E rrallë, makinat fringo të Policisë mbesin në mes të rrugës
Disa mjete të sapoblera nga Policia e Shtetit shfaqin defektet e para
Thimi Samarxhiu
TIRANË - Ende pa u hequr nga qeset, makinat e sapoblera të Policisë së Shtetit kanë shfaqur problemet e para. Gjatë paradites së djeshme, rreth orës 12:45, tri nga makinat e reja të policisë kanë qenë të parkuara pranë një karburanti në kryqëzimin e Zogut të Zi dhe kishin ngritur kofanon. Tri nga gjashtë makinat kishin probleme me tubin e ujit, ky dy prej tyre ishin prishur, ndërsa e treta kishte probleme të tjera. Gjithashtu, edhe në autostradën Tiranë-Durrës, rreth orës 13:00, kanë mbetur kryq, në mes të rrugës, edhe dy makina të tjera, ndërsa policët kërkonin ndihmë për riparimin e defekteve.
Makinat me defekt
Gjashtë makina policie të markës “Chevrolet”, të vendosura në autokolonë, përshkuan rrugën “Mine Peza” për të shkuar në një pikë karburanti që ndodhet pranë Zogut të Zi. Trafiku u bllokua për t’u lënë rrugë të lirë automjeteve të reja të policisë, të cilat u prezantuan me shumë bujë vetëm pak ditë më parë. Me persona civilë në drejtim të tyre dhe me qeset e ndenjëseve ende të pahequra, makinat u rreshtuan përpara pikës së karburantit. Fillimisht u mendua furnizimi i tyre, por nuk ishte ajo e vetmja arsye. Tri nga 297 mjetet fringo, që i kushtuan shtetit shqiptar mbi 2 milionë euro, hapën kofanon. Dikush nga shoferët thirri një teknik për të parë se pse makina e tij ishte nxehur. Të ndodhur rastësisht në vendngjarje dëgjuam teksa tekniku tha se është prishur tubi që furnizon me ujë motorin. Por nuk mbaron me kaq. Ende pa përfunduar fjalën, edhe dy shoferë të tjerë deklaruan po të njëjtin problem.
Me bidonë 6-litroshë uji, shoferët filluan të mbushnin depozitat e shteruara të mjeteve, por sërish problemi nuk zgjidhej. U desh përveshja e mëngëve dhe futja e duarve në motor për të stabilizuar disi situatën. Për rreth 15 minuta, 3 makinat qëndruan përpara karburantit dhe më pas vazhduan sërish rrugëtimin e tyre nëpër Tiranë.
E njëjta pamje është shfaqur dhe në autostradën Tiranë-Durrës, ku dy makina kishin ndaluar buzë rrugës dhe kishin ngritur kofanon mesditën e djeshme, rreth orës 13:00. Lidhur me këtë rast ende nuk dihen arsyet e sakta të ndalimit të mjeteve të policisë, por besohet se ka qenë e njëjta arsye me 3 makinat në kryeqyteti.
Teksa shihje mjetet e kryqëzuara te Zogu i Zi, të cilat ende nuk ishin zhveshur nga qeset e fabrikës, mund të të shkonte në mendje që drejtuesit e tyre edhe mund t’i kishin harruar pa u hedhur ujë, gjë që dukej pak e besueshme pasi një defekt i tillë ndodhi në disa raste.
Parametrat e mjeteve
Kategoritë e makinave të destinuara për përdorim nga ana e policisë duhet të plotësojnë një sërë normash për t’u klasifikuar të tilla. Nuk mund të imagjinohet që një makinë policie, ende pa dalë mirë në rrugë, të shfaqë problemet e para. Askush nuk do të donte që këto makina, të markës “Chevrolet”, të mbeteshin në rrugë gjatë një aksioni për ndjekjen e ndonjë krimineli të rrezikshëm dhe të dorëzoheshin pa realizuar misionin për të cilin janë blerë.
Sipas specialistëve të kontaktuar nga ana e gazetës “Albania”, thuhet se makinat e policisë, në shumicën e rasteve, janë prodhime jashtë serie dhe nuk mund të jenë njësoj me makinat e përditshme. Sipas tyre, makinat e strukturave të rendit duhet të kenë shasi më të rëndë se makinat normale, parakolpi dhe prapakolpi duhet të jenë të lidhura me shasinë, në mënyrë që mos të ketë dëmtime gjatë ndonjë përplasje të mundshme. Një tjetër pikë ka të bëjë me fuqinë motorike të tyre. Këto makina duhet të kenë motor më të fuqishëm sesa makinat normale, pasi kjo gjë shërben për aksionet e ndjekjeve. Një tjetër gjë e rëndësishme është dhe stabiliteti në rrugë. Sipas mekanikëve, makinat e policisë duhet të futen në kthesa minimalisht me 60 km në orë dhe të mos kenë asnjë humbje ekuilibri. Në fund ata shtojnë se makinat e sapoblera nga ana e policisë duket se nuk janë aq të përshtatshme për kryerjen e operacioneve policore, gjë që mund të ketë ndodhur edhe për faktin se shteti mund të ketë bërë një përzgjedhje të tillë.
