E Diel, 1 Nëntor 2026

Agron Çobani: Jeta ime në RTSH, mes dy sistemesh



Alma Mile

Ai e shtrydh humorin edhe aty ku situata është dramatike. është e vështirë të largosh buzëqeshjen nga fytyra, teksa flet me Agron çobanin. Jeta e tij prej gazetari e drejtuesi të Radio Televizionit Shqiptar është e mbushur plot histori, të cilat ai i tregon në mënyrë gazmore edhe kur janë të trishta. Qëlloi që kur RTSH mbushi 50 vjeç, çobani të botonte librin “Ju flet Tirana- Kujtime, histori, personazhe”. është gjithë jeta e tij në libër, qysh kur me pantallona doku e një xhaketë të zbardhur nga dielli ngjiti shkallët e Radio Tiranës, për të vijuar me punën e tij si gazetar e drejtues për vite të tëra sa në radio, ashtu edhe në televizionin shqiptar. Tregon për kohërat e censurës, largimin në Martanesh, drejtimin e RTSH-së në vitin 1992, kur u mbajtën të parat zgjedhje pluraliste e shumë ngjarje të tjera. Në një intervistë çobani tregon për të gjitha këto.
Z. çobani, sapo keni publikuar një libër kujtimesh, lidhet ky botim me 50-vjetorin e RTSH-së?
Ishte një përkim. Me RTSH-në më lidh një përvojë e gjatë, me kujtime të bukura e të hidhura, një punë e vështirë, e kënaqshme, e bërë me entuziazmin rinor në një kohë të caktuar, por për të cilën nuk jam penduar kurrë. Tani duke e parë nga larg, nxitur edhe nga miqtë e mi, i hyra kësaj pune. Në fillim me përtesë, me dyshime, por më në fund e mbarova. Sapo ka dalë në qarkullim nga shtëpia botuese “Toena”. Disa miqtë e mi që e kanë lexuar me nxitim, më thonë se është libër i mirë dhe unë jam i kënaqur.
Ju thatë se ju lidh një jetë me RTSH-në, ku jeni fokusuar më së shumti në librin tuaj?
Libri titullohet “Ju flet Tirana”, sugjeruar nga miku im Kiço Blushi. Kjo emblemë i përket më së shumti radios dhe televizioni duket sikur ka dalë ca mënjanë, kur në të vërtetë zë gjysmën e librit. Fillon në vitin 1936, kohë kur filluan përgatitjet sipas një dekreti të Mbretit Zog, për ngritjen e Radio Tiranës, e cila u dëgjua për herë të parë në 28 nëntor ‘38. Pastaj rifilloi në 17 nëntor ‘44, kur brigadat partizane hynë në Tiranë. Në këtë periudhë, që është më e pakta, jam munduar të fus personazhe, njerëz të rëndësishëm të kulturës dhe artit shqiptar, që kanë qenë pjesë, apo kanë bashkëpunuar me Radio Tiranën. Kam parasysh këtu Tefta Tashkon, Marije Krajën, Mihal Popin, por edhe agronomë, mjekë, inxhinierë, shkrimtarë, etj. Radioja ishte qendra e vetme kulturore-artistike dhe e mbajti këtë vlagë, deri sa në 1960-ën, në prag të 1 Majit filloi nga puna qendra eksperimentale e televizionit, që transmetonte tri herë në javë, deri sa erdhi në godinën e re, ku filloi transmetimin ditor, disa orësh e më pas 24 orë. Deri vonë RTSH-ja ka qenë një portë e madhe, pasi edhe ata që janë sot VIP-a në televizionet e tjera kanë dalë që aty, që nga Gjebrea, Krasta, Fevziu, regjisorët e njohur Albert Minga, Mevlan Shanaj, Vera Grabocka, të cilët e duan nënën, edhe pse tani është plakë. Libri ka disa fragmente të futura ndër kapituj, të cilat i kam quajtur “Ndërkallje” (Intermexo), ku përfshihen ngjarje të jetës sime. Janë ngjarje të vërteta. Ka pak letërsi, pak humor, gjithsesi lexuesi do ta vlerësojë...
