E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bëni sa më shumë fëmijë"

1.

"Bëni sa më shumë fëmijë", iu drejtua Nikoliqi serbëve në fjalimet që mbajti në veri të Mitrovicës dhe në Graçanicë. Ideja për kombin e madh serb, për çka edhe i nisi Serbia luftërat e përgjakshme kundër kombeve të tjera në ish-Jugosllavi, vazhdon të mbahet i gjallë në kokat e liderëve serbë, e rishfaqur nga goja e ultranacionalistit Nikoliq, edhe pas të gjitha disfatave që përjetoi kjo. Tentimi i krijimit të Serbisë së Madhe në ish-Jugosllavi më së shumti u kushtoi boshnjakëve dhe shqiptarëve. Ishin amerikanët ata që i shpëtuan edhe boshnjakët, edhe shqiptarët nga shfarosja e makinerisë serbe. Evropa vetëm e miratoi insistimin amerikan që të ndërhyhet edhe në rastin e parë, edhe në rastin e shqiptarëve. Amerikanët, ashtu si edhe Evropa, më 1989-‘90, ende besonin në qëndrueshmërinë e Jugosllavisë, por shumë më shpejt se evropianët e kuptuan thelbin e idesë serbomadhe. Kuptimi më i shpejtë i amerikanëve se sa i evropianëve i thelbit të problemit në ish-Jugosllavi, bëri që Amerika ta kishte rolin kryesor në frenimin e qëllimit serbomadh.

Presidenti i tyre, Gjorgj Bushi i Parë, që në fillim të viteve ‘90 ua tërhoqi serbëve vërejtjen se nuk do të mund ta realizonin idenë e tyre. Ai nuk e tha krejt hapur kështu, por në një formë tjetër që linte të nënkuptohej se ata do të ndaleshin po qe se do ta nisnin realizimin e Serbisë së Madhe. Tërheqja e "vijës së kuqe" ishte shenja e parë që ai ua dha liderëve të Beogradit që të mos mësynin kundër kombeve të tjera. Por, duke e parë luhatjen e evropianëve, kryekrimineli serb Millosheviqi dhe kisha serbe u nisën drejt qëllimit të tyre. Evropa, vetëm kur qëllimi i Beogradit u bë i qartë, filloi të mobilizohej kundër idesë serbomadhe. Miqësia tradicionale që kishte Serbia me disa shtete, dhe frika me të cilën ajo kishte jetuar në kohën e Luftës së Ftohtë, bënë që Evropa të ishte shumë e ngathtë për t‘u përqendruar që në fillim në çështjen e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. "Kur e kuptuan qartë kursin e Serbisë së Madhe evroperëndimorët, lufta kishte marrë hov aq të madh, saqë vetëm amerikanët mund ta bënin zap", shkruante studiuesi i etnonacionalizmit Urs Alterrmat. "Përmes Dejtonit dhe Konferencës së Parisit u ndalën për një kohë luftërat në ish-Jugosllavi", shprehej ai. Mirëpo u la gaca e zjarrit në terren, pasi që nuk u zgjedh çështja e shqiptarëve, të cilëve Serbia e para ua mësyu në qëllimin e vet për ta realizuar idenë e Serbisë së Madhe.