Tenderi 2.1 milionë euro
Që në fillimet e tij, tenderi për blerjen e këtyre makinave u përfol gjatë si një skandal. Sipas mediave, “Agjencia e Prokurimeve Publike ka hapur tenderin, më pas e ka anuluar, duke e cilësuar të pavlefshëm, ndërsa disa muaj më vonë, duke mos zhvilluar asnjë tender të ri, shpall fituese një kompani nga ato të cilësuara herën e parë si të parregullta”. Kështu, më datë 29 korrik 2009, Ministria e Brendshme ka shpallur tenderin për blerjen e 297 automjeteve për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë duke ngjallur interesin e katër kompanive koncesionare në vend, të cilat kanë dorëzuar pranë këtyre institucioneve dokumentacionin me ofertat përkatëse. Pas shqyrtimit të ofertave, nga gara skualifikohen dy kompani koncesionare, të cilat menjëherë pas kësaj i drejtohen Agjencisë së Prokurimeve Publike duke ankimuar vendimin. Por, pas marrjes në shqyrtim të ankesës së kompanive, më datë 10 shtator 2009, APP-ja vendos ta pezullojë përkohësisht tenderin dhe ka nisur hetimin duke kërkuar informacion shtesë nga Ministria e Brendshme në lidhje me pretendimet e shoqërive. "APP, pasi mori në shqyrtim ankesën e operatorëve ekonomikë për skualifikimin e padrejtë të tyre dhe kualifikimin në kundërshtim me ligjin të dy operatorëve të tjerë, me shkresën nr.prot 12250/1, datë 10.09.09 pezulloi procedurën e mësipërme të prokurimit si dhe kërkoi informacion nga autoriteti kontraktor për pretendimet e ankuesve", - citohet në vendimin e APP-së me nr. protokolli 12250/3 datë 29 tetor 2009. Pas kësaj letre, Ministria e Brendshme i përgjigjet APP-së duke e arsyetuar vendimin e saj me pamundësinë që kanë kompanitë e skualifikuara për ta furnizuar me makina të tipit të kërkuar. Pasi përfundoi hetimin, më datë 29 tetor, Agjencia e Prokurimeve Publike vendosi anulimin e tenderit për blerjen e makinave me arsyetimin se gjatë zhvillimit të tij nuk ishin plotësuar procedurat e garës. Me gjithë se kishte shpallur anulimin e tenderit për blerjen e 297 makinave për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Agjencia e Prokurimeve Publike shpall në buletinin e saj të datës 23 nëntor 2009 fituesin e këtij tenderi. Në njoftimi e saj të datës 23 nëntor 2009, APP-ja bënë të ditur se për lotin I: Blerje autovetura për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit me vlerë 290 688 750 lekë pa TVSH, është shpallur fituese shoqëria “NOSHI” sh.p.k., e cila kishte bërë dhe ofertën më të mirë për këto automjete, duke e zbritur fondin limit të ofruar nga 370 792 500 lekë në 290 688 750 lekë.
Prezantimi i bujshëm në 97-vjetorin e Policisë
Tri ditë më parë, në 97-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, në një ceremoni të bujshme, përpara stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, Policia e Shtetit prezantoi 297 makinat e sapoblera me fonde nga buxheti i shtetit për Policinë e Shtetit. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe drejtues të tjerë të strukturave vendore të Policisë. Gjatë fjalës së tyre, Peka dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, evidentuan faktin se është hera e parë që bëhet e mundur blerja e një sasie të tillë kaq të konsiderueshme automjetesh për Policinë e Shtetit. Po ashtu, ata theksuan se të 297 automjetet, që llogariten përafërsisht sa ¼ e mjeteve në inventarin e Policisë së Shtetit, do të vihen në dispozicion vetëm për shërbimet policore në bazë. “Kjo sasi automjetesh do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e performancës së shërbimeve policore në parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit”, - theksoi Burgaj. 90 nga automjetet e reja, të financuara nga buxheti i shtetit, u janë shpërndarë drejtorive të policive në qarqe për t’u vendosur në dispozicion të strukturave të shërbimit të Policisë Rrugore. Ndërsa pjesa tjetër do të jetë në dispozicion të strukturave të shërbimit të Patrullave të Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
16 Janar 2010