E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Në BE nuk shkohet me këngën e Ruzhdies”

Autori i Lajmit: S.T

Debati i iniciuar nga Partia Socialiste për hapjen e kutive të votimit në Ruzhdie është cilësuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim si një refren, që nuk i shërben integrimit të vendit. Sekretari për Marrëdhëniet Publike në LSI, Luan Rama, u shpreh se retorika boshe që e shoqëron këtë debat, dëshmon edhe një herë se sa refraktar dhe inkoherent është qëndrimi i lidershipit socialist. “Procesi kompleks i reformave integruese dhe evropianizuese të vendit ka nevojë për angazhimin dhe kontributin e të gjithë aktorëve politikë parlamentarë, pra domosdoshmërisht edhe për Partinë Socialiste dhe rolin e saj si opozitë e votuar. Mirëpo debati i pavend, nën refrenin e Rushdies dhe retorika boshe që e shoqëron atë, dëshmojnë edhe një herë se sa refraktar dhe inkoherent është qëndrimi i lidershipit socialist, i cili i vënë tërësisht nën tutelën e interesave të ngushta të Kryetarit josocialist të Partisë Socialiste, po përpiqet që, pasi e transferoi krizën e kryetarit në Partinë Socialiste, ta transferojë atë edhe në institucionet legjitime të vendit”, - tha Rama. Ai shtoi se vendi ka nevojë për reforma që përshpejtojnë procesin e integrimit evropian, ka nevojë për pjesëmarrje në institucionet politikëbërëse dhe për kontribute që e ndihmojnë dhe jo që e pengojnë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. “Vendi ka nevojë për alternativa konkurruese dhe jo për gjuhë kërcënuese dhe ultimative. Vendi ka nevojë për opozitë evropiane që faktorizohet politikisht duke mbrojtur interesat e qytetarëve dhe jo për opozitën e rrugës që, duke sajuar pretekste gjithfarësh, po shfaq papërgjegjshmëri përballë interesave të vendit dhe papjekuri politike përballë rekomandimeve të partnerëve ndërkombëtarë”, - tha sekretari për Marrëdhëniet Publike në LSI.

PS: “Rritja e borxhit publik do të rritë taksat për shqiptarët”
Partia Socialiste paralajmëron se rritja e borxhit publik, për shkak të keqpërdorjes së buxhetit nga Qeveria, do të sjellë shumë shpejt rritjen e taksave për qytetarët. Deputetja Ermelinda Meksi tha se kriza ekonomike në vend po thellohet duke sjellë rritje të varfërisë dhe më shumë papunësi në vend, tregues që sipas saj, do të përkeqësohen edhe më në të ardhmen e afërt nga efekti zinxhir që do të ketë rritja e çmimeve të energjisë. Meksi shtoi se efektet e krizës janë ndjerë që në fillimet e vitit 2009 nga shqiptarët dhe janë evidentuar nga opozita dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Sipas saj, ato u pranuan vetëm në muajin janar 2010 nga qeveria, kur iu desh të ngrinte 20% të shpenzimeve në javën e tretë të muajit të parë të vitit 2010. “Nëse u referohemi shifrave zyrtare, deficiti buxhetor në 2009 ishte rreth 160% ose rreth 30 miliardë lekë (rreth 300 milionë dollarë) më shumë kundrejt buxhetit fillestar të planifikuar nga qeveria ose shtesa e deficitit të krijuar në 2009, është afërsisht sa borxhi që kjo qeveri po përpiqet të marrë nëpërmjet eurobondit”,- ka deklaruar deputetja e PS-së. Meksi shtoi se, kur një qeveri rrit shpenzimet, pa mundur të rrisë të ardhurat sipas programit të saj dhe ngrin shpenzimet e planifikuara që në muajin e parë të vitit, pra dy muaj pas aprovimit të buxhetit, atëherë ajo nuk di të qeverisë. “PS bën me përgjegjësi qeverinë dhe Kryeministrin që nuk ka dhënë asnjë argument mbi shkaqet e mosrealizimit të të ardhurave buxhetore të 2009”,- u shpreh Meksi. Deputetja e PS-së u ndal dhe në rritjen e çmimit të energjisë, e cila veç faturave të rritura për qytetarët do të ketë efekt zinxhir në koston e shumë mallrave të tjera të konsumit të prodhuara në Shqipëri duke ulur konkurrueshmërinë e tyre dhe të bizneseve shqiptare. “Qytetarët po paguajnë përveç çmimeve të rritura edhe abuzimin e kompanisë tjetër monopol tashmë private, OSSH, e cila në synimin për fitime monopol, ka pasur në krah qeverinë si bashkëpronare të 25% të aksioneve të saj që u kujtua nëpërmjet Ministrisë së Energjetikës vetëm një muaj e gjysmë pasi kishte ndodhur faturimi i 10- ditëshit të fundit të dhjetorit me çmimet e kripura të janarit”, - u shpreh Meksi. Deputetja e PS-së u shpreh se shpenzimet e larta të qeverisë nuk sigurojnë dot as të ardhurat për të mbajtur veten. “Sepse tejkalon shumë shpenzimet korrente ndaj të ardhurave tatimore, me gjithë retorikat “qeveri në dietë” dhe merr borxh për të mbuluar deficitet e mëdha të buxhetit, na sinjalizon se kriza po i thellon efektet e saj”,- u shpreh Meksi.

Ky lajm është publikuar: 05/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›