E Diel, 1 Nëntor 2026

Agron Bala: “Ruzhdia”, humbje për shqiptarët jo politikën

Autori i Lajmit: S.T

Agron Bala, drejtues i emisionit 7x7

Hetimi i prokurorisë dhe faktet e nxjerra prej saj për kutinë e Ruzhdies mendoni se janë të dhëna në favor të socialistëve apo demokratëve?
Në radhë të parë, dua të kujtoj se në të gjitha zgjedhjet që zhvillohen në këtë vend, do të dalë një “casus belli”, që përdoret nga të dy palët: njëra për të mbrojtur rezultatin dhe tjetra për ta kontestuar atë. Tragjikomizmi i këtyre zgjedhjeve është fakti që komuna, fshatra apo lagje krejtësisht të panjohura kthehen në qendër të politikës së ditës. Është i vetmi rast që ato të bëhen të njohura. Kësaj radhe doli emri Ruzhdie, që deri dje as që e njihte njeri ku ndodhej qoftë edhe gjeografikisht. Kjo është ana komike. Ndërsa ana tragjike është fakti se politika shqiptare vazhdon të përdorë të gjitha mjetet për të mbrojtur ose kontestuar gjithçka që vetë e kanë prodhuar. Ndaj, mendoj se këtu nuk ka as të fituar, as të humbur nga palët në konflikt. Të humbur jemi ne, qytetarët e këtij vendi. Preferoj ta mbyll përgjigjen e pyetjes suaj me shprehjen “qesh, se nuk mund të qaj”
Si mendoni se duhet të veprojë opozita pas futjes në Kuvend, duhet të vazhdojë të këmbëngulë për hapjen e kutive apo mendoni se duhet të ndjekë rrugën institucionale dhe të kërkojë hetimin nga prokuroria, siç ndodhi për rastin e Ruzhdies?
Mendoj se opozita ka të drejtë të kërkojë të gjithë transparencën e duhur për zgjedhjet. Problemi është ku dhe si duhet ta kërkojë këtë. Unë mendoj se ajo duhet të jetë pjesë e përhershme e Parlamentit dhe të kryejë detyrën e saj, për të cilën kanë votuar qytetarët shqiptarë. Nga ana tjetër, nuk e kuptoj përse opozita nuk kërkon mjetet ligjore, që për mendimin tim ekzistojnë, të realizojë qëllimin e vet për hapjen e kutive. Nëse vërtet ajo do të donte të hapte kutitë, mund ta bënte këtë fare thjeshtë: një padi në Prokurorinë e Përgjithshme ose ti drejtohej Komisionit të Venecias për interpretim. Fakti që ajo nuk e bën këtë tregon, për mendimin tim, se me tepër se fakte juridike, opozita kërkon luftën politike. Por, nuk do të përjashtoja këtu edhe një iniciativë të vetë prokurorisë për ta bërë këtë gjë. Nëse duam demokraci, duhet të duam që institucionet e saj të funksionojnë.
E vërteta e dalë nga hetimi për shkeljet e bëra në fshatin Ruzhdie, por dhe në Shkodër, sa e cenon në tërësi procesin zgjedhor të 28 Qershorit?
Unë, si çdo qytetar, kam ndjekur me vëmendje procesin zgjedhor në vend. Për mendimin tim, ka qenë procesi më i mirë, më i qetë dhe më demokratik që është zhvilluar në këtë vend. Natyrisht, një mendim me profesional kanë dhënë “arbitrat” ndërkombëtarë. Si specialistë të fushës, ata e kanë dhënë mendimin e tyre në raportet përkatëse. Shkelje ka pasur, por për mendimin tim ato nuk kanë cenuar rezultatin e zgjedhjeve. Jam për hetimin e tyre, por në një kuadër juridik, jo politik. Vetëm nëse interpretimet politike do të bëhen nga politika dhe ato juridike nga drejtësia, kjo krizë, me shumë e stisur se e vërtetë, mund të zgjidhet!

Ky lajm është publikuar: 05/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›