E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agresiviteti i Ramës, tregoi se është kundër ligjit, votës së lirë dhe lirive civile

09-01-2011 / Gazeta 55

Djegia e fletëve të votimit

Depot ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban materialet e zgjedhjeve të fundit, po boshatisen. Pas inventarit nga punonjësit e administratës, fletët ndahen nga materialet zgjedhore. Materialet do të flenë në arkiv për 25 vjet, listat e votuesve për të paktën 50 vjet, kurse fletët e votimit janë dënuar të asgjësohen.
Jashtë kapanoneve presin kamionët e ushtrisë të pajtuar enkas për transportin. Kamioni që del nga rezervat e shtetit, kthehet majtas. Djegia nuk do të bëhet në Sharrë, sipas një informacioni të parë, por në breg të lumit Erzen, pranë urës së Farkës. Fletët spërkaten me benzinë, për të ndihmuar djegien.
Nuk e kishim parë kurrë më parë se ç’bëhej me votat tona. Opinioni publik ka ruajtur me vite të tëra një indiferencë konstante ndaj materialeve zgjedhore, pasi përfundonte procesi. Kjo me të drejtë në fakt.
E kujt po i interesonin ca copëra fletësh votimi, apo një listë e gjatë shumë emërorëshe. Por për nxehtësinë që çliroi politika për më shumë se një vit, ky proces paraqiti një interes të veçantë. Për dikë është flaka që iu vu shpresës për kompromis, kurse për punëtorët, veç një proces rutinë pune, që buron nga zbatimi i ligjit.
E në të vërtetë, ato fletë që tashmë përfunduan nën rrogozin e benzinës, pra sipas formës që parashikonte ligjit, nxorën në pah egërsinë e socialistëve dhe Edi Ramës ndaj zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

PS vazhdon qëndrimin absurd
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje vendimin, sipas të cilit listat e zgjedhësve të 28 qershorit 2009, do t’i dërgohen në një dosje të veçantë Arkivit të Shtetit. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi ka komentuar vendimin KQZ për arkivimin e listave të zgjedhjeve. Subashi tha se duhej që hapja e kutive të bëhej pasi të zgjidhej ngërçi politik. Subashi tha se hapja e kutive është pranua unanimisht nga KQZ dhe duhej pritur që hapja e kutive, të bëhej kur të zgjidhej ngërçi politik. Ajo tha se është proces konform kodit elektoral. Subashi tha se zgjedhjet e ardhshme kërkojnë bazën materiale dhe se KQZ ka në dorë problemin e listës zgjedhore. Subashi nënvizoi se KQZ s’bëhet palë e ngërçit politik, pasi shmangia e votimeve te kualifikuara, s’funksionon. Ajo ka theksuar se mungesa e konsensusit politik cenon zgjedhjet.
Zëvendëskryetarja Dëshira Subashi u deklarua kundër vendimit të KQZ-së për të arkivuar listat e zgjedhjeve, duke e quajtur jo kompetencë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe që bie në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Sipas saj, kryetari i KQZ-së, me vendimin e fundvitit, shmangu udhëzimin e 30 marsit 2006, i cili parashikon se çfarë ndodh me listën e zgjedhësve, pas hapjes së kutive të votimit.
Në këtë sens, duket qartë që Partia Socialiste dhe eksponentët e saj, e kanë thuajse të pamundur të pranojnë një realitet që është as më shumë e as më pak, por thjesht një procedurë normale, rutinë dhe jo shumë e rëndësishme. Ajo që i dha rëndësi procedurës se çfarë bëhej me dokumentet zgjedhore pas mbylljes së procesit, ishte një ngërç politik artificial, i trumbetuar si rruga e transparencës, por që në të vërtetë, pas kësaj tendence nuk fshihej tendenca, fshihej frika e Edi Ramës për të pranuar humbjen e zgjedhjeve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›