E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetuesit në pallatin e tragjedisë

 

GJIROKASTER

Hetuesit e dosjes së pallatit të shembur më 9 nëntor rikthehen në vendin ku humbën jetën 3 personave dhe mbetën pa shtëpi 14 familje. Pas më shumë se 1 muaj nga tragjedia e ndodhur në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër, oficerët e Prokurorisë së Gjirokastrës kanë inