E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza botërore e ushqimit

Pjesa më e madhe e amerikanëve e blejnë ushqimin e përditshëm pothuajse falas. Madje, edhe pjesa më e varfër e popullsisë, që përbën një të pestën e saj, shpenzon vetëm 16 për qind të buxhetit familjar për ushqimin. Por, në shumë vende, ushqimi përbën pothuajse një luks. Familjet nigeriane shpenzojnë 73 për qind të buxhetit të tyre vetëm për të ngrënë, familjet vietnameze 65 për qind, ndërsa ato indoneziane gjysmën e buxhetit.

Padyshim që të gjitha këto familje janë në vështirësi. Vitin e kaluar, fatura e importeve të ushqimit të vendeve në zhvillim u rrit me 25 për qind, ndërkohë që çmimet e ushqimeve u rritën në nivele të papara që prej një brezi. Gjatë dy viteve të kaluara, çmimi i misrit u dyfishua. Ndërkohë, çmimi i grurit arriti në nivelin më të lartë që prej 28 vitesh. Këto rritje çmimesh po shkaktojnë trazira që nga Haiti deri në Egjipt.

Shumë vende kanë vendosur kontrolle mbi çmimet apo taksa mbi eksportet bujqësore. Javën e kaluar, presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellick, paralajmëroi se 33 vende janë në rrezik për trazira sociale, për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve. "Për vendet ku ushqimi përbën gjysmën apo tre të katërtat e konsumit, nuk ka hapësirë për mbijetesë", deklaroi Zoellick. Nuk ka gjasa që çmimet e ushqimeve të ulen shpejt. Organizata e OKB-së për Bujqësinë dhe Ushqimin (FAO) thotë se rezervat botërore të drithërave janë më të ulëtat që nga viti 1982.

SHBA-ja dhe vendet e tjera të zhvilluara duhet të marrin masa për vënien e gjendjes nën kontroll. Rritja e çmimeve të ushqimeve shkaktohet pjesërisht nga forca të pakontrolluara, përfshirë rritjen e kostos së energjisë dhe rritjen e shtresës së mesme në Kinë dhe Indi. Kjo ka çuar në rritjen e kërkesës për proteina shtazore, ndërkohë që këto të fundit kërkojnë sasi të mëdha gruri.

Por, vendet e pasura po i përkeqësojnë këto efekte, duke mbështetur prodhimin e lëndëve djegëse nga bimët. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se prodhimi i etanolit nga misri në SHBA ka ndikuar në rritjen prej 50 për qind të kërkesës botërore për misër në secilin nga tre vitet e fundit. Kjo çoi në rritjen e çmimit të misrit. Rrjedhimisht edhe në çmimet e ushqimeve. Po kështu u rritën edhe çmimet e drithërave të tjera, kryesisht sojës, pasi fermerët filluan mbjelljen e fushave të tyre me misër.

Uashingtoni siguron një subvencion prej 51 centësh për 3,7 litra etanol dhe merr një tarifë prej 54 centësh po për këtë sasi etanoli mbi importet. Në Bashkimin Evropian, pjesa më e madhe e vendeve marrin një tarifë prej 70 centësh për të njëjtën sasi etanoli të importuar. Por, ka disa arsye për dhënien fund të ndërhyrjeve të tilla, pasi, në rastin më të mirë etanoli nga misri redukton ndotjen e atmosferës krahasuar me lëndët e tjera djegëse. Megjithatë, rritja e çmimeve të ushqimeve përbën një argument urgjent për të mos mbështetur etanolin e prodhuar nga misri.

Në një term afatgjatë, prodhimi bujqësor duhet të rritet në vendet në zhvillim. Zoellick u sugjeron vendeve të pasura të japin ndihmën e tyre financiare për një "revolucion të gjelbër" për rritjen e prodhimit bujqësor dhe të fushave të mbjella me drithëra në Afrikë. Por, rritja e çmimeve të ushqimeve kërkon që vendet e zhvilluara të sigurojnë asistencë të menjëhershme. Muajin e kaluar, Programi Botëror i Ushqimit tha se rritja e kostos së grurit krijoi një të çarë prej më shumë se 500 milionë dollarësh në buxhetin e tij për të ndihmuar miliona viktima të urisë në të gjithë botën.

Fatkeqësisht, vendet e industrializuara nuk janë dorëlëshuara. Që nga viti 2006, ndihma e tyre ra 8,4 për qind. Gjatë tre viteve të ardhshme, vendet e zhvilluara duhet të rrisin buxhetin e tyre të ndihmës deri në 35 për qind për të arritur në premtimet e bëra në vitin 2005. Ato nuk duhet të mos e mbajnë këtë premtim. Rritja e vazhdueshme e shtresës së mesme në Kinë dhe Indi, nxitja për lëndë djegëse nga bimët dhe dëmtimi i prodhimit bujqësor nga ngrohja globale paralajmërojnë që çmimet do të vazhdojnë të mbeten të larta. Miliona persona, shumica në vendet në zhvillim, mund të kenë nevojë për ndihmë për të mënjanuar kequshqyerjen. Politikat energjetike të vendeve të pasura ndihmuan në krijimin e këtij problemi. Tashmë, këto vende duhet ta zgjidhin atë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›