"Spiunët", largohen 25 prokurorë
Reagojnë prokurorët e prekur nga drafti. “Ne ishim të detyruar të zbatojmë ligjet e atëhershme”
TIRANË- Në rast se projektligji “Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve”, do të hyjë në fuqi me përmbajtjen aktuale, atëherë, nga organi i akuzës rrezikohet të largohen nga puna rreth 25 prokurorë. Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, thanë dje për gazetën “Shekulli” se janë rreth 25 prokurorë të institucioneve të ndryshme në të gjithë vendin, të cilët me hyrjen në fuqi të ligjit, do të jenë të detyruar që të japin dorëheqjen, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në procese gjyqësore politike, deri në datën 8 dhjetori 1990. Mësohet se institucioni që “goditet” më shumë në këtë rast për largimin e prokurorëve nga detyra, është ai i Prokurorisë së Përgjithshme. Në “sitë” për t’u larguar janë edhe disa nga drejtuesit e hetimeve të dosjeve të bujshme që ndodhen pranë Prokurorisë së Përgjithshme, atyre të Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Tiranës.
Reagimi i prokurorëve
Duke kërkuar që të mbeten anonimë dhe të mos prononcohen publikisht me emër, disa prej prokurorëve që kanë marrë pjesë në procese politike, shprehin kundërshtimin e këtij drafti ligjor, duke e cilësuar si të paligjshëm. “Në atë kohë, ne kemi qenë punonjës të administratës shtetërore dhe zbatues të ligjeve në fuqi. Nuk ishim ne ata që bëmë ligjet, ata i bënë ligjbërësit dhe ne ishim të detyruar të zbatojmë atë ligj dhe nuk mund të mos e zbatonim, pasi ishte detyra dhe puna jonë, është si kjo e tanishmja. Pra, edhe tani ne zbatojmë ligjet në fuqi. Ne kemi qenë thjesht shërbëtorë të Kushtetutës dhe ligjeve që ishin në fuqi. Kështu që, është e turpshme të “ndëshkohen” të gjithë prokurorët që kanë zbatuar ligjin. Gjithashtu, Kushtetua e sotme shprehet qartë se kush mund të emërojë dhe shkarkojë një prokuror. Nëse ligji kalon në Parlament dhe dekretohet nga Presidenti, atëherë ai është antikushtetues”, - tha njëri prej prokurorëve, që, me miratimin e draftit, është i detyruar që të lërë detyrën që kryen pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Në rast se do t’i referohemi një prej pikave të nenit katër të draftit, ku flitet për prokuror e gjyqtare në procese politike, dhe ligjit të vitit 1991, që sqaron pikërisht këto procese, atëherë mund të thuhet fare qartë se të gjithë ata ish-hetues apo ish-prokurorë që tashmë janë në detyra publike, që kanë qenë pjesë e gjyqeve politike ndaj qytetarëve, si për akuzat; agjitacion e propagande kundër shtetit, për arratisje e tentim arratisjeje nga Shqipëria, për sabotim, për krijimin ose pjesëmarrjen në organizata politike, për moskallëzim të krimeve kundër shtetit, për shpifje e fyerje kundër organeve më të larta të shtetit e të Partisë, për mosrespektim dhe mosmbrojtjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe atyre të simboleve shtetërore, si dhe për mbledhje, grumbullim e manifestim në vendet publike, do të largohen nga detyra. Në këtë kategori përfshihen edhe ata hetues e prokurorë që kanë dënuar qytetar për arratisje e tentim arratisjeje nga Shqipëria gjatë luftës ose pas çlirimit të vendit, deri me 8 maj 1990 dhe për shkak të bindjeve ose të veprimtarisë së tyre politike
Largohen ata që kanë punuar nga 29 nëntor 1944 e deri 8 dhjetor 1990:
Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtarë i Komitetit Qendror të PPSH-së, me përjashtim të rasteve kur ka vepruar kundër vijës zyrtare apo është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike;
Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme; ministër, zvministër i Punëve të Brendshme dhe çdo punonjës i organeve të Sigurimit të Shtetit; I dënuar me vendim penal të formës së prerë për krime kundër njerëzimit, ose për veprat penale të shpifjes, të kallëzimit të rremë ose dëshmisë së rreme në procese politike; Bashkëpunëtor i organeve të Sigurimit të Shtetit, me veprimtari të karakterit politik, që lidhen me veprat penale politike, të parashikuara nga ligji nr. 7514, datë 30.09.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe përndjekurve politikë” (të ndryshuar), apo bashkëpunëtor, vullnetar për vepra të tilla; Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve; Hetues, prokuror ose ndihmësprokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtarë në procese politike; Denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset gjyqësore politike.
