Sulmi i “The New York Times”-it ndaj Agollit: “Mikroborgjezët”, poezi e dobët”
Në artikullin e botuar nga “The New York Times” dhe ribotuar këto ditë nga gazeta “Albania”, reporteri David Binder, mes të tjerash, shkruante:
…Për të gjitha këto është bërë një poezi e dobët, e publikuar në mars nga Dritëro Agolli, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në të përjavshmen “Drita”. Një pjesë e poezisë së titulluar “Anti-mikroborgjezët” bën thirrje:
Pikëllim nihilist.
Sa i përçmoj ata!
Pikëllim: Ah!
Pse nuk i bëjnë ata brekët me lulka,
me ushkur të mëndafshtë;
Pikëllim: Ah!
Shpinat tonat janë kërrusur nga kursimi, kursimi
dhe vetëm kursim;
Pikëllim: Ah!
Për një zog të pjekur në sobë me mikrovalë
Zoti Agolli vazhdon të flasë për ture nëpër botë; “nuk ka rëndësi se ku”, vilat në det dhe kozmetikën; dhe më pas denoncon hedonistët (njerëz qe jepen pas qejfeve të momentit) që i lakmojnë ata si “krijesa idiote”.
Me sa duket ekziston një klasë e vogël, e re, e burokratëve që kanë arritur të sigurojnë njëfarë jete luksoze.
Poezia
Nga vjen kjo muzikë?
Nga vjen kjo muzikë?
Vjen nga takimi i petaleve në lulet,
Vjen nga ndeshja e dy zhuzhakëve të kaltër
Atje ku kodra zë ulet;
Po vjen dhe nga rënia e vesës,
Veçse kjo ndodh kur nata është e kristaltë
Dhe pakëz e freskët.
Nga vjen kjo muzikë?
Vjen nga zërat e mijëra karkalecave,
E mijëra bulkthve,
Që shkojnë si krushq në dasmë,
Të marrin nusen mes nuseve,
Se ndofta për dasmë është e shënuar kjo natë.
Nga vjen kjo muzikë?
Vjen nga fërkimi i pluhurit të yjeve,
Pluhur që tokën spërkat si shi i padukshëm
Sipër shtëpive, arave dhe pyjeve,
Që s’është aspak si shirat e bujshëm;
Vjen nga gjoksi i deteve
Që guduliset nga kurrizet e balenave dhe anijeve
Dhe kruhet prej oktapodëve dhe peshqve,
Prej gaforreve, breshkave dhe kërmijve.
Nga vjen kjo muzikë?
Vjen nga thërrimet e pluhurit tonë,
E pluhurit dhe hirit të trupave tanë,
Prej kokrrizave që bëjnë jehonë
Të dala nga të treturit që ikën e vanë...
Nga vjen kjo muzikë?
Letra e akademikut rus për Agollin
“Poezitë tuaja më tronditën pa masë, për mua janë festë...”
Pas botimit të librit me poezi të zgjedhura të Dritëro Agollit në Rusi, shkrimtarit do t’i vinte në shtëpi një letër e papritur nga Rusia...
I nderuar Dritëro Agolli,
Më falni për shkrimin. Oh, jam plak dhe i sëmurë (ndër të tjera më punon keq edhe dora). Prandaj, tani për tani, sa të mundem, shkronjat po i bëj si këmbë pule. Nëse nuk ia dal, do t’i lutem ndonjë specialisti të m’i shkruajë në kompjuter.
Jam shumë i kënaqur me librin tuaj “Nga vjen kjo muzikë?”, të cilin ma dhuroi I. O. Fonjakovi. Përkthimi i tij (se unë nuk e di origjinalin) më duket i mrekullueshëm. Kështu që poezitë tuaja, më të mirat prej tyre, më tronditën pa masë dhe për mua u kthyen në festë (unë jam dashamirës i thjeshtë i poezisë, jo një studiues i saj). Më vjen turp të them, por është e vërtetë se asnjëherë më parë nuk kam lexuar ndonjë libër shqiptar (as në prozë, as në poezi). Prandaj vargjet tuaja për mua janë një zbulim i bukur, sepse në ato, sipas meje, është gjëja më supreme; rruga nga zemra në zemër, sado që kjo që them të tingëllojë me stil të lartë. Po përmend ato që janë më pranë shpirtit dhe mendimit. Dhe natyrisht, më pranë muzikës së vargut.
Kështu, faqet 9 e 10 “Nëna ime e bukura Hatixhe”, “Nga kujtimet e hershme”, faqe 14 e 16, “Dobësia ime për tuajt”, “Lopa”, fq.21 e 32 “Puna”, “Për gjërat e thjeshta”, fq. 43 e 50, “Dëshira” (këtë mund ta shkruajë vetëm një njeri i dashuruar) dhe “Pulëbardha” (e shkruan vetëm një njeri i mençëm e i moshuar), fq. 53, 57, 60 e 62 mprehtë, dhimbshëm, vërtetësisht. Fq. 75, “Qeni im i plakur”, për mua veçanërisht tingëllon fuqishëm, se tërë jetën kam mbajtur qen (tani tek unë jeton vetëm një maçok plak, Vasili, një mrekulli e jashtëzakonshme e natyrës). Fq. 113, fq. 117, plot mirësi dhe përzemërsi. Fq. 119, “Nga vjen kjo muzikë?”, me të vërtetë e mahnitshme! Po vjershat për fëmijërinë? Era e barit të korrur, e ahurit, e lopës, e kalit, aq të përjetuara, sa është e pamundur ta mendosh!
Më falni për letrën e gjatë dhe për shkrimin e keq! Ju uroj juve (dhe në moshën tuaj si timen) vetëm mirësi, shëndet dhe botë shpirtërore!
Mirënjohësi juaj, i panjohuri lexues,
Mjamlin
Igor Gavriloviç
Profesor, anëtar i Lidhjes së Artistëve të Arteve Figurative të Rusisë, Artist i merituar, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve.
Sant-Petërsburg 18.01.08
23 Maj 2008