E Shtunë, 31 Tetor 2026

Batuta të Dritëro Agollit për gazetën “Albania”



“Nanon e kam mik, por është karabush bostani për të trembur galat”

“...Këtu do të shtoja se Nano është edhe me një mentalitet të theksuar provincial. Është një rreshter që ëndërron të shndërrohet në një udhëheqës si Napoleon Bonoparti. Ndaj, në sytë e njerëzve ai është bërë si karabushi në bostan për të trembur galat. Të vjen çudi se si disa djem të zgjuar deputetë dhe jo deputetë shkojnë pas këtij karabushi, siç shkojnë karabullakët në breg të liqenit të Pogradecit. Kështu edhe këta djem kthehen në karabushë...”

“Sanço Pançot kthehen në donkishotë e prostitutat në Dylqinja”

“...Ka trafik deputetësh, ndodh në të dy krahët, në të majtët e në të djathtët. Servantesi i madh e ka parashikuar këtë. Këtu te ne Sanço Pançot kthehen
papritur në donkishotë dhe duan të bëjnë mullinj atomikë e ku di unë se çfarë tjetër. Ndërsa mullixhiu lufton me mullinjtë e erës. Tek ne, në Dylqinja (e dashura e Don Kishotit) kthehen edhe gratë e përdala...”

“Ne jemi me opinga e pa brekë, Saliu fantazon centrale bërthamore”

“...Këtë gjë nuk e kisha ëndërruar dhe as e kisha pritur kurrë që ta dëgjoja një ditë… Ne jemi me opinga e pa brekë, Saliu thotë bëjmë centrale bërthamore. S’e ku do t’i gjejë të gjitha këto Berisha, unë nuk e di. Kjo është tamam luftë me mullinjtë e erës. Ndoshta i vijnë ëndrra natën dhe ai na i thotë ditën...”

“Berisha i përfytyron malet si mullarë me pilaf e fushat si tepsi me kadaif”

“...Këshilltarët e tij ai nuk i ka për t’iu marrë këshilla, por për t’iu dhënë këshilla. Berisha duhet të dëgjojë të tjerët dhe të mos thotë gjëra të çuditshme. Para dy viteve tha se do të ç’kripëzonte Adriatikun. Do të ngremë një impiant për këtë punë dhe do të përfitojmë kështu ujë të pijshëm. As vendet më të zhvilluara nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Këto e bëjnë të çuditshëm këtë njeri dhe të gjithë habiten kur e dëgjojnë. Ne ecim rrugës dhe ç’të dalë para themi se do ta bëjmë, pa pasur asnjë plan konkret. Berisha, mendoj unë, merret pak me problemet ekonomike konkrete. Ai merret më shumë me fantashkencën ekonomike, zhbiron fantazinë jashtë realitetit, fluturon nëpër male e lundron nëpër ujëra, përdor fantazinë premtuese të shitjes së energjisë dhe ujit të pijshëm jashtë Shqipërisë. Malet ai i përfytyron si mullarë me pilaf dhe fushat si tepsi me kadaif...”

23 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›