Halili i shqetësuar: Kështu rrezikojmë Europën
Presidenti Refik Halili kërkon kthimin në sh.a. dhe premton një superskuadër sezonin e ardhshëm
Pa dyshim që presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka meritë këtë sezon, sepse i vetëm, por edhe me mbështetjen e klubit, ka arritur të ndërtojë një Tiranë dinjitoze që ka fituar kupën.
Dje, i entuziazmuar nga fitimi i kupës, presidenti Refik Halili, gjatë një prononcimi që ka dhënë, ka folur për problemet që kaloi Tirana sezonin që sapo u mbyll, por nuk la pa përmendur edhe pengesat që i janë bërë atij dhe Tiranës.
Por ajo që Halili kërkoi me ngulm ishte kthimi i Tiranës sa më shpejt në sh.a., në mënyrë që të mos rrezikojë pjesëmarrjen në Kupat e Europës, madje edhe një herë i ka hapur rrugë edhe donatorëve të tjerë. “Nuk është koha që të flasë për probleme, sepse është moment feste, por pengesa kemi pasur plot sezonin që u mbyll.
Ka pasur nga ata që nuk kanë besuar dhe menduan se edhe pse isha i vetëm, nuk do t’ia dilja, por fatmirësisht ne fituam kupën dhe mund t’ia kishim dalë mbanë edhe në kampionat, por pengesat nuk ka lanë që të ecnim përpara. Ka qenë një kampionat ku Tirana është sulmuar më keq se në kohën e regjimit,”- pohoi fillimisht presidenti i 24 herë kampionëve.
“Po nuk u privatizuam, rrezikojmë Europën”
Çështja e privatizimit të klubeve është një nga tematikat që kohët e fundit po qarkullon shpesh në mjediset e skuadrave të superiores. Tirana është nga ato ekipe që është e vonuar në këtë proces.
Presidenti Halili ka bërë thirrje që kushdo që të jetë në krye të Bashkisë së Tiranës, e rëndësishme është të ketë vullnetin që të fillojnë procedurat për privatizimin, sepse jemi mbrapa dhe në qoftë se nuk bëhet brenda muajit të ardhshëm, me sa jam informuar në bazë të rregullores së UEFA-s, rrezikojmë seriozisht pjesëmarrjen në Europë.
Pres privatizimin dhe jam i hapur që të afrohen edhe donatorë të tjerë. Unë nuk dua që të jem i pari, por kur skuadra të kthehet në sh.a. dua që t’i lë diçka trashëgimi edhe djalit tim, sepse kam shpenzuar shumë për këtë ekip për shtatë vjet.
“Vitin që vjen, një superskuadër”
“U bën dy sezon radhazi që ne nuk e fitojmë titullin kampion, kemi pasur edhe probleme dhe pengesa të natyrave të ndryshme, por unë them me bindje se sezonin e ardhshëm jam gati të ndërtoj një superskuadër që të mposhtë çdo rival, madje që të mos u trembet edhe sulmeve të natyrave të ndryshme. Gjatë viteve që unë kam qenë në krye të Tiranës kanë ardhur lojtarë cilësorë, kështu që s’ka pse të mos ndodhë edhe në vijim.”
“Falënderoj ish-trajnerët e këtij sezoni”
“Duke qenë se fituam trofeun, meritë në këtë sukses kanë edhe dy ish-trajnerët e Tirnës gjatë këtij sezonin, Sulejman Starova, i cili ka qendruar në krye të ekipit në një periudhë shumë të vështirë, si dhe Nevil Dede. Me “Bobin” kemi shkuar shumë mirë, madje ai ka bërë edhe sforco, duke pranuar edhe problemet që ekipi po kalonte,- tha ndër të tjera presidenti Halili.
“Gati kontratat e reja”
“Vjet na u larguan Muzaka apo lojtarë të tjerë për shkak të problemeve që kishim, por unë garantoj se kam gati kontratat me të gjithë lojtarët e Tiranës që dalin të lirë në fund të këtij muaji.
Po nuk desha unë, asnjë futbollist nga këta aktualët nuk mund të largohet, sepse për hir të së vërtetës unë kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë lojtarët që mbajnë veshur fanellën e Tiranës.”