Si e kujtoni ditën e parë në radio?
Kam filluar të bashkëpunoj në radio qysh i vogël, në emisionet e fëmijëve, të rinisë. Por me ditën e parë e kam nisur edhe librin. Kisha veshur një palë pantallona doku, me një xhaketë kadife ngjyrë saks, por që nga dielli kishte marrë si ngjyrë uthulle. Aty u takova për herë të parë me drejtorin Thanas Nano, me kolegë më të moshuar se unë, por të gjithë të mirë. Rrodhën kohët. Fillova punë në ’65-ën dhe në ’69-ën u bëra shef informacioni e më pas drejtor në radio, pastaj në televizion, për të pasur një shkëputje të llahtarshme në vitin 1982, kur u largova nga televizioni dhe shkova në Krastë të Martaneshit, ku ndenja gati 10 vjet. U ktheva pastaj me zbritje të butë. Erdha mësues në Fushë-Krujë, pastaj në Nikël, pastaj në programacionin e radios dhe pas disa muajsh drejtor i përgjithshëm i RTSH-së. Nuk i thashë këto për të bërë CV-në time, por për të thënë që kam qenë në të gjitha proceset e punës, shumë afër njerëzve.
E ku jeni ndierë më mirë?
Që të mos bëjmë si të përkëdhelur, duhet thënë që pozicioni i drejtorit është shumë i mirë. Më besoni, përveç kohës kur kam qenë drejtor i përgjithshëm dhe që përkoi me zgjedhjet e para pluraliste e nuk dija ku kisha kokën, në të gjitha rastet e tjera kam vazhduar të punoj, të bëj kronikën, reportazhin, radiodramën... Dhe më së shumti kujtohem si gazetar dhe kjo është kënaqësi. Por sigurisht, posti i drejtorit ka favore të tjera financiare, makina, telefoni...
Sa e vështirë ishte të punoje me informacionin, në një kohë censure?
Në libër kam hedhur ca mendime, por që i kam sot, jo atëherë. Dua të jem i sinqertë, sepse dua që njerëzit të më besojnë. Kam punuar në informacion dhe nuk e kam fshehur asnjëherë që për 17 vjet kam shoqëruar Enver Hoxhën. Shpesh më pyesnin njerëzit nëse lajmet që bënim na vinin nga Komiteti Qendror dhe unë e kam mohuar për disa arsye. Unë e dija se çfarë donte KQ dhe i bëja lajmet më mirë nga ana profesionale, se kushdo tjetër brenda KQ-së. Ajo ishte një kohë e vështirë, me një kornizë shumë të fortë, por unë dija ta bëja mirë atë punë. Sigurisht ka pasur edhe çudira. Ka ndodhur njëherë që kam thënë që kur doli Enver Hoxha në podium pushoi shiu. E në fakt kjo ndodhi vërtetë, por jo pse doli Enveri. Për të mos folur për pahtosin me të cilin bëheshin lajmet, entuziazmin... Edhe pse mbaj qëndrime të caktuara mbi ngjarje, personazhe politike, bëhet fjalë për mënyrën se si i shoh sot, por jo si e mendoja atëherë.
Ju përmendët atë “shkëputjen e llahtarshme”, përse ndodhi?
Në ’82-shin u largova nga televizioni. Pasi ra Mehmet Shehu, si një lis i madh mori me vete dhe degët me shumë gjethe. Një nga ato gjethe isha dhe unë. Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Feçorr Shehu, ishte kunati im. Më çuan fillimisht në Kinostudio, ku ndenja disa muaj dhe pastaj në Martanesh, ku nxirrej kromi që asaj kohe “çante bllokadën”. Punova si mësues, ku jepja letërsi e rusisht, edhe pse nuk dija asnjë fjalë. Pastaj u riktheva në ’91-shin, falë miqve të mi Thimi Nika, Spiro Dedes, Fatmir Kumbaros, të cilët më vonë mu desh t’i hiqja nga puna. Nuk i hoqa unë sigurisht. Ishte vendimi i zëvendësimit të drejtorëve. Pastaj më erdhi radha mua për t’u hequr, për t’u rikthyer sërish.
