Agron Duka: Rama ka gabuar me listat, kjo mund të mos sjellë rrotacionin
Ish- ministri i Bujqësisë, Agron Duka, në një intervistë për News24, shpjegon se përse u la jashtë listave të kandidatëve të Partisë Socialiste.
Nuk besoj se duhet shumë kohë për të thënë gjithë bisedat që kemi bërë njëri me tjetrin se janë bërë publike. E rëndësishme është se z. Rama më bëri ftesë në vitin 2009, që unë të vazhdoja të jepja kontributin tim në PS. Nuk më përfshiu në listat e PS, pasi kishte frikë se PS mund të merrte kosto prej meje nga akuzat që më ishin bërë gjatë qeverisjes së saj. Pasi ai u bind se të gjitha ato që thuheshin për mua nuk ishin të vërteta, pastaj më ftoi që unë të jap kontributin tim. Në fillim unë e kam refuzuar dhe, rreth një vit më vonë, ai më bëri ftesë publike duke më kooptuar në Asamblenë Kombëtare. Por unë nuk isha as anëtar i PS dhe kështu mora kartonin e partisë në një organizatë socialiste në Shijak. Unë vazhdova të kontribuoj në PS, por shihja një farë ftohtësie nga PS në Durrës. Ishin këta post Nano-t, i thashë që unë nuk e gjeja veten atje. Ai më tha që të mos merresha me ta, por të vazhdoja punën duke punuar me zonën. Pastaj pati një cedim nga kjo, duke më thënë se meqenëse ju jeni dy kunetër në të njëjtin koalicion dhe në të njëjtin qark, sepse Lefter Koka është kunati im, thotë Duka, duke shtuar se u ndje i lënduar kur Rama i tha që të shkonte i pesti në Berat.
Duka thotë se rrotacioni mund të mos ndodhë me gabimet që ka bërë Rama në lista.
Me gabimet, jo thjesht për faktin që hoqa unë nga lista e PS, me gabimet që u bënë dhe me mënyrat se si po bëhen fushatat Po mundohem të adaptohem me fushatën që po bën PS, por gjykoj që mund të mos bëhet rrotacioni dhe të ketë një vazhdimësi të pushtetit, tha Duka.
Unë gjykoj se z. Rama ka pasur preferenca të vetat personale. Ndoshta mendoj se është ai gabim si në 2009-n, që para se të fitojë, mendon se tashmë është bërë kryeministër dhe mendon ta ndajë pushtetin me njerëz që ka përreth dhe jo me Milon e Gjinushin. I kam miq, nuk dua të flas në emër të tyre, por mendoj se ata nuk kanë besim në kontratën që kanë bërë me PS./ep