E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roja i KMY-së vdiq nga një përplasje me makinë

Mjekësia Ligjore ka dhënë përgjigjen e saj në lidhje me vdekjen e rojës së KMY-së, i cili u gjet dy net më parë pranë vendit të shërbimit në Yzberisht të Tiranës. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar nëse ngjarja ka qenë vrasje, apo aksident me pasojë vdekjen. Për këtë arsye, grupi hetimor ka nisur punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ku fillimisht po punohet për identifikimin e mjetit që ka shkaktuar aksidentin dhe poseduesin e tij. Në lidhje me hetimet, policia tha se viktima është identifikuar me emrin Demir Segeri, 55 vjeç, i cili punonte si roje privat në Kombinatin e Mishit të Yzberishtit. Sipas policisë, nga ekspertiza mjeko-ligjore ka rezultuar se vdekja e tij ka ardhur nga përplasja me një automjet, ku autori është ende i paidentifikuar. Për këtë ngjarje, policia ka marrë në pyetje edhe familjarët e të njohurit e viktimës, të cilët kanë deklaruar se nuk kishin ndonjë konflikt, ku mund të ngrinin dyshime se kjo mund të ketë qenë një vrasje e paramenduar. Në këto kushte, policia e ka klasifikuar momentalisht ngjarjen e mbrëmjes së të premtes si aksident me pasojë vdekjen nga një person ende i paidentifikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›