Agron Kucana përball ligjit amerikan të imigracionit
Një imigrant shqiptar i cili nuk arriti të paraqitej në
seancën përfundimtare të gjykimit të çështjes së tij për azil ka tani një
tjetër shans të luftojë vendimin për deportimin e tij. Gjykata e Lartë
amerikane vendosi të mërkurën që gjykatat e shkallëve më të ulta mund të
rishikojnë refuzimin e bordit të imigracionit për të rihapur çështjen e tij.
Agron Kucana mbërriti në seancën e çështjes të tij gjyqësore për azil pak pasi
gjykatësi i imigracionit urdhëroi deportimin e tij. Ai i kërkoi gjykatës të
rihapte çështjen duke shpjeguar se e kishte zënë gjumi dhe se nuk i kishte rënë
alarmi i zgjimit. Por kërkesa e tij u hodh poshtë. Në vitin 2006, ai kërkoi
përsëri rihapjen e çështjes duke thënë se kushtet ishin keqësuar në Shqipëri.
Bordi i Apeleve të Imigracionit e hodhi poshtë kërkesën e tij ndërsa një
gjykatë e një shkalle më të ulët tha se nuk kishte juridiksion për të rishikuar
vendimin e bordit. Me vendimin e
Gjykatës së Lartë amerikane në favor të azilkërkuesit, çështja do të mund të
rihapet dhe përballja e tij me ligjin do të vazhdojë duke mbajtur pezull
vendimin për deportimin e tij.//rd//