Topalli: Hyrja në NATO, një ndër momentet më të bukura
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në seancën e djeshme përshëndeti përfundimin e ratifikimit të protokollit të NATO-s me Shqipërinë nga 26 vendet anëtarë. “Më 17 shkurt të vitit 2009, në më pak se dhjetë muaj nga ftesa e Bukureshtit, parlamentet dhe senatet e 26 vendeve anëtare të Aleancës Transatlantike kanë votuar pro Shqipërisë, kanë votuar Shqipërinë e ndryshuar, kanë votuar kontributin e shqiptarëve, të burrave e grave të vendit tonë, kanë votuar reformat që kanë transformuar vendin”, deklaroi Topalli në fjalën e saj. Kryeparlamentarja shtoi se “një falënderim i veçantë i shkon Senatit të SHBA-së, Presidentit të SHBA-së, Dhomës së Madhe të Turqisë, të gjitha Dhomave të Ulëta dhe Senateve të vendeve të BE-së”. “Natyrisht që po të llogarisim kohën se kur ka filluar procesi i ratifikimit në parlamente dhe senate, do të shohim se ky ratifikim është bërë në një kohë rekord, të paimagjinueshëm. Vetëm në gjysmë të shtatorit nisi ky proces. Vendet e kësaj Aleance, që bënë të mundur mbylljen e këtij procesi në një kohë rekord. Për Shqipërinë dhe për shqiptarët ky është ndër momentet më të bukura”, theksoi Topalli.