E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva, rrezikohet përplasja me policinë

Policia e kryeqytetit paralajmëron se do të dërgojë për ndjekje penale organizatorët e bllokimit të bulevardit Incidentet e shënuara për dy ditë dhe masat e marra nga Drejtoria e Tiranës

Hyrja në grevë e deputetëve socialistë dhe e qytetarëve në mes të sheshit para Kryeministrisë mund të sjellë përplasje mes shtetit dhe protestuesve. Policia e Shtetit është shprehur qartë se nuk do ta lejojë bllokimin e bulevardit për qarkullimin e mjeteve dhe se do të dërgojë për ndjekje penale organizatorët e grevës, duke u dhënë ultimatum që të marrin masa për zhbllokimin e rrugës. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Drejtoria e Policisë së Qarkut të Tiranës ka deklaruar se veprime të tilla që pengojnë qarkullimin e mjeteve, përbëjnë vepër penale.

Policia kërkoi njoftim për çdo ditë tubimi

Sipas policisë kryeqytetase, Partia Socialiste është njoftuar nga policia për marrjen e masave për sigurimin e rendit dhe qetësisë, gjatë zhvillimit të tubimit të kërkuar prej saj, në sheshin “Skënderbej” dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, më datë 30.04.2010, ora 15:00. Gjithashtu, policia sqaroi se me shkresën nr. 2364/5, datë 29.04.2010, i ka kujtuar Partisë Socialiste se për vazhdimin e tubimeve është e nevojshme që të dërgojnë njoftim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës, për çdo ditë tubimi. Më tej, policia shpjegoi se në kuptim të nenit 5, pika 2, germa C të ligjit “Për Tubimet”, nuk parashikohen tubime që zgjasin më shumë se një ditë. Në lidhje me tubimin e djeshëm, policia tha se u zhvillua normalisht dhe në bashkëpunim me organizatorët, mori masa të plota për mbarëvajtjen e tij. Policia deklaroi se pas tubimit, një grup prej 30–40 personash kanë prishur rendin dhe qetësinë publike në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit dhe në vazhdim edhe në bulevardin “Zhan D’ark” dhe “Bajram Curri”, duke shkatërruar disa objekte të reklamave të qytetit. “Forcat e policisë bënë të mundur shoqërimin e 23 prej tyre në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë dhe pas kryerjes së veprimeve të nevojshme procedurale, ata u lanë të lirë, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës për veprat penale të prishjes së rendit e qetësisë publike dhe shkatërrimit të pronës”, deklaroi policia.

Paralajmërimi për bllokimin e bulevardit

Pas përfundimit të tubimit, policia shpjegoi se grupi parlamentar i Partisë Socialiste, rreth orës 21:30, komunikoi hyrjen e një grupi deputetësh dhe qytetarësh në grevë urie, duke vendosur çadra dhe improvizuar një vend për zhvillimin e grevës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit, ndërmjet godinave të Kryeministrisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, duke bllokuar plotësisht këtë bulevard, për kalimin e mjeteve dhe këmbësorëve. “Në të gjitha njoftimet që Partia Socialiste ka dërguar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës nuk ka kërkuar mbështetjen e policisë për këtë përshkallëzim të protestës, me qëllim që policia të marrë masat e saj në zbatim të ligjit. Sqarojmë opinionin publik se, veprime të tilla që pengojnë qarkullimin e mjeteve të transportit, përbëjnë veprën penale të parashikuar nga nenin 293 i Kodit Penal. U kërkojmë organizatorëve të grevës që të marrin masa për zhbllokimin e bulevardit dhe lënien e lirë të mjeteve të transportit”, ka paralajmëruar policia. Në lidhje me këtë, burimet policore shpjeguan se mund të ndërhyhet për zhbllokimin e bulevardit kryesor, me qëllim që mjetet të qarkullojnë lirshëm.

Përballja e mitingut me koncertin festiv

Dje, policia ishte lajmëruar edhe për një koncert festiv i organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në sheshin “Nënë Tereza”. Policia e Tiranës tha se kishte marrë masa, në bashkëpunim me organizatorët për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, i cili u zhvillua pa incidente. “Dje, rreth orës 11:00, një grup simpatizantësh që mbështesin grevën e urisë të grupit të deputetëve socialistë, tentuan të bllokojnë bulevardin ‘Bajram Curri’, mbi Urën e Lanës dhe të konfrontohen me qytetarë të tjerë, të cilët po shkonin në aktivitetin tjetër që po zhvillohej në sheshin ‘Nënë Tereza’. Me ndërhyrjen e forcave të policisë, situata u normalizua pa incidente të rënda. Nga ana tjetër, mësohet se policia i kishte kërkuar qeverisë që të anulonte koncertin festiv për shkak të frikës së përplasjeve. Megjithatë, kjo nuk është pranuar nga organizatorët. Në këto kushte, policia është detyruar të marrë masa, që nga mbikalimi i Kamzës dhe nga Sauku deri në sheshet përkatëse, ku zhvilloheshin aktivitetet. Punonjësit e policisë, me kordonë, janë munduar të drejtojnë të gjithë personat që mbërrinin në Tiranë, për t’i drejtuar drejt vendeve për ku ishin nisur.

Plagosja e minatorit përballë Kryeministrisë

Sipas policisë, edhe Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë ka zhvilluar një tubim përpara Ministrisë së Punës dhe Shanseve të Barabarta dhe më pas kanë lëvizur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri në afërsi të Kryeministrisë. Sipas saj, ky tubim është zhvilluar pa incidente, por ka rezultuar e kundërta. Rreth orës 11:00, minatorët i janë afruar kordonit të policisë, që është vendosur para godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në një moment, ata i janë afruar shumë kordonit dhe policia shtyu minatorët për t’i larguar. Mësohet se gjatë kësaj kohe, një qytetar është lënduar. Petraq Gjylameti ka pësuar plagë të vogla në kokë dhe në dorë. Në një prononcim për mediat, Gurameti, sekretar i minatorëve të Përmetit, tha se ishte goditur nga policia. Qytetari mori ndihmën e shpejtë nga ekipi i mjekëve që ndodheshin aty. Minatorët i ishin bashkuar rreth orës 10:00 protestuesve të opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në një deklaratë për shtyp të pak ditëve më parë, Fiqiri Xibri, kreu i Sindikatës së Minatorëve, deklaroi se minatorët do të jenë në shesh më 1 Maj por jo për të festuar arritjet me Berishën, por për statusin e minatorit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›