E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për Barcelonën

Sir Alex Ferguson thotë se Manchester United është gati për finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës. Trajneri skocez mendon se koncentrimi do të jetë pika kritike e takimit. Ai e pranon se Barça është më e fortë se ajo e vitit 2009, por beson se ekipi nga Old Trafford do ta fitojë këtë kompeticion. Nga Express më 25 maj 2011 në ora 08:11

Kanë mbetur edhe disa ditë deri te finalja e shumëpritur e Ligës së Kampionëve ndërmjet Manchester United e Barcelonës dhe menaxheri Sir Alex Ferguson është i sigurt se skuadra e tij është e gatshme për këtë super-sfidë.

Trajneri skocez mendon se në këtë duel nuk ka favorit. Ai e pranon se Barcelona është më e fortë se në vitin 2009, kur katalunasit fituan në finalen e Romës.

“Nuk ka favorit. Në momentin kur arrin në një finale të rëndësishme si kjo, e kaluara nuk shikohet. Lojtarët e mi janë gati. Gjëja më e rëndësishme për ne është koncentrimi, duhet ta mbajmë atë gjatë tërë ndeshjes. Duhet të jemi më të kujdesshëm se në finalen e vitit 2009, kur na kushtoi një gol i shënuar në fillim të ndeshjes”, tha menaxheri i ‘Djajve të Kuq’ për skysports.com.

Ferguson është i vetëdijshëm për rrezikun që mund t’ia shkaktojë ekipit të tij ylli argjentinas i Barçës, Lionel Messi, por ai mendon se Barcelona nuk është vetëm Messi.

“Ai është lojtar i madh, por edhe më të mirët kanë momentet JO, kështu që duhet të mundohemi ta ndalim. Barcelona ka disa lojtarë të mirë, por as ne nuk jemi prapa. Ky është motivi për të cilin finalja e së shtunës do të jetë njëra prej ndeshjeve më të mira të sezonit”, shtoi ai.

Ferguson thotë se ka në mendje 4 formacione, të cilat mund t’i hedhë në fushë dhe që Barcelona nuk do të arrijë dot t’i mund. Ai e pranon se nuk ka vendosur ende se kush do të luajë në finale për ekipin e tij.

Ai beson se ekipi nga Old Trafford do ta fitojë këtë kompeticion pas Premierligës. “Ata lojtarë që kanë qenë të rëndësishëm gjatë këtij sezoni të Ligës së Kampioneve, do të luajnë në finale. Unë besoj se do ta fitojmë kupën”, shtoi trajneri legjendar skocez.

Finalja e Ligës së Kampionëve do të zhvillohet të shtunën mbrëma në stadiumin Wembley të Londrës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›