Festivali i parë kulturor në Berat
Berati, qyteti i një mbi një dritareve është së fundmi në qendër të një festivali kulturor, i cili do të promovojë përmes aktivitetesh të larmishme, jo vetëm vlerat turistike të këtij qyteti, tashmë pasuri botërore e UNESKO-s, por edhe trashëgiminë shpirtërore, artistike të qytetit ndër shekullor. Kështu, sic është bërë e ditur gjatë një konference për shtyp mbajtur paraditen e djeshme në mjedise të MTKRS- së përgjatë datave 1 deri në 9 Maj, do të organizohet ky aktivitet, i cili vjen për herë të parë në këtë qytet. I mbështetur nga institucioni në fjalë si dhe Ambasada Italiane gjithçka vjen në kuadër të pranverës italo-shqiptare “Dy popuj, një det, një miqësi”. Me këtë rast, ashtu si theksua edhe më sipër dje paradite është mbajtur një konferencë për shtyp, ku Zv. Ministrja e TKRS Suzana Turku e ka cilësuar organizimin e këtij projekti si një nga veprimtaritë më të rëndësishme të këtij lloji, që organizohet në kuadrin e veprimtarive të përbashkëta midis dy popujve miq siç janë populli shqiptar dhe ai italian. Gjithashtu prezent gjatë konferencës ishte edhe Ambasadori italian në Shqipëri Saba D'Elia. “Lidhjet mes dy popujve tanë janë sa të hershme aq dhe të qenësishme. Ndikimet e qytetërimit italian dhe kulturës italiane në tërësi në Shqipëri, si një nga kulturat më të kahershme dhe me vlera të përbotshme, janë edhe sot e kësaj dite të prekshme dhe prezente në shumë nivele të shoqërisë shqiptare. Pikëtakimet e shumta historike dhe artistike të dy popujve tanë përbëjnë një gur themeli të fortë për të intensifikuar dhe çuar më tej bashkëpunimet në fushën e kulturës”- është shprehur Turku. Më tej ajo ka vijuar duke theksuar se Berati është qyteti i kulturës, dhe i vlerave të shkëlqyera të trashëgimisë kulturore kombëtare, ku ndërthuren vlera të pamohueshme të trashëgimisë kulturore kombëtare dhe të turizmit, e meriton plotësisht t’i dedikohet një veprimtari e përvitshme e përmasave të këtij lloji, veprimtari e cila është një element më shumë që do të shërbejë për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit dhe zonave turistike rreth tij, dhe shndërrimit të tij në një pikë të rëndësishme të zhvillimit të turizmit kulturor. Kështu përgjatë këtyre ditëve të festivalit, lagjia e njohur Mangalem, Kalaja e Beratit, Ura e Goricës, Galeria e Arteve "Eduart Lir", Parku para bibliotekës së qytetit, sheshi kryesor, do të jenë disa nga mjediset, që do të evidentojnë veprimtaritë e ndryshme, gjatë festivalit të Beratit, që do të ngërthejë konkurse pikture, letrare, sportive dhe gastronomie. Dita e fundit e festivalit do ta kthejë qytetin në një arenë vallëzimi nën ritmet e muzikës shqiptare dhe italiane. Berati, sikundër Gjirokastra dhe Butrinti, tashmë të shpallura nga UNESCO si pasuri botërore të mbarë njerëzimit, kanë qenë dhe janë prioritete absolute në proceset e hartimit të strategjive, planifikimit të investimeve, si dhe të thithjes dhe orientimit të ndihmës së huaj. Kjo, jo vetëm për faktin se këto tre qendra paraqesin vlera të veçanta dhe të papërsëritshme të trashëgimisë sonë kulturore, por dhe për faktin e thjeshtë që një menaxhim i mirë i tyre do të sjellë përfitime ekonomike dhe shoqërore të komuniteteve që i kanë ruajtur dhe do t’i përcjellin ato tek brezat e rinj. Ky festival me një gamë të gjerë veprimtarish, të cilat do të zhvillohen në qytetet kryesore të vendit tonë, do të evidentojë edhe një herë për ne të gjithë bukurinë dhe vlerat e trashëgimisë kulturore e natyrore që mbartin qytetet tona në përgjithësi si dhe ato të qytetit muze të Beratit “Pasuri botërore e njerëzimit” e mbrojtur nga UNESCO në veçanti..
Përurohet monumenti i shkrimtarit Mitrush Kuteli
Përurohet në Pogradec monumenti i shkrimtarit Mitrush Kuteli, i realizuar nga Muntaz Dhrami dhe i vendosur në breg të liqenit, përballë monumentit të Poradecit. Në prani të familjarëve, miqve, njerëzve të letrave, përfaqësuesve të pushtetit vendor, monumenti i Mitrush Kutelit, realizuar nga skulptori Muntaz Dhrami, është përuruar dje në qytetin e Pogradecit. Monumenti i Kutelit, realizohet 43 vjet pas vdekjes së shkrimtarit. Kryetari i bashkisë, Artan Shkëmbi e përshkroi monumentin si "një vepër dinjitoze e realizuar nga skulptori Muntaz Dhrami, që e falënderojmë për të dy monumentet e realizuara mjeshtërisht". Djali i shkrimtarit, Pandeli Pasko, theksoi se historia jonë ka filluar t'u kthehet vlerave të vërteta. Pasko kujtoi në këtë takim një amanet të t'et: "Duajeni shqiptarinë dhe dheun e saj". Në vazhdim, një sesion shkencor në Pallatin e Kulturës "Lasgush Poradeci", me njohës të veprave të Kutelit, ku studiues të veprës së tij folën për vlerat unikale të krijimtarisë. Ky mjeshtër i prozës shqiptare na ka lënë një prozë krejt të veçantë e cila njihet si "shkolla kuteliane". I rritur midis bukurive të liqenit, të qytezës së tij mbi ujë, Kuteli i fali prozës shqiptare perla të përjetësuara tek "Pylli i gështenjave", "Lumi i madh", "Xha Brahua i e Shkumbanores", "Netët e Kollozhekut", "Balta Shqiptare", "Poem i Shën Naumit".
Diana Çuli vjen për lexusin me "Engjëj të armatosur"
Lufta, historia dhe letërsia...cilat janë raportet që vendos një autor me ngjarjet historike?! Ky ka qenë thelbi i debatit të organizuar dje mbi librin e Diana Çulit “Engjëj të armatosur”. Shkrimtarja që u bë e njohur me romanin e saj të censuruar gjatë regjimit “Dreri i trotuareve” i cili vijon edhe sot të mbetet i preferuari i lexuesit shqiptar rrëfen se një shkrimtar mban qëndrime letrare sado tragjike apo komike të jetë ngjarja historike ku ai është frymëzuar. Romani “Engjëj të armatosur” frymëzohet nga Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri por ndalet gjatë në marrëdhëniet njerëzore. "Unë e shikoj më tepër në pikëpamjen letrare, unë e shikoj se si reagon shoqëria në një rrethanë të caktuar. Cilat janë dimensionet njerëzore, sa mbajnë marrëdhëniet njerëzore në një situatë të dhunshme lufte", tha shkrimtarja Diana Çuli. Në romanin “Engjëj te armatosur” kritika ka vlerësuar trajtimin origjinal të temës së Luftës së Dytë nga ana e autores, temë që shpesh është skematizuar, paragjykuar ose shmangur nga autorët shqiptarë.
29 Prill 2010