E Diel, 1 Nëntor 2026

Agolli: “Sulmi amerikan për ‘Mikroborgjezët’ ma bllokoi vjershën”

Intervistë/ Flet shkrimtari i madh, Dritëro Agolli

Si e pritët shkrimin e “The New York Times”-it të ribotuar nga gazeta “Albania” para pak ditësh, ku kritikohej poezia juaj, “Mikroborgjezët”?
Unë e dija këtë punë. Shtypi i huaj përkthehej në fletët e verdha atë kohë dhe e nxirrte ATSH-ja. Në vend që të më bënte mirë, shkrimi i tij më bëri dëm. Edhe ajo vjershë, që ishte botuar atë kohë në revistën “Nëntori” a “Drita”, nuk e mbaj mend, më pas u kritikua dhe u ndalua. Më thanë se vjersha ishte kundër sistemit... Ajo poezi mendoj se është e bukur, e plotë artistikisht dhe i qëndron edhe kësaj kohe.
Pas botimit të vëllimit tuaj më të fundit me poezi të përzgjedhura në Rusi, çfarë do të thoshit?
Libri titullohet “Nga vjen kjo muzikë?” dhe është përkthyer në rusisht nga një poet i njohur rus, miku im, Ilia Fonjakov, të cilin e kam pasur shok që në kohën kur studioja në Fakultetin e San-Petërsburgut. Ai ka bërë me të vërtetë një punë të shkëlqyer duke botuar poezitë e mia më të mira dhe duke i përkthyer në mënyrë që vjershat të mos e humbasin tingëllimën që kanë në shqip. Madje më ka kërkuar edhe që t’ia lexoja poezitë në gjuhën tonë, pikërisht për të ruajtur tingëllimën. Është mirë kur poezia e ruan muzikalitetin dhe nuk transformohet nga përkthimi në poezi me rimë të bardhë. P.sh. sa bukur tingëllojnë përkthimet e Nolit “Rubairat”, apo edhe veprat e Shekspirit! Për këtë libër më shkruan edhe një akademik i vjetër rus, mosha ime, me të cilin nuk njihemi fare. Madje po ua jap për botim letrën e tij.
Po me shkrimin e kujtimeve tuaja a ka ecur puna?
Sipas gjendjes së shëndetit dhe humorit. Ndonjëherë shkruaj, ndonjëherë jo.
Për kuriozitet, shkruani vetë, apo flisni ju dhe shkruan gruaja?
Jo, jo. Gjithçka e bëj vet. Ulem dhe shkruaj. Dua të kem qetësi, të jem i kthjellët e të mendohem. Nuk shkruaj dot nëse kam njeri tjetër nëpër këmbë.
Po në anglisht a kemi ndonjë vepër tuajën të përkthyer kohët e fundit?
Robert Elsie ka përkthyer disa poezi të miat edhe në anglisht, edhe në gjermanisht. Dhe, ç’është e vërteta, m’i ka dërguar mua dhe thotë që “nëse të nevojiten mund t’i shfrytëzosh, mund t’i përdorësh...”. Unë ia dërgova mikut tim rus, Ilia Fonjakovit, meqë ai di anglisht. Vazhdimisht ai më ka përkthyer mua. Ka përkthyer një novelë, “Apasionata”, gjithashtu, një antologji të prozës sonë në Amerikë. Ai është një dashamirës i gjuhës shqipe. Ma merr mendja do të përkthejë të tjera vepra e shkrime nga autorë të njohur, por edhe të rinj shqiptarë, për t’i krahasuar.
A nuk do të ishte momenti i duhur që Dritëroi ta bëjë një hyrje në botën anglishtfolëse?
Unë nuk jam marrë shumë me këtë punë, madje edhe njëherë, në vitet e socializmit, një shtëpi e njohur botuese në Nju Jork më bëri një kërkesë për të botuar librin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (meqë ishte botuar në Francë atëherë), por unë e lashë pas dore. Me sa duket, ata, meqë unë nuk iu përgjigjja, nuk morën dot leje dhe u tërhoqën. Po të jepja pëlqimin që “jam dakord të botohet”, atëherë mund të isha botuar që në ato vite në Amerikë. Për këtë gjë e kam pasur unë fajin, si ta themi, bëra mëkat.
Botimi i refuzuar nga ju në atë kohë mund të bënte që sot të ishit shumë i njohur në gjuhën angleze. E keni peng këtë gjë, apo mendoni që vepra juaj do të hyjë me kohën në vendet anglosaksone?
Po edhe me kohën mund të vijë. Nuk e mohoj që më ka mbetur si peng, që në atë kohë, më mirë t’ua kisha dhënë “Shokun Zylo” amerikanëve. Por në atë kohë ishim vend i izoluar dhe ne nuk e kishim mirë idenë se vepra duhet botuar në një gjuhë si anglishtja. Mendonim që po të duan, le ta botojnë. Nuk i dinim mekanizmat e botimit.
Ndërkaq, botimi në rusisht i poezive tuaja më të mira përbën ndoshta një emocion më tepër? (Duke pasur parasysh lidhjet tuaja fizike e shpirtërore me këtë vend.)
Medoemos që po. Fundja, çdo shkrimtar ka qejf që vepra e tij të flasë edhe në gjuhë të tjera. Sado modest që të jetë shkrimtari, prapë i vjen qejf dhe ka rëndësi që vepra e tij të botohet. Ka shkrimtarë që thonë sikur nuk ka rëndësi botimi i veprës jashtë shtetit, mjafton gjuha jonë. Por në fakt këtë e thonë kot dhe jo nga modestia, sepse çdo krijues ka qejf ta shikojë veprën e tij të botuar sa më shumë e në sa më tepër gjuhë. Kush është poet ose shkrimtar, këtë që sapo thashë e kupton fare mirë. Ka nga ata shkrimtarë që thonë se “unë jam për vendin tim”, “...nuk më intereson nëse vepra del jashtë a jo...”, “mjafton që ta botoj veprën, pastaj po të duan le ta lexojnë të tjerët...” etj. Kjo është një gënjeshtër e madhe! Çdo shkrimtar shkruan që të lexohet dhe ka qejf që ta lexojnë. Ose ka edhe nga ata që thonë se nuk ka rëndësi numri i kopjeve; Ta botojmë librin me pesë ose gjashtë copë... Më kujtohet kur Stalini kritikoi një shkrimtar rus, Simonovin; Ai i tha: “... më mirë këtë libër ta kishe botuar në tri kopje; një për vete, një për nusen dhe një për vjehrrën...”. E pra, edhe kush thotë sot se nuk ka rëndësi që libri të botohet në shumë kopje dhe gjuhë të botës, nuk mund të jetë i sinqertë.
A do ta bëni një promovim në Rusi për këtë libër?
Më kanë thënë që t’ia bëjmë, por është larg Rusia dhe do kohë e fuqi fizike. Mundet që edhe të shkoj atje, me kësmet.
Intervistoi: Petrika GROSI

23 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›