Ju keni qenë Drejtor i Përgjithshëm në vitin 1992, si e keni menaxhuar atë prag ndryshimesh?
Ishte vërtetë një kohë e vështirë. Shpesh më thonë që unë e kam ndihmuar shumë Partinë Demokratike në zgjedhjet e ’92-shit. Unë nuk e pranoj. Kam tentuar të ndihmoj pluralizmin, aq sa mundesha në atë kohë, por përderisa RTSH-ja duhet të paraqiste edhe aktivitetet e pozitës dhe të opozitës, kam dhënë porosi dhe ndiqja nga afër që gjithçka të bëhej me paanësi. Besoj se u bë. Partia Demokratike zuri vendin që i takonte në televizion, gjë që as mund të kuptohej aso kohe. Bëheshin edhe “hile”, të cilat bëja sikur nuk i kuptoja. E kam quajtur Fatmir Kumbaron, të cilin e zëvendësova, një djalë trim. Vërtetë televizioni nuk u sulmua në atë kohë, por mund të fikeshin dritat, mund të shihje në korridor njerëz të panjohur, të vinin letra me kërcënime të llahtarshme... Fill pas fitores së PD-së, pas 2-3 muajsh isha në një simpozium të televizioneve evropiane në Spanjë. Rrugës mësova se më kishin shkarkuar. Megjithatë nuk më lanë pa punë, më çuan të “shitja” kaseta në radio.
Sa e fortë ishte trysnia e politikës në atë kohë?
Nuk ishte e lehtë. RTSH-ja në ’91-’92 ka pasur demokratë të flaktë, që dëshironin ndryshimet, por mos harroni se kishte edhe komunistë të përflaktë, të cilët s’e konceptonin ndryshimin. Këtu ishte vështirësia dhe qartësia që duhet të kishte drejtori. Të mos kalonte asnjë ekstrem, të ruante ekuilibrin. Megjithatë televizioni u bë një qendër e rëndësishme e transformimeve me programet e veta. Sot është situata pak më e ngatërruar.
Pjesë nga libri
Të qenit Drejtor i Përgjithshëm i RTSH në vitet 1991-1992 nuk ishte ndonjë privilegj i madh, sidomos për mua, që një funksion të tillë, një shkallë më poshtë, e kisha provuar në periudhën moniste. Atëherë ishte ndryshe. Autoriteti ishte absolut. Mjaftonte një fjalë e vetme dhe gjërat lëviznin dhe shkonin në vendin që përcaktonte drejtori. Tani punët ishin ndryshe, sindikalistët, d.m.th krerët e tyre, organizonin herë pas here protesta, revolta, kërkonin takim me mua dhe shtronin probleme që më dukeshin të paqena, që me sa duket, edhe për vetë ata që i shtronin ishin të tilla. Pak muaj më vonë filloi fushata për zgjedhjet e parakohshme të kërkuara me këmbëngulje nga opozita, që i kishte humbur ato në vitin 1991 në mënyrë krejt të papritur për të. Më lajmëruan nga zyra e Presidentit të Republikës, Ramiz Alia se duhet të shkoja aty. Ishte hera e dytë që kapërceja pragun e asaj zyre. Herën e parë, po me kërkesën e tij. Ai më bëri vërejtje rreth pasqyrimit të vizitave të delegacioneve të ndryshme, apo të grup-njerëzve që vinin në Shqipëri. Ata zbrisnin në aeroportin e Rinasit dhe pasi merrnin poza groteske, oratoronin me një shqipe disi të deformuar mallin përvëlues që mbanin në gji, dashurinë për tokën mëmë dhe zhvillimin e mëtejshëm të luftës së porsafilluar kundër komunizmit dhe komunistëve. “Po teprohet, - më tha Ramiz Alia. - Unë e kuptoj se tani Shqipëria është hapur, kanë ardhur dhe do vinë shqiptarë, edhe të arratisurit, por jo ballistët që na kanë vrarë e na kanë djegur. Nuk u takon atyre të deklarojnë në televizionin shqiptar se do të nisin nga e para betejën e humbur.
