E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Qeveria të sqarojë opinionin për Trebickën

Kryetari i Asamblesë Socialiste shprehet se PS nuk akuzon askënd për vdekjen e Trebickës pa pasur përfundim të hetimeve

Një ditë pas ngjarjes tragjike ku humbi jetën dëshmitari “kyç” i skandalit të trafikut të armëve, biznesmeni Kosta Trebicka, Partia Socialiste duke iu shmangur çdo interpretimi të nxituar, kërkon për të dytën herë nga qeveria që të sqarojë opinion publik mbi të vërtetën që lidhet me këtë vdekje misterioze. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të socialistëve, Gramoz Ruçi, në një dalje të posaçme për mediat nuk ka nxituar që të fajësojë askënd për këtë ngjarje, por ka kërkuar nga kryeministri Berisha si i prekur direkt nga dëshmia që dha muaj më parë Trebicka, që të informojë shqiptarët për rrethanat në të cilat ka ndodhur vdekja e biznesmenit. “Që në fillim dua të përsëris se PS nuk mund të fajësojë askënd për këtë vdekje tragjike. Ashtu siç duhet theksuar se njeriu që ka vdekur në mënyrë misterioze është një dëshmitar i rëndësishëm në çështjen e trafikut të municioneve që organizoi kjo qeveri. Dëshmia publike e qytetarit të mirë Kosta Trebicka, cenoi drejtpërdrejtë qeverinë e Sali Berishës, për këtë arsye kjo qeveri ia ka borxh publikut të gjerë sqarimin e rrethanave të vdekjes së tij. Qeveria nuk mund të mjaftohet me publikimin e disa të dhënave sporadike e të paplota të ekspertizës, por duhet të sqarojë publikun për të vërtetën jo vetëm të kësaj tragjedie, por edhe të gjitha fijeve që e lidhin atë me skandalin për trafik armësh të disa qeveritarëve e të afërmve të tyre. Sali Berisha duhet të sqarojë shqiptarët e jo të heshtë”, - tha Ruçi.

PYETJET E RUÇIT

A ishte Kosta Trebicka njeriu kurajoz, që i tha Shqipërisë një të vërtetë të frikshme, viktimë e ligjit të zi mafioz që thotë: KUSH FLET VDES?

Përse nuk po flet Kryeministri?

Përse po hesht njeriu direkt i akuzuar për përfshirje në skandal?

Çfarë po i mbyll gojën njeriut që flet për gjithçka e për çdo gjë?

Kush ishte i interesuar të mbyllej kjo gojë?

Kush ishin kërcënuesit e tij?

Si ka mundësi që qeveria nuk mbron jetën e dëshmitarëve kyç të çështjes së Gërdecit?

Përse nuk mbështet Prokurorinë e Republikës në hetimin e ngjarjeve të Gërdecit, trafikun e armëve dhe tashmë në zbardhjen e rrethanave të vdekjes së qytetarit të mirë Kosta Trebicka?

Me ç’moral Sali Berisha ju kërkon qytetarëve të këtij vendit që të denoncojnë korrupsionit, kur denoncuesit vdiskan kaq kollaj?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›