E Diel, 1 Nëntor 2026

Subjektivizmi majtist bie ndesh me interesat kombëtare

Sikur progresi në liberalizimin e vizave dhe hyrja në BE në kohë të volitshme dhe jo sipas interesave  partiake socialiste dhe  shfajësimit vetjak të kryetarit të çmandatuar, të kryheshin në kohë optimale,  Rama dhe Ruçi, në radhë të parë, do të bëheshin zeher. Është e qartë se interesat kombëtare janë rrokullisur në rrafsh të dytë.  Interesat vetjake dhe ato partiake, në plan të parë! Së këtejmi kemi nxirosjen opozitare në çdo drejtim, ndonëse faktori ndërkombëtar nuk bie në rrënojat e këtij kurthi.
Tani po bëhen të padurueshëm, se kanë kaluar disa muaj nga vrasja e të ndierit Fatmir Xhindi dhe  drejtësia nuk ka vendosur endé. Në vend të prokurorisë dhe të gjykatës, ka vendosur Gramoz Ruçi. Ai deklaron se është një vrasje politike(!).
Me këtë deklaratë, të shqiptuar qartësisht në një konferencë për shtyp, ai rrëshqet në një kundërthënie vetëfajësuese. “Zyrtarisht asnjë prej krerëve të kësaj partie nuk e ka artikuluar deri dje se bëhet fjalë për një vrasje politike”, - shkruanin njëkohësisht disa të përditshme. Më tej vërehet se: “kjo pistë është hetuar nga organet e akuzës, por nuk ka prova që tregojnë një mundësi të tillë”. Atëherë G. Ruçi, që qenka i bindur për versionin e vrasjes politike, nuk është bashkëpunues me drejtësinë që të japë prova e fakte në vijën e prononcimit të tij. Kështu, nga njëra anë mund të kontribuojë në zbardhjen e çështjes, por s’e bën këtë. Nga ana tjetër, e politizon problemin duke shigjetuar, sipas një zakoni bajat të së majtës sonë, qeverisjen e Berishës! Ai vetë mund të akuzohet në këtë dyzim të qëndrimit të tij, me atë që në jurisprudencë quhet qëndrim reticent, që mund të përkthehet, po të përdorim një neologjizmë, heshtës. Sipas kodit penal kjo reticencë është e dënueshme. Gazetat sjellin edhe kundërveprimin e Grupit hetimor, qe drejtohet nga Prokuroria për Krime të Rënda. Ajo shprehet se “deklarata të tilla dezinformuese dhe abuzive kanë për qëllim pengimin e punës së bërë nga Grupi hetimor dhe shkaktojnë vonesa në zbardhjen e së vërtetës”.
Tani cilido mund t’i drejtohet Ruçit për kohëzgjatjen e vrasjes jo vetëm të një personi por pikërisht të katër vetave, në 2 prillin e protestës për zgjedhjet e manipuluara të Ramiz Alisë. Në atë kohë Gramozi ishte ministër i Brendshëm.  Jo vetëm që në këtë krim shtetëror pati edhe një numër të madh të plagosurish e të gjymtuarish, por edhe gjyqi që u bë me një vonesë të jashtëzakonshme, nuk nxori fajtorët e vërtetë të krimit politik, por doli sikur policia vendore kishte qëlluar me nismë të saj, pa asnjë urdhër nga lart!
Tani u dashka  të besojmë se i ndjeri F. Xhindi, u vra politikisht. Janë të panumërt personat me logjikë të shëndoshë që shprehen se i ndjeri do të ishte personi më i papërshtatshëm që të ekzekutohej për motivet politke. Thuajse emri i tij u bë i njohur vetëm pas vrasjes. Ai ishte një deputet biznesmen nga ata që cilësohen të heshtur përgjatë të gjitha seancave parlamentare. Përse ky “atentat politik” do t’i bëhej një deputeti thuajse apolitik në parlament? Ndërkaq, për një krahasim të thjeshtë , mund të përmendet vrasja e heroit të demokracisë, Azem Hajdarit, për të cilin “Zëri i Popullit” u shpreh, qysh në fillim, se kjo ishte një vrasje për motive private! Domethënë ishte një krim me karakter ordiner! Mund të vërehet edhe këtu se “gjyqtarë” janë  partiakët e së majtës, që zëvendësojnë gjykatën, si në raste të shumta, për të bërë propagandë kundërshtare. A protestuan ndonjëherë, në këtë rast ekstrem, hierarkët e PS-së për vonesën e tejzgjatur? Institucionet e Drejtësisë ndërkombëtare, sollën dy juristë finlandezë nga më të mirët që të përshpejtonin hetimet për çështjen Hajdari, që kishin rënë në letargji. Por ata e humbën durimin dhe u larguan, duke e ndërprerë detyrën e tyre. Më së fundi u bë gjyqi. Veçse edhe ky gjyq, i periudhës kur socialistët ishin në fuqi, la shumë episode dhe fakte në mister!
Asnjëherë demagogjia socialiste nuk e ka kthyer kokën prapa, për të krijuar bindjen se ka një shkallë krahasuese për dukuritë, së paku që të besohet si e përkorë në propagandën e saj. Militantët e këtij formacioni politik, për fat të keq, në një pjesë të konsiderueshme, janë mëkatarë të pandëshkuar të kohës së diktaturës. Ata janë të prirur për të besuar në retorikën propagandistike dhe jo në arsyetimin e shëndoshë të dukurive. Gjithmonë në shërbim parësor të etjes së shfrenuar për pushtet. Qoftë edhe të një personi të vetëm, siç është rasti i E. Ramës, i cili duhet të jetë kryetar, édhe kur statuti i PS-së e ka çmandatuar.
Por kjo gjendje jodemokratike e PS-së, bie ndesh me interesat kombëtare. Ata nuk shohin dot me syze  të tejdukshme. Kësisoj janë mësuar me nxirjen e së vërtetës. Edhe çështjen Xhindi, me ato syze të errëta po e shohin. Por e vërteta do të dalë, patjetër. Ç’do të thonë, atëherë, ata që japin sentenca sipas dëshirës?  Duke zëvendësuar, madje, organet e drejtësisë! A e dinë këta se krimi kundër Aldo Moros nga Brigadat e Kuqe për sa kohë u zbulua dhe i vuri në bankat e akuzës vrasësit komunistë?
Me që i përmendëm këta komunistë italianë, mund të bëjmë një krahasim edhe me socialistët tanë. Të dy palët as që duan t’ia dinë për aspiratat euroatlantike. Të dy palët nuk i kanë dënuar krimet e Stalinit. Tanët, sepse Enveri mbeti stalinist gjer në fund, ndonëse Stalini ishte antishqiptar! Edvini, do të vijë koha që të përgjigjet për apoteozën e diktatorit tonë në Pezë. Fatkeqësia është se ka gjasa që vendi ynë të pësojë paksa nga integrimi sa më i shpejtë në Europën e bashkuar, nga nihilizmi i përparimeve të thella që janë bërë, si askurrë ndonjëherë, në pushtetin e zotëruar nga socialistët. Por vlerësimet e faktorit ndërkombëtar janë të ndjeshme dhe obstruksionizmi antikombëtar i socialistëve të Ramës e të Ruçit nuk do të mundet ta bllokojë të ardhmen e Shqipërisë drejt një perspektive të re.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›