E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trebicka smbrohej, pasi nuk ishte ankuar për kanosje

Prokuroria e Përgjithshme kërkon grup ekspertësh amerikanë për hetimin e vdekjes

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme ka pranuar dje se Kosta Trebicka nuk mbrohej, edhe pse ishte dëshmitari kyç i çështjes së Gërdecit. “Organi i akuzës nuk ka disponuar informacione që vinin në rrezik jetën e biznesmenit Kosta Trebicka dhe as vetë ai, nuk ka parashtruar para këtij institucioni një shqetësim të tillë për vënien në rrezik të jetës së tij, pas dëshmisë në lidhje me skandalin e demontimit të municioneve dhe trafikut të fishekëve”,-tha dje nëpërmjet një njoftimi për shtyp zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme.Organi qendror i akuzës bën me dije se ka administruar në dosje të gjithë dëshminë e Kosta Trebickës si dhe përgjimet e kryera prej tij, dëshmi kjo e dhënë më 3 dhe 4 prill të këtij viti. “Grupi i hetimit, i përbërë nga prokurori Sokol Stojani në bashkëpunim me prokurorët e rrethit të Korçës ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë fiksuar çdo provë që lidhet me ngjarjen. Në vazhdim të veprimeve hetimore, nga organi i akuzës është sekuestruar dhe bllokuar automjeti tip “Nissan PATROL 4x4”, kabriolet, me ngjyrë të kuqe dhe me targë “TR 8843 J”, në pronësi të viktimës Kosta Trebicka, i gjetur në vendngjarje”,-thuhet nga komunikata zyrtare e organit të akuzës. Gjithashtu, mësohet se janë pyetur familjarët e viktimës dhe disa dëshmitarë që kanë pasur dijeni për rrethana se si është ndodhur dhe gjetur trupi i viktimës në vendin e ngjarjes rreth 6 km larg fshatit Gjergjovicë dhe rreth 3 km larg fshatit Voskopojë të qytetit juglindor të Korçës. “Prokuroria e Përgjithshme, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje, nëpërmjet Ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ka bërë kërkesë që është pranuar për vënien në dispozicion të një grupi ekspertësh me njohuri të posaçme për të dhënë kontributin e tyre në ekzaminimin e ngjarjes dhe trupit të viktimës”,-thuhet nga prokuroria. Edhe Policia e Shtetit e ka konsideruar aksidental, shkakun e vdekjes së dëshmitarit Trebicka

Mjekësia Ligjore: Trebicka vdiq nga trauma aksidentale

TIRANË- Instituti i Mjekësisë Ligjore nxjerr përfundimet e autopsisë, duke njoftuar se shkaku i vdekjes së Kosta Trebickës ka qenë shembja e kokës dhe e gjoksit, e shoqëruar me dëmtime të trurit dhe mushkërive nga mekanizmi i goditjes, duke e cilësuar këtë goditje si karakteristike për aksidentet automobilistike. Sipas drejtorit të Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj, ekzaminimi i kufomës së shtetasit Kosta Trebicka është kryer në morgun e Spitalit rajonal të Korçës, duke filluar nga ora 22:00 e mbrëmjes së premte deri në 00:03 të mesnatës duke gdhirë dita e shtunë. “Ngakryerja e këtij ekzaminimi mjeko-ligjor ka rezultuar: se kufoma i përket shtetasit Kosta Trebicka, i moshës 52 vjeç. Nga analiza paraprake mjeko-ligjore e veçorive të dëmtimeve të jashtme dhe atyre të brendshme është konstatuar se shkaku i vdekjes së viktimës ka qenë “politrauma” e shoqëruar me “kontuzion” (shembje) të kokës dhe të gjoksit, të shoqëruar me dëmtimet e organeve përkatëse gjatë mekanizmit të goditjes-përplasjes, karakteristikë kjo e traumave automobilistike”,-thuhet në njoftimin zyrtar të drejtorisë së Institutit të Mjekësisë Ligjore, të firmosur nga 4 ekspertë mjeko-ligjorë. Mësohet se nga ky grup i ekspertëve, përveç nxjerrjes së këtyre konkluzioneve në dosjen e autopsisë kanë administruar edhe të dokumentuara me fotografi të gjitha këto dëmtime të konstatuara gjatë kryerjes së ekzaminimit të kufomës si dhe janë marrë mostra (materiale) të nevojshme për ekzaminime të mëtejshme laboratorike. Gjatë ditës së djeshme, edhe Policia e Shtetit e ka konsideruar aksident vdekjen e Kosta Trebickës, duke paraqitur si prova disa dëshmi që kanë deklaruar se ai ndodhej i vetëm në Lekas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›