E Diel, 1 Nëntor 2026

Agresori i kirurgut, hetime si dhe pse u lirua nga burgu

Frika se i sëmuri mendor, Arben Strazimiri, mund të lirohet sërish nga drejtësia shqiptare dhe të bëhet protagonist i ndonjë ngjarjeje tjetër të rëndë, ka detyruar grupin hetimor të verifikojë se si është realizuar lirimi i tij, kur ai akuzohej për vepra të tjera penale. Rrezikshmëria e tij ka detyruar policinë që ta mbajë të izoluar, pavarësisht se ai njihet si person me çrregullime mendore. Vetëm dy ditë më parë, ai ka tentuar të vrasë mjekun Ali Refatllari, i cili është edhe shef i kardiologjisë në qendrën spitalore "Nënë Tereza". Për këtë ngjarje, grupi hetimor i prokurorisë ka ngritur ndaj të arrestuarit akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë. Sipas policisë, pas kapjes së autorit të plagosjes së kardiologut, oficerët e policisë e kanë marrë në pyetje atë. Uniformat blu shpjeguan se 35-vjeçari Strazimiri ka konfirmuar edhe një herë se këtë akt e kishte kryer, pasi dyshonte se për fajin e doktorit kishte vdekur daja i tij. Gjithashtu, ai ka treguar për policinë mënyrën se si e kishte studiuar doktorin, i cili vinte çdo ditë në spital. "Kështu, ai ka blerë një thikë, e ka futur në brez dhe ka pritur doktorin, deri sa ka kaluar para tij. Në këtë kohë, Strazimiri ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar dy herë mbi Refatllarin", ka shpjeguar policia ndërtimin e ngjarjes, sipas dëshmisë së të arrestuarit. Por, problematik për grupin hetimor ka mbetur fakti se si ky person kishte dalë nga burgu, pasi shumë prej uniformave blu e dinin se ai ndodhej ende në qeli, duke vuajtur dënimin për veprat penale të kryera prej tij. Sipas të dhënave të policisë, ai ka qenë i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë dhe grabitje me armë. Të dyja këto akuza janë shumë të rënda dhe nuk dihet ende si ka përfituar ai për të dalë nga qelia. Sipas dosjes penale të tij, në shkurt të këtij viti është ngritur pretendimi se ai është i sëmurë mendor. Kështu, gjykata ka thirrur dy mjeko-ligjorë, të cilët janë betuar se do të vlerësonin gjendjen e tij shëndetësore dhe mendore. Në këto kushte, vetëm rreth një muaj më parë, rezultati ka dalë se ai është i sëmurë mendor. Kështu, gjykata ka vendosur dërgimin e tij në Spitalin nr. 5. Por, kjo ka sjellë pasoja, ku i sëmuri ka plagosur Ali Refatllarin. Ndërkohë, policia do të marrë në pyetje edhe mjekun e plagosur, por kjo do të ndodhë, pasi gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet. Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka deklaruar zyrtarisht se është njoftuar rreth orës 09:00 të së premtes se në ambientet e spitalit "Nënë Tereza", në repartin e kardiologjisë është goditur me thikë Ali Refatllari, 47 vjeç, me detyrë shef i kardiologjisë. Menjëherë strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 mundësuan ndërhyrjen e menjëhershme në drejtim të kapjes së autorit të dyshuar të kësaj plagosjeje, i cili është Arben Uran Strazimiri, 35 vjeç, i cili dyshohet se është i sëmurë mendor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›