Tani, në takimin e dytë, më 3 prill 1992, pasi u përshëndetëm me Presidentin e parë pluralist shqiptar, më tha: “Nesër do të jap dorëheqjen. Mirë, keq e kam vendosur. Të kanë lajmëruar, besoj, për grupin e xhirimit që duhet të jetë këtu në orën 13:00”. Pohova duke tundur kokën. Kur u ktheva në zyrë, sekretarja më tha se më kishin telefonuar nga Ambasada greke dhe i ngarkuari me punë i asaj ambasade, zoti Kanellos, kërkonte një takim me mua. Takimin e lashë në orën 11:30. të nesërmen, z. Kanellos, erdhi fiks në orën e caktuar... Kur miku pyeti për të disatën herë se ç’kishte ndonjë të re nga zhvillimet politike, pashë orën. Shënonte 13:10. I thashë: “Sot Ramiz Alia, Presidenti i Shqipërisë, do të japë dorëheqjen”. Edhe diplomati pa orën. “Shuma vonë, - tha, - prisja të ma thoshe më shpejt”. Qeshëm të dy. E kuptova se Kanellosi e kishte marrë vesh dorëheqjen, por kishte ardhur tek unë për ta konfirmuar dhe të ishte ndër të parët që do të çonte “haberin” në vend.
* * *
Fushata zgjedhore e qershorit të vitit 1992 ishte e lodhshme, teknikisht e papërballueshme, sidomos vështirësi krijonte problemi i makinave. Ato dy karakatina që ishin, ku t’i çoje më parë? Megjithatë isha i vendosur që çdo gjë të pasqyrohej sa më realisht që të ishte e mundur. Pozita dhe opozita do të kishin vendin e tyre në ekran. Për mua ishte tepër e vështirë të isha njëherazi Drejtor i Përgjithshëm, por edhe Drejtor i Televizionit, vend që kishte mbetur bosh ngaqë kur u ndanë postet, këtë të dytin nuk pranoi ta merrte asnjëri nga anëtarët e këshillit drejtues. Partia Demokratike po zhvillonte një fushatë më të fuqishme, mitingjet e saj kishin pjesëmarrje më të gjerë, thirrjet me zë më të lartë. Ndryshe ndodhte me fushatën e socialistëve. Mbaj mend një takim të Fatos Nanos në rrethin e Beratit, në Lapardha, apo Perondi, s’më kujtohet saktësisht. Ishin grumbulluar rreth tij 20 a 30 veta dhe ai u fliste. Kështu ndodhi edhe me Neritan Cekën pas 20 vjetësh. Në fushatën e fundit si Kryetar i Aleancës Demokratike takoi edhe më pak, 3 a 4 veta dhe u fliste atyre, d.m.th i fliste mikrofonit dhe kamerës. Në një farë mënyre, kjo të kujton sloganin komunist: të punojmë kokë më kokë me njerëzit. Duke folur për zgjedhjet e 1992-in, nuk mënjanoj edhe ndonjë hile që më bëhej në pasqyrimin e fushatës. A. T. Një gazetar me mustaqe, i porsaardhur në televizion, nuk e di se nga ku, bënte çdo ditë intervista me njerëz, në fshat dhe në qytet, të moshave dhe profesioneve të ndryshme dhe që, për çudi, të gjithë të intervistuarit shpreheshin se do të votonin për Partinë Demokratike...
