E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Tajvani shpronësohet

 

ADI SHKEMBI

Ashpërsohet konflikti mes maxhorancës dhe opozitës. Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar dje ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi që të çojë në qeveri brenda javës së ardhshme vendimin për anulimin e shitjes së tokës te kompleksi Tajvan. Sipas tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, njëherësh edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka shkelur ligjin, duke shitur një tokë shtetërore. “Dua t’i kërkoj ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, të sjellë me urgjencë në qeveri vendimin për të anuluar dhunimin flagrant dhe mafioz të ligjit mbi shitblerjen e trojeve në Republikën e Shqipërisë, dhunim, i cili konsiston në përvetësimin në kundërshtim me ligjin e vendit të 1,350 metrave tokë publike nga kryebashkiaku i Tiranës dhe Besniku i tij, në zemër të qytetit”, u shpreh Berisha. Kreu i ekzekutivit iu referua një ligji të vitit 1995 për shitjen e trojeve publike. Sipas këtij ligji toka publike mund të shitet vetëm në dy raste, nëse ndërtohen banesa për lirimin e shtëpive të ish-pronarëve dhe me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave për investime të rëndësishme. “Janë vetëm këto dy rrethana që ligji i këtij vendi autorizon apo mundëson shitjen e trojeve publike. Në rastin konkret, kryebashkiaku dhe Besniku i tij me tokën që kanë përvetësuar në qendër të Tiranës kanë shkelur rëndë ligjet e vendit. Besniku i Ramës e mori për të ndërtuar banesa për ish pronarët me Ramën. E ka bërë lokal tërësisht të përbashkët me kryebashkiakun”, u shpreh kreu i ekzekutivit. Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, Berisha bëri të ditur gjithashtu, se dosja e këtij abuzimi do t’i kalojë Prokurorisë. “Po kaq e shëmtuar është shitja e tij, pasi nuk kanë ngurruar për ta përvetësuar atë me çmimet më qesharake. Një truall, që në vendin ku ndodhet, e ka çmimin mbi 2 mijë euro metra katror, është blerë për 95 euro. Dosja do t’i dërgohet me urgjencë prokurorisë. Qeveria, në zbatim të Kushtetutës, do të anulojë vendimin e shitjes. Pronari përvetësues do të përballet me ligjin, bashkë me atë që ka autorizuar dhënien e tokës”, theksoi më tej kreu i maxhorancës. Kryeministri riktheu sërish akuzat ndaj koalicionit të majtë, duke thënë se këto afera korruptive janë dëshmi e vogël, por domethënëse, se si opozita nuk pranon vendimet e gjykatave. Në këtë kontekst Berisha paralajmëroi se në ditët në vijim do të bëhen publike dosje të tjera korrupsioni në të gjithë bregdetin. “Më duhet të them se shumë shpejt do t’u faktoj shqiptarëve, njësoj si me këtë rast, se mbrapa qëndrimit të shkelmojë mbi vendimin e gjykatave, qëndrojnë interesat mafioze, të konvertuara në qindra e qindra, në mos në shumë qindra milion euro, se po bëhen llogaritjet, të cilat fillojnë me qendrën e Tiranës dhe shtrihen në të gjithë gjatësinë e bregut, nga Velipoja në Ksamil. Të gjitha pa përjashtim do të kenë fatin e kësaj”, u shpreh ai. Në fund, kreu i qeverisë i ka kërkuar ministrit Olldashi, që pjesë e këtij vendimi, i cili do të miratohet javën e ardhshme, të jetë ndjekja penale edhe për shoqërinë, që ka blerë tokën ku sot është ndërtuar kompleksi “Taivan”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›