Tirana e djeg pas fitimit të Kupës
Dje në mbrëmje, pas fitimit të Kupës së Shqipërisë, e 14-ta në historinë e klubit bardheblu, të gjithë kanë festuar deri në të gdhirë në ambientet e Vilës “Goldi”. Dekori ishte përgatitur qysh paradite. Sapo hyje dje në derën e ambienteve të Vilës “Goldi” ishte vendosur një flamur gjigant bardheblu.
Më pas, rreth orës 20:30 janë grumbulluar të gjithë lojtarë, drejtues por edhe tifo-grupi, “Tirona-Fanatiks” dhe janë futur në ambientet e brendshme të stolisura nga organizatorët.
Nën ritmin e muzikës së këngëtarve të njohur të këngës popullore tiranase, Bujar Çiçi dhe Reshit Boka, festa ka nisur dhe janë ngritur dolli, madje të gjithë së bashku kanë filluar të këndojnë dhe të kërcejnë. Atmosfera ka qenë inkandeshente.
Shiu që ka filluar u ka prishur disi planet, sepse pritej që të kishte të pranishëm edhe në ambientet e jashtme. Gjithsesi, Tirana dje e ka djegur, duke konkretizuar me sukses një sezon të nisur mes vështirësive, por që është konkretizuar me sukses, pasi përveç fitimit të kupës, bardheblutë kanë siguruar edhe pjesëmarrjen në Europa League.
Devi Muka, mes të pranishmëve
Kishte pak muaj që lideri i bardhebluve në dekadën e fundit, Devi Muka, nuk dukej në stërvitje, por edhe në mjediset e “Skënder Halilit”. Mirëpo Muka nuk kishte se si të mungonte dje dhe është ndier i lumtur për suksesin e radhës të skuadrës bardheblu.
Halili, pas finales ndan rrogat
Ashtu siç ishte premtuar nga ana e drejtuesve, se në rast se do të fitohej kupa lojtarëve do t’u jepeshin rrogat e prapambetura, dje në mesditë presidenti Halili ka ndarë jo pak, por 80 milionë lekë për skuadrën. Këtë e ka konfirmuar vetë dje në mbërmje gjatë prononcimit që ka dhënë vetë presidenti.
Ishët,të ftuarit specialë
Në mbrëmjen e djeshme ka pasur edhe disa ish-lojtarë të Tiranës që janë ftuar për të marrë pjesë në festën e bardhebluve. Bëhet fjalë për portierin Isli Hidi dhe mesfushorin Ervin Bulku, por edhe lojtarët që sezonin e kaluar luajtën me Flamurtarin, Daniel Xhafaj, Juljan Ahmataj dhe Bledar Devolli.
Në qoftë se nuk qëndron kroati Misho Krstiçeviç, do të rikthehet në stol Sulejman Starova
Gati pasardhësi i Mishos, Halili preferon Starovën
Trajneri aktual i Tiranës, Misho Krstiçeviç, duke parë edhe problemet e ditëve të fundit, ka vënë në dyshim qëndrimin te Tirana në të ardhmen. Misho ditët e fundit, për shkak të situatës jo të mirë politike që po kalon vendi ynë, duket më shumë larg sesa afër Tiranës.
Një arsye që ai mund të largohet ka të bëjë me faktin se është larg familjes. Presidenti Halili, lidhur me marrëdhëniet që ka me kroatin, është shprehur: “Unë kam marrëdhënie shumë të mira me Mishon, ai është një njeri shumë i ndershëm dhe punëtor dhe në fund ia doli.
Dua që ai të qendrojë, madje sot paradite do të bisedojmë edhe për të ardhmen para se të largohet drejt Kroacisë. Por në qoftë se ai nuk do të qëndrojë, mund të jetë Starova që do drejtojë Tiranën, s’ka asnjë të keqe të rikthehet.”
Ilion Lika, zyrtarizimi i parë: Do të jetë Ilion Lika një nga ata lojtarë që do të jetë pjesë e bardhebluve edhe sezonin e ardhshëm. Këtë e ka konfirmuar dje vetë Lika, i cili pa suksesit në finale, ku priti tri penallti, duket se ka vendosur përfundimisht të mbetet bardheblu.
“Jam shumë i lumtur që e ndihmova Tiranën të shkojë te suksesi. Për sa i përket të ardhmes, kam kontratë, kështu që nuk mund të largohem. Klubi ka objektiva madhorë në sezonin e ardhshëm, kështu që do të qëndroj këtu,”- është shprehur dje portieri Ilion Lika.