Anëtarët e Presidiumit Popullor dhe krerët e degëve të Punëve të Brendshme nëpër rrethe.
Proces politik, do të thotë marrja pjesë e gjyqeve politike ndaj qytetarëve për akuzat: - “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”; arratisje e tentim arratisjeje nga Shqipëria
- për sabotim
- për krijimin ose pjesëmarrjen në organizata politike
- për moskallëzim të krimeve kundër shtetit
- për shpifje e fyerje kundër organeve më të larta të shtetit e të partisë
- për mosrespektim dhe mosmbrojtjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe atyre të simboleve shtetërore
- për mbledhje, grumbullim e manifestim në vendet publike
Do të verifikohen:
- Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
- Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
- Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, funksionarët politikë, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në institucionet e tjera shtetërore qendrore ose të pavarura.
- Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët pranë gjykatave dhe prokurorive të të gjitha niveleve.
- Funksionarë të lartë të Presidencës, të administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në shkronjën “c”.
- Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë.
- Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”.
- Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut, si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave.
- Drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku.
- Në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe çdo shërbim tjetër inteligjent.
- Në Gardën e Republikës.
- Funksione drejtuese në Policinë e Shtetit, deri në nivel qarku dhe komisariati.
- Drejtuesit e përfaqësive diplomatike.
- Anëtarët e Akademisë së Shkencave, rektorët, zvrektorët dhe dekanët në universitetet publike, si dhe drejtorët e gjimnazeve dhe shkollave të mesme tekniko-profesionale.
- Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës, apo i zgjedhur nga Kuvendi.
- Drejtori i Përgjithshëm, nëndrejtori i Përgjithshëm, drejtori dhe nëndrejtori i Radios, drejtori dhe nëndrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar, do t’i nënshtrohen verifikimit të figurës së tyre.
- Posti i drejtorit, nëndrejtorit dhe drejtorët e departamenteve në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, si dhe anëtarët e këshillave drejtuese të medieve publike.
Ambasadori i OSBE-së shprehet për hartimin e një ligji me konsulencë të gjerë
“Spiunët”, Bosch: Duhet konsulencë e huaj
TIRANË- Ndërkombëtarët janë në një zë kur bëhet fjalë për draftin e pastërtisë së figurës, të përgatitur nga mazhoranca. Pas reagimit publik të Ambasadës Amerikane në Tiranë, edhe ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch shprehet për domosdoshmërinë e hartimit të një ligji me konsulencë sa më të gjerë. Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në qytetin Durrësit, ambasadori i OSBE-së është shprehur se nuk ka pasur asnjë diskutim me OSBE/ODHIR-in për hartimin e këtij drafti, një fenomen ky që u theksua jo pak edhe nga Kryetarja e Grupit Parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, gjatë fjalës së mbajtur ditën e hënë në Kuvend. "Ligji për dosjet është një ligj i ndjeshëm ndaj duhet të paraqitej te konsulentët evropiane pikësëpari", -u shpreh Bosch. Dy ditë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës reaguan ndaj projektligjit për pastërtinë e figurës. Në deklaratën për shtyp, ndër të tjera thuhej se drafti ngre shqetësime serioze kushtetuese dhe ligjore. Të njëjtën konstatim kanë bërë edhe drejtues të lartë të opozitës, por edhe parti të koalicionit qeverisës. Gjatë qëndrimeve të fundit, nga ana e opozitës është evidentuar domosdoshmëria e gjetjes së një konsensusi dhe mbi të gjitha hartimi i këtij drafti mbi bazën e një ekspertizë ndërkombëtare, aq shumë të kërkuar tanimë edhe nga institucionet e huaja të akredituara në Tiranë.