* * *
Me përfundimin e zgjedhjeve, u ndërruan pushtetet. Në dikastere dhe institucione, fitimtarët zëvendësuan të mundurit. Në ushtri dhe në polici, e njëjta gjë. Vetëm në RTSH nuk po ndodhte e pritura. Në të vërtetë në një nga aktivitetet e PD-së, duke analizuar arsyet përse u arrit fitorja, vetë Berisha përmendi si faktor edhe pasqyrimin e saktë dhe të paanshëm që i bëri fushatës së zgjedhjeve RTSH. Mirëpo, pas disa ditësh, një mik i përbashkët i imi dhe i Sali Berishës, një mjek i klasit të parë, njeri i kulturuar dhe atdhetar i flaktë, pinjoll i një familjeje me tradita të shkëlqyera, më pyeti nëse kisha dëshirë të qëndroja ende në atë vend pune. “Pse jo, i thashë. është vend i mirë. Unë përballova gjithë atë fushatë të tmerrshme dhe jo tani që gjakrat do të qetësohen dhe do të punohet normalisht”. “Shumë mirë, më tha miku im, - vetëm se duhen filluar menjëherë reformat. Këtë mendim ka edhe Ai. (Ai ishte Presidenti i Republikës). “Kam filluar me reformat, vazhdova, kam ngritur grupe pune, që do të punojnë për strukturën e re programore dhe atë organizative. është mjaft e vështirë, por kam një grup njerëzish që dinë dhe duan të punojnë”. Më vonë e kuptova se paskam rrahur ujë në havan. Reformat paskëshin qenë tjetër gjë. Me to duhej kuptuar në radhë të parë heqja e njerëzve të padëshirueshëm dhe pikërisht të atyre që ishin me “ne”. Në të vërtetë mua më dolën borxhit dashamirësit me sinjalet dhe paralajmërimet që më bënë. Në një nga ato ditë më erdhën në zyrë dy anëtarë të këshillit Drejtues, Profesori dhe Regjisori. Më ftuan për një kafe dhe të tre shkuam në bufenë e Pallatit të Kongreseve, që në atë kohë nuk kishte filluar të ruhej nga ushtarët e Gardës. Si më përgëzuan për punën e lavdërueshme që kisha bërë, më thanë se tani i kishte ardhur radha betejës së re, asaj të pastrimit të institucionit nga të panevojshmit. Bëra sikur nuk kuptova përse bëhej fjalë dhe biseda u mbyll me aq. Pas disa ditësh më erdhi në zyrë Sindikalisti rapsod apo Rapsodi Sindikalist, i cili paraqiti një listë me 64 emra, punonjës të RTSH, të cilët duhej të largoheshin nga puna. “çudi, i thashë Sindikalistit Rapsod, me sa di unë, sindikatat në botë u dalin në mbrojtje punëtorëve që pushohen nga puna, kurse ju kërkoni largimin e tyre. “Këta janë sindikalistë, tha Sindikalisti Rapsod. Ata nuk morën pjesë në grevën që organizuam ne për largimin e Drejtorit të Përgjithshëm, prandaj duhet të largohen sa më parë!” Në fjalinë e fundit e ngriti zërin. Firma e tij mu përplas në fytyrë dhe hunda ime ndjeu menjëherë erën e fërnetit. “Shko, i thashë, pi edhe ndonjë gotë tjetër. Duhet të marrësh plotësisht dozën që të takon!” Nuk di nëse Sindikalisti rapsod e piu gotën, apo gotat, por pa kaluar shumë kohë, u shkarkova nga detyra dhe pas meje ikën edhe të 64-tit... Sidoqoftë shkarkimi ishte gjysma e së keqes. Më caktuan përgjegjës të sektorit të audio dhe video kasetave, që shkurt mund të quhet edhe shitës kasetash. As në atë vend nuk qëndrova gjatë. Me sa duket do të ketë qenë ndërhyrja e mikut të përbashkët për të më emëruar drejtor i programit të dytë të Radios.

