“Ligji i arkivave lejon përdorimin e të dhënave për hetimet parlamentare”

Listat e zgjedhësve - flet kreu i Arkivit Qendror të Shtetit, Nevila Nika
Debati politik për vendimin e KQZ për të arkivuar listat e zgjedhësve, pjesë e materialeve zgjedhore, si material i klasifikuar në Arkivin Qendror të Shtetit për kreun e këtij institucioni Nevila Nika është një diskutim absurd dhe aspak i drejtuar nga ligji.
Në një intervistë për mediat, Nika sqaron se në bazë të ligjit për arkivat miratuar në 2003, materialet e arkivuara qofshin këto dhe të klasifikuara, mund të vihen në dispozicion të palëve të 3-ta si komisionet hetimore apo organet e drejtësisë pa kaluar afati 25 vjeçar i parashikuar në dispozitat ligjore, por sigurisht duke mos prekur të dhënat personale, që ndodhen në listat e zgjedhësve.
Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jo pa debat miratoi me 4 vota pro arkivimin e listave të zgjedhësve të zgjedhjeve parlamentare të 2009 në Arkivin e Shtetit si material i klasifikuar. Ky vendim u interpretua nga opozita si një tentativë e mazhorancës për të penguar transparencën e zgjedhjeve të shkuara.