Avokatët: Nëse zbatohet ligji, vdes drejtësia
TIRANË- Forumi i Avokatëve të Shqipërisë, në një deklaratë zyrtare të shpërndarë për mediat, paralajmëron se sistemi i drejtësisë, dhe posaçërisht ajo pjesë cilësore që i ka mbetur këtij sistemi, do të merrte një goditje vdekjeprurëse, në rast se do të miratohej drafti për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. “Forumi i avokatëve shpreh shqetësimin e tij për pasojat të pariparueshme që mund t'i sjellë vendit miratimi prej Kuvendit të Shqipërisë, kështu siç është paraqitur, i projektligjit për dosjet.
Ky Projektligj nëpërkëmb në mënyrë të hapur parimet universale demokratike të ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit, të ligjit dhe fuqisë zbatuese të tij",- thuhet në deklaratë. Sipas forumit të avokatëve, projektligji "Për Pastërtinë e Figurave të Funksionarëve të Lartë të Administratës Publike dhe të Zgjedhurve", bënë një rikthim pas në raport me standardet e BE-së dhe të NATO-s, lidhur me konceptimin dhe funksionimin e shtetit ligjor. Duke iu referuar disa neneve të këtij drafti, forumi i avokatëve shprehet se me zbatimin e tij rrëzohet Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, gjykatat e Apelit Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër, Vlorë, rrëzohen gjithashtu Prokuroria e Përgjithshme, prokuroritë pranë Gjykatave të Apeleve, dhe disa prokurori të rretheve të vendit etj.
Në takimin e zhvilluar, Presidenti i Republikës, ashtu edhe ambasadori amerikan, theksuan rëndësinë e reformës në Drejtësi, në Prokurori dhe asaj zgjedhore.
Situata politike, Topi takon ambasadorin Uithers
TIRANË- Dekorimi i juristes amerikane, Melisa Shrajbman, me “Medaljen e Mirënjohjes”, nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, për kontribut të vyer në përpjekje për ndërtimin e shtetit ligjor, ka përcjellë një mesazh të qartë edhe nga ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon L. Uithers II. I pranishëm në këtë ceremoni, dhe në një moment tepër delikat për sistemin ligjor në vend, ambasadori amerikan ka deklaruar se as fuqia, ose posti, as statusi shoqëror, as pasuria nuk duhet të influencojnë në barazinë e këtij sistemi. Duke u bazuar në motivacionin e medaljes së juristes Melisa Shrajbman, ambasadori amerikan ka theksuar se shteti i së drejtës kupton që të gjithë duhet të gjykohen para ligjit në mënyrë të barabartë. “Motivacioni i medaljes suaj përfshinte katër fjalë të vogla: “Shtetin e së drejtës”. Këto janë fjalë të vogla, por janë fjalë magjike. Pa to, demokracisë do t’i mungonte gjaku nëpër vena, do t’i mungonte rrahja e zemrës. Shteti i së drejtës kupton që të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, që të gjithë duhet të dëgjohen dhe të gjykohen para ligjit në mënyrë të barabartë. Dhe as fuqia, ose posti, as statusi shoqëror, as pasuria nuk duhet të influencojnë në barazinë e sistemit ligjor”,- tha ai ambasadori amerikan, Uithers II, ka përgëzuar edhe punën e juristes Shrajbman, e cila ka drejtuar programin e Zyrës së Zhvillimit, të Ndihmesës dhe Përgatitjes me Jashtë të Departamentit Amerikan të Drejtësisë (OPDAT) në ambasadën e SHBA-së në Shqipëri. “Unë mund të përmendja shumë fakte nga puna e saj, por do të përmend vetëm dy: Punën e saj me Njësinë e Përbashkët të Hetimit, e cila e ka ndihmuar Shqipërinë aq shumë për të luftuar korrupsion dhe krimin financiar dhe punën e saj me Prokuroren e Përgjithshme dhe me Prokurorinë, në ato kohëra të turbullta dhe të vështira, kur tentohej që të ndërtohej institucioni, të fuqizohej dhe të shëndetësohej sistemi i drejtësisë për të luftuar korrupsionin”,- tha ai.
