtimet:
1- Histori 30 kuota
2- Arkeologji 15 kuota
3- Marrëdhënie Ndërkombëtare, 30 kuota
4- Trashëgimi Kulturore, 15 kuota
Gjeografi drejtimi:Gjeografi 30 kuota
Kohëzgjatja: 3 vite akademike,
ku përfshihen edhe 60 kredite për studime të organizuara.
Tarifa e shkollimit është 200 000 (dyqind mijë) lekë