Aguero përshëndet Atleticon

Aventura e Sergio Agueros në Atletico Madrid duket se po shkon drejt fundit. Sulmuesi argjentinas e ka paralajmëruar largimin nga klubi spanjoll, për ta filluar një eksperiencë të re. ‘Kun’ mendon se ka ardhur koha që të largohet, pasi konsideron se i nevojitet ta bëjë hapin tjetër në karrierë.
“Duhet të jem i sinqertë. Pas pesë vjetësh është mbyllur një etapë dhe është koha që të hapet një tjetër. Nuk bëhet fjalë për çështje ekonomike, por tërësisht sportive. Ky është një vendim të cilin e kam menduar për një kohë të gjatë. Këtë e kam shqyrtuar kur e kam vazhduar kontratën me Atleticon”, tha përfaqësuesi argjentinas, i cili në janar e kishte vazhduar kontratën me klubin spanjoll deri në vitin 2014.
Klauzola e shkëputjes së kontratës së tij sillet nga 45 deri në 60 milionë euro. “Kam vendosur ta vazhdoj kontratën për t’i shërbyer Atleticos. Ngase, nëse nuk do ta bëja një gjë të tillë, do të largohesha dhe klubi nuk do të përfitonte asgjë. Kur e kam vazhduar kontratën, klubi më pat premtuar se nuk do më pengonte për t’u larguar në vitin 2011. Për këtë i kam thënë Atleticos që gjatë kësaj vere t’i dëgjojë ofertat që do të arrijnë”, vazhdoi Aguero.
Ai nuk dëshiron të ndihet tradhtar ndaj tifozëve të klubit, të cilët e mbështetën gjatë tërë kohës. 22 vjeçari dëshiron të përshëndetet në mënyrën më të mirë të mundshme me tifozët e klubit.
“Kemi shijuar së bashku gëzime dhe zhgënjime. Do t’i kem gjithmonë në zemër tifozët e Atleticos”, vazhdoi Aguero.
Mediat spanjolle e shohin ‘Kun’ drejt Real Madridit. ‘Kun blanco’ (Kun i bardhë) shkruante Marca, duke ia hapur dyert drejt ekipit mbretëror spanjoll. Por, Real Madridi nuk është ekipi i vetëm i interesuar për talentin argjentinas.
Për dhëndrin e Diego Maradonës interesim të fortë është duke shfaqur edhe Juventusi, ndërsa nuk mbeten prapa as Chelsea, Manchester City e Tottenham.