Pas Dejtonit dhe Parisit iu ndal hovi luftës vetëm për pak vjet. Serbia mbeti vetëm në përbërje me Malin e Zi, i cili edhe vetë nisi ta projektojë idenë e ndarjes prej saj, që e bëri publike vetëm pas vitit 1999, kur ndërhyri NATO-ja në Kosovë, për t‘i shpëtuar shqiptarët nga gjenocidi dhe spastrimi etnik. Duke mos e kuptuar se gaca ishte lënë në terren për të nisur zjarri, evroperëndimorët i lanë shqiptarët pa ua zgjidhur çështjen me ndonjë konferencë, ashtu siç vepruan me kroatët dhe boshnjakët. Vetëm kur Kryekrimineli Millosheviq ia nisi spastrimit dhe dëbimit të shqiptarëve, krahas Amerikës, u mobilizua e tërë Evropa për ta shuar edhe këtë vatër lufte. Shqiptarët u çliruan nga tutela e dhunës së Beogradit. Lufta në ish-Jugosllavi ndikoi te historiani britanik, Eric Hobsbawm, që ky ta përforcojë mendimin se "shekulli 20 ishte shekulli më vrastar nga të gjithë të tjerët". Shqiptarët dhe boshnjakët ishin armenët e fundshekullit 20. Këta, ashtu si armenët, përjetuan dhunën, masakrën e dëbimin. Ndërhyrja amerikane dhe evroperëndimore ishte fati i tyre që të mos e përjetonin gjenocidin e përmasës së armenëve, të cilët, vetëm gjatë viteve 1915-1916, janë vrarë mbi një milion sish.

2.

As 17 shkurti nuk i ka bindur liderët e Beogradit se Kosova është vetëm shtet fqinj i tyre. Lejimi që po u bëhet atyre, pas kësaj date, që të mbajnë fjalime para serbëve, po ua mban të gjallë ende ëndrrën për Kosovën. "Bëni sa më shumë fëmijë", klithi Nikoliqi në Graçanicë e veri të Mitrovicës, për ta mbajtur peng të kësaj ëndrre pakicën serbe. Kjo klithje e tij ma kujtoi Benito Musolinin. Edhe ai, në mitingjet që mbante para ishtarëve të tij fashistë, për ta ngjallur ëndrrën e Perandorisë Romake, kishte kërkuar që italianët e kohës së tij të krijonin sa më shumë fëmijë. Ai e konsideronte ideale që një çift t‘i kishte 12 sish. U bëhej kumbarë gjithë atyre që e shtonin natalitetin e Italisë. Po ashtu Titoja, për të qenë Jugosllavia shtet me ndikim në Ballkan dhe Evropë, e pati shpikur idenë e lindshmërisë sa më të madhe. Realiteti ia zhdavariti ëndrrën Musolinit, i cili, me sytë e vetë, e pa se si iu shua ideja e tij fashiste. Titon e mori vdekja, dhe nuk arriti të shohë se si iu shpërbë krijesa e tij që lindi pa i pyetur kombet e saj me referendum se a donin a jo të ishin pjesë e saj. Edhe liderët serbë e panë me sytë e vet se si u shua miti për Serbinë e Madhe. Por vazhdojnë të klithin si Musolini-"Lindi sa më shumë fëmijë". Kjo klithje fashiste s‘është më e rrezikshme për shqiptarët.

Tashmë paraqet rrezik vetëm për serbët e Kosovës, që të vazhdojnë të mashtrohen nga parullat e tilla fashiste, që u shpikën për t‘i pushtuar një komb kombet e tjera. Ideja e Serbisë së Madhe ka marrë fund. Por, për t‘ua bërë më të qartë këtë liderëve të Beogradit, duhet t‘u mbyllen dyert që të mos mund ta vizitojnë më Kosovën as për fushatat e tyre parazgjedhore, as për asgjë tjetër që nxit serbët e këtushëm të jenë elementë destabilizues. Çfarë logjike ka që ata të hyjnë e dalin në Kosovë pas 17 shkurtit, me qëllimin e destabilizimit të Kosovës. Madje, edhe pa pyetur mekanizmat ndërkombëtare përgjegjëse për sigurinë e saj (Kosovës)?!!! Gjatë historisë janë shuar Perandoria Romake, Otomane, Habsburgase. Është shuar edhe fashizmi e nazizmi i Duçes dhe i Hitlerit. Por, deri sa u lejohet liderëve të Beogradit të hyjnë në Kosovë me qëllimin e destabilizimit të saj, ata s‘do ta kuptojnë kurrë se projekti "Serbia e Madhe" ka marrë fund. Atë moment që do t‘u ndalohet, do të bëhen të vetëdijshëm edhe Beogradi, edhe serbët në Kosovë, se ai projekt ka marrë fund...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›