Gjirokastër, dërgohen në urgjencë tre grevistë
Gjirokastër- Tre prej grevistëve, banorë të pallatit të shembur në Gjirokastër, janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të qytetit në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkohë që ata shprehen të bindur të rikthehen me shokët në ambientin e grevës, mjekët këshillojnë të qëndrojnë në spital, pasi kanë probleme serioze me tensionin, kurse njëri ka kaluar parainfarkt.
“Në spital përfundoi Ibrahim Braho, i diagnostikuar me parainfarkt dhe Bilbil Kena, edhe më parë i shtruar në spital për shkak të problemeve me shëndetin”- thanë burimet spitalore.
Vetëm pak kohë pas tij, në spital dërgohet edhe një tjetër grevist, shtetasi Fejzi Aliaj, i cili sipas mjekëve ka tension të lartë dhe ka nevojë të marrë mjekimin e duhur. “Ky shtetas është hera e dytë që shtrohet në spital brenda 24 orëve”- thanë të njëjtat burime.
Greva e banorëve ka hyrë tashmë në ditën e saj të tretë, ndërkohë që ata, edhe pas premtimeve që kanë marrë për dhënien e dëmshpërblimit, janë shprehur të vendosur të mos dalin pa u siguruar më parë që gjithcka këtë radhë pd të shkojë si duhet.
Në mesditë, banorëve grevistë iu bë i ditur se qeveria ka miratuar sot fondin e dëmshpërblimit prej 46 milionë lekësh të rinj për 14 familjet e pallatit të shembur.
Vendimi u është bërë i ditur grevistëve të urisë nga përfaqësuesi i Këshillit të Qarkut Bexhet Çobani. Sipas tij, qeveria ka bërë përpjekjet maksimale për të lehtësuar gjendjen e rëndë të banorëve.Në bazë të vendimit, familjet që kishin apartamente 2+1 do të përfitojnë rreth 29 milionë lekë, shumë në të cilën përfshihen edhe orenditë, ndërsa familjet me apartamente 3+1 do të marrin një shumë prej 36 milionë lekësh të rinj.
Në skemë janë përfshirë edhe 4 familjet që qëndronin në pallatin e shembur në apartamente me qera dhe për ta është akorduar fondi prej 400 mijë lekësh.
Ndërkohë banorët janë shprehur të pakënaqur nga shumat e akorduara, pasi sipas tyre fondi i dëmshpërblimit nuk është i mjaftueshëm. Ata kanë refuzuar ta ndërpresin grevën e urisë. Dosja e përgatitur nga ekspertët disa ditë pas ngjarjes përllogariste një dëm prej 87 milionë lekësh të rinj.