E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Rusia do ta njohë pavarësinë e Kosovës

 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka sfiduar armiqtë e pavarësisë së Kosovës, duke deklaruar se edhe kundërshtari më i fortë i saj në strukturat ndërkombëtare, Rusia, do ta njohë shtetin e ri.Deklarata e Kryeministrit kosovar u bë në gazetën e përditshme më në zë të Beogradit, “Politika”. Me gjithë sigurinë se një hap i tillë do të merret, Thaçi tha se do duhet kohë, pasi kjo nuk mund të ndodhë shpejt, por sigurisht që ka lidhje edhe me Beogradin. “Nuk them se njohja nga Rusia do të ndodhë në ndonjë të ardhme të afërt. Por vendimi i Beogradit për ta njohë Kosovën do ta shpejtonte njohjen nga Moska”, ka cituar Kryeministri i Kosovës në intervistë. Por Thaçi tha se një vendim i tillë nuk është i pamundur të merret nga Moska edhe më parë se hapin ta hedhë Beogradi. “Nuk e përjashtoj mundësinë që Rusia të na pranojë si shtet të pavarur para Serbisë”, tha Kryeministri Thaçi.  Kjo deklaratë jep një sigurim më shumë për popullin e Kosovës se ajo që është arritur me shumë mund gjatë përpjekjeve shumëvjeçare nuk ka për t’u kthyer më pas, por do të shkojë edhe më tej. Kryeministri Thaçi e ka quajtur mashtrim padinë që i ka bërë pavarësisë së Kosovës dhe njohjeve nga shtetet e tjera Beogradi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. “Këmbëngulja e Beogradit, që të shqyrtojë vlefshmërinë dhe ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, paraqet vetëm një vazhdim të tendencës së mashtrimit të opinionit publik në Beograd”, ka cituar Thaçi në intervistë. “Procesi i pavarësisë ka filluar dhe asgjë nuk mund ta ndalë. Ftoj Serbinë, që ta njohë Kosovën e pavarur, në mënyrë që së bashku të shikojmë drejt të ardhmes euroatlantike, që varet nga raportet e të dy vendeve”, përfundoi ai.

Ishujt Maldive njohën Kosovën

Ishujt Maldive kanë njohur zyrtarisht shtetin e Kosovës, duke e çuar në 55 numrin e shteteve që e kanë hedhur këtë hap. Nëpërmjet një letre që ministri i Jashtëm i Maldiveve, Ahmed Shaheed i ka dërguar homologut kosovar Skënder Hyseni, thuhet se vendimi u mor pas shqyrtimit të rrethanave që i përkasin Kosovës dhe faktit se një numër i madh i vendeve e kanë njohur atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›