Berisha e Basha përdorin investimin e BERZH për fushatë. Kryeministri: E nxorëm Tiranën nga ndotja kancerogjene
Ashtu siç ndodhi në mitingun e ditës së hënë, duket se këtë fushatë në Tiranë për Partinë Demokratike do e drejtojë Lulzim Basha.
Të martën në mëngjes ai është shfaqur krah kryeministrit Sali Berisha, duke përdorur një investim të BERZH për kontrollin e trafikut në Tiranë, për të bërë politikë dhe fushatë.
Në fillim foli Lulzim Basha, që tha se qeveria e Berishës e ka ndihmuar Bashkinë e Tiranës me fonde.
Ai tha se shumë projekte do ishin të pamundura pa ndihmën e qeverisë.
Më pas foli kryeministri Sali Berisha, që vlerësoi punën e Bashës, duke thënë se ai ka arritur të pastrojë ajrin në Tiranë.
Berisha tha se është bërë një punë e shkëlqyer me sheshin Skënderbej.
Kryeministri sulmoi ish- kryebashkiakun Edi Rama dhe si në çdo fjalim kudo që është, hodhi edhe nja dy akuza për Koço Kokëdhimën.
Ajo është aleanca e amalgamës të të gjitha llojeve e gjërave që nuk i shërbejnë Shqipërisë, tha Berisha.
I bindur edhe vetë se Basha nuk ka bërë aq sa të kënaqë banorët e Tiranës, Berisha premtoi se do mbështesë të gjitha projektet e Bashkisë, ndërsa tha se ka shumë punë për të bërë.
E nxore Tiranën në një hark kohor të shkurtër nga harta e qyteteve thellësisht kancerogjene, mbylli fjalën Berisha./ep