Protesta, PS kërkon 1 muaj leje
Aristir Lumezi/Etleva Delia
Partia Socialiste e përfaqësuar nga deputeti Besnik Bare u ka kërkuar dje drejtuesve të Policisë së Tiranës një leje 30-ditore për protestën që pritet të nisë sot në kryeqytet. Por sipas burimeve zyrtare të policisë, leja është dhënë vetëm për sot, duke u lënë rrugë negociatave në ditët në vazhdim për të gjetur një zgjidhje. Praktikisht policia e vlerëson si të pamundur zhvillimin e një tubimi një muaj pa ndërprerje. Kjo sipas policisë do të sillte një kaos jo vetëm në lëvizjen e automjeteve dhe qytetarëve, në një kohë kur edhe Sheshi “Skënderbej” është i pothuajse i bllokuar, por nuk mund të përballohet as nga forcat e policisë. Burimet sqaruan se një tubim i tillë që kërkon të bëjë PS në qendër të Tiranës, domosdoshmërisht kërkon masa speciale nga policia, për shmangien e çdo incidenti të mundshëm. Por në të njëjtën kohë është e pamundur që për 30 ditë shumica efektivave të Policisë së Tiranës të përqendrohen vetëm në një vend të caktuar, duke lënë pas dore në këtë mënyrë objektivat e tjera të punës së tyre. Për këtë arsye, drejtuesit e policisë kanë dhënë leje paraprakisht vetëm për protestën e parashikuar të Partisë Socialiste të 30 prillit, duke lënë të hapur tryezën e bisedimeve me përfaqësues të PS-së në ditët në vazhdim për të gjetur një zgjidhje rreth kërkesës që ata bëjnë. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Besnik Bare, ka garantuar dje gjatë takimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës se, tubimi do të jetë paqësor dhe pa incidente. Paraprakisht Policia e Tiranës ka dhënë leje për tubimin që do të zhvillohet nesër, me një afat 24-orësh, duke siguruar ndalimin e qarkullimit në Sheshin “Nënë Tereza” dhe “Skënderbej”, duke nisur nga ora 16:00.
Protesta
Socialistët janë përgatitur seriozisht për protestën e sotme, e cila do të zgjasë disa ditë, por selia rozë nuk jep një afat të saktë kohor se deri kur. Ndryshe nga protesta e parë, ajo e 20 nëntorit 2009, selia rozë ka mbajtur në “top sekret” çdo informacion apo të dhënë për mënyrën se si do të organizohet dhe çfarë elementesh do të ketë protesta. Shqetësimi kryesor në selinë e PS-së është pjesëmarrja e njerëzve, një pjesë e mirë e të cilëve do të vijnë edhe nga qarqet e tjera. Për të pasur një pjesëmarrje konstante, socialistët kanë hartuar një ndarje të qarqeve. Dy ditët e para, në 30 prill dhe 1 maj, do të ketë një pjesëmarrje të të gjithë protestuesve të mundshëm, ndërsa ditët në vijim, do të ketë një alternim mes të ardhurve nga një ose dy qarqe dhe socialistëve dhe mbështetësve të PS në Tiranë, ku degët socialiste të njësitë bashkiake do të kenë një rol të rëndësishëm. Llogaritet që çdo njësi bashkiake të mbledhë dy ditët e para nga 2 mijë persona, ndërsa sipas një grafiku, çdo ditë do të ketë elementë të mosbindjes civile, ku grupe me 200 vetë do të bllokojnë akse të rëndësishme në Tiranë, si Zogu i zi, 21 Dhjetori, Kthesa e Kamzës, Rruga e Elbasanit, por dhe në hyrje të disa ministrive të rëndësishme. Plani i protestës dhe formës së saj do të lajmërohet çdo ditë, i cili do të kushtëzohet nga rrjedha që do të marrë protesta, por dhe reagimi i Qeverisë. Pritet që ish-minatorët të jenë pjesë e protestës së opozitës, të cilët parashikohet të ulen para Kryeministrisë dhe të qëndrojnë aty për orë të tëra.