Takimi me Topin
Pas ceremonisë së dekorimit, Presidenti i Republikës Bamir Topi zhvilloi një takim të veçantë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon L. Uithers II, ku u diskutuan dhe ndanë pikëpamje të njëjta rrethreformave të domosdoshme integruese dhe përpjekjeve për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Në këto kushte, si Presidenti i Republikës, ashtu edhe ambasadori amerikan theksuan rëndësinë e reformës në Drejtësi, në Prokurori dhe asaj zgjedhore.
Asnjë zyrtar i lartë i PD-së s’ka reaguar dje pas qëndrimit publik të Ambasadës Amerikane në Tiranë
“Dosjet”, Berisha hesht, Braçe denoncon draftin
TIRANË- Asnjë fjalë apo qëndrim nuk është përcjellë dje nga zyrtarët e lartë të PD-së, lidhur me reagimin publik të Ambasadës Amerikanë në Tiranë, për draftin e pastërtisë së figurës. Ndryshe nga zelli i përditshëm për ta propaganduar draftin si të suksesshëm, dje, duke filluar nga Kryeministri Sali Berisha e deri tek relatori që është marrë më këtë draft, Aldo Bumçi, nuk janë prononcuar mbi projektligjin e dosjeve. Një fakt i tillë është denoncuar dje edhe nga nënkryetari i Grupit Parlamentar i PS-së, Erion Brace, i cili ndër të tjera ka kundërshtuar edhe pikat kryesore, në të cilat PD-ja pretendon se është bazuar për hartimin e ligjit. “Berisha gënjeu kur tha që ligji i tij ishte binjak më atë çek. Në origjinalin çek nuk ka asnjë germë për prokurorë e gjykatës. Berisha gënjeu kur tha se pastrimi i drejtësisë prej gjykatësve e prokurorëve politikë ka qenë qëndrimi i tij i hershëm. Faktet tregojnë qartazi: Në ligjin e ’95-s ai flet për prokurorë e gjykatës pjesëmarrës në gjyqe politike speciale, një status i veçantë ky. Në ligjin e ’97-s, ai vetë përjashtoi gjykatësit e prokurorët nga qëllimet e këtij ligji. Tani, neni për gjykatësit e prokurorët bëhet edhe më i gjerë se në ‘95-n, me qëllim që të eliminojë cilindo prokuror e gjykatës që po heton familjen e tij të dyshuar në korrupsion”,- tha Braçe. Nënkryetari i Grupit Parlamentar sjell edhe një tipar tjetër të rëndësishëm, sa i përket përjashtimit nga ky ligj të agjentëve që kanë qenë në shërbim të shërbimeve të huaja. “Në ligjin e ’95-s, ’97-s, ’98-s, janë penalizuar agjentët në shërbim të shërbimeve të huaja. UDB-ja ka deklaruar një aktivitet të ethshëm ndaj Shqipërisë dhe në Shqipëri. Sali Berisha këtyre bashkëpunëtorëve të UDB-së, me këtë ligj, u jep shans të bëhen kryeministra, ministra, deputetë, gjykatës, prokurorë, administratorë, nëpunës të shtetit. Berisha ka vullnet me këtë ligj të punojë me ta, të shërbejë bashkë me ta”,- tha ai. Në emër të PS-së, Braçe i bëri thirrje Berishës të tërheqë draftin dhe t’i hapë rrugë procesit të hartimit të një ligji të ri konsensual, evropian, kushtetues nën asistencën e ekspertëve të huaj.