Televizioni Publik Shqiptar feston 50-vjetorin

U mbushën plot 50 vjet, kur në atë prag 1 maji, nisi transmetimet e para Televizioni Shqiptar. Ishte ende në faza eksperimentale atëherë, por shumë shpejt, do të bëhej dritarja e vetme që lidhte shqiptarët me botën. Nga dy, në tre, në 24 orë, do të rritej programi i TVSH-së, vit pas viti, duke shoqëruar jetën e varfër të shqiptarëve, për dekada të izoluar nën diktaturën komuniste. Televizioni Publik Shqiptar festoi dje 50-vjetorin e krijimit të tij. Përmes një ekspozite me fotografi, por edhe objekte u risoll një histori e tërë, e lidhur ngushtësisht me jetët e shqiptarëve. Ndër më të veçantat, momente të fiksuara përjetësisht në shiritat e kasetave të TVSH, janë ditët historike të rrëzimit të komunizmit, seancave të Parlamentit të parë pluralist shqiptar, vizitat e Papa Gjon Palit i II, Nënë Terezës dhe ngjarje të tjera të paharrueshme në historinë moderne të Shqipërisë. Në ceremoninë e hapjes së saj, në ambientet e RTSH-së, mori pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi dhe shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë punonjësit e Televizionit Publik që ishin të parët, që përçuan te shqiptarët, fuqinë e jashtëzakonshme të ekranit. “Dua të falenderoj gazetarët. Radio Televizioni ka qenë shkolla e parë e gazetarisë, Radio Televizioni është rritur në vite dhe ka qenë e vetmja dritare, pavarësisht nga censura e periudhës para viteve 1990. Ky 50-vjetor është një moment në të cilin, secili prej punonjësve, prej atyre që kanë kontribuar në të gjitha fushat si kameramanë, si dirigjentë, si orkestrantë, si gazetarë, si udhëheqës të emisioneve ekonomike, sociale apo atyre kulturore, orkestrën, spikerët e Radio-Televizionit, drejtorët, punonjësit, të gjithëve u bëj urimet më të mira”. Më tej ky përvjetor vijoi me një aktivitet të organizuar në sallën e Akademisë së Arteve, e cila mblodhi së bashku punonjës të vjetër e të rinj të RTSH-së, të cilët sollën kujtime mbi eksperiencën e tyre në këtë gjigand televiziv.

“Mjeshtër i Madh” për Agron Llakaj
Vetëm disa ditë më parë, ai mbushi plot 50 vjeç. Jeta nuk ia ka kursyer gëzimet. është i suksesshëm. Tanimë edhe gjysh.. Por mungonte një titull. E pikërisht dje nga Presidenca erdhi si një dhuratë ditëlindjeje urdhri “Mjeshtër i Madh” për aktorin Agron Llakaj, njeriun që u shton buzëqeshjen shqiptarëve. Në një ceremoni zyrtare, në ambientet e Presidencës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nderoi dje me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, aktorin e madh të humorit shqiptar, Agron Llakaj me motivacionin “Për kontribut të shquar dhe nivel të lartë interpretativ në krijimin e shumë personazheve artistikë të realitetit shqiptar, të krijuara falë talentit dhe mjeshtërisë së spikatur të këtij autori”. Pasi shprehu mirënjohjen e veçantë për Presidentin e Republikës për vlerësimin e lartë, Agron Llakaj tha se “ky titull vjen për mua në një moment të veçantë të karrierës sime artistike dhe besoj se do të jetë pjesë e atij angazhimi tim të ardhshëm, jo vetëm timin, por edhe të gjithë artistëve shqiptarë në rrugëtimin e përbashkët sa artistik, por edhe qytetar për të gjithë popullin tonë”. Veç familjarëve, në ceremoninë e dorëzimit të urdhrit merrte pjesë edhe gjithë stafi i aktorëve dhe bashkëpunëtorëve të spektaklit “Portokalli”, por edhe miq të aktorit, mes të cilëve Pali Kuke, Ardit Gjebrea, etj.
Agron Llakaj ka lindur në qytetin e Memaliajt më 24 prill 1960. Studimet e Larta në Akademinë e Arteve i kreu në vitet 1987 -1991. Aktivizimet e tij kanë qenë intensive, si i ftuar special në programet e “12 në Hollivud”, “12 vallëzime pa një të shtunë” dhe “Rreth fatit për 12 javë” etj. Në transmetimet e spektakleve televizive më të shikuara si ajo e “Telebingo”, Llakaj ka qenë protagonist prej viteve 1996 -2002. Ai ka bashkërealizuar filmin “Titaniku” me TV Klan në vitin 1998 dhe aktualisht është drejtor artistik, prezantues, moderator dhe aktor i spektaklit të humorit “Portokalli”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›