Agolli: Qeveria gënjen, shitja e truallit në përputhje me ligjin
Bashkia e Tiranës reagoi dje ndaj çështjes së truallit në parkun “Rinia”. Administratori i Përgjithshëm, Dritan Agolli, në një konferencë për shtyp argumentoi se shitja e truallit është bërë me një vendim të marrë në mënyrë ligjore nga Këshilli Bashkiak në vitin 2005. “Gënjejnë kur thonë se kryetari i bashkisë ka shitur tokën në favor të shoqërisë “Taivani” sh.p.k. Asaj i është shitur një sipërfaqe toke për efekt legalizimi nga ana e Këshillit Bashkiak me vendim nr. 2, datë 17.02.2005. Madje, në bazë të ligjit shit-blerja e trojeve kërkon shumicë të cilësuar dhe ky vendim është miratuar me 71 për qind të votave, duke marrë dhe vota pro të një pjese të mirë të koalicionit të PD”, tha Agolli. Sipas tij, agresioni verbal ndaj Bashkisë thellon më tej konfliktin mes pushtetit vendor dhe atij qendror, si dhe konsideron të papranueshme dhe në shkelje të Kushtetutës dhe Kartës së Autonomisë Vendore, sulmin për denigrimin dhe dëmtimin e imazhit te pushtetit vendor nga ana e Qeverisë dhe Parlamentit të Shqipërisë. “Gënjejnë kur thonë se ligji nuk lejonte shitjen e tokës dhe Bashkia e ka bërë në shkelje të tij. Këtu kemi ligjin Nr. 9209, neni 2, pika 11 e të cilit përcakton, se në rastin e trojeve publike, për efekt legalizimi, toka shitet nga Këshilli Bashkiak apo i Komunës. Për sqarim, po për efekt legalizimesh, sot qeveria po shet toka anembanë Shqipërisë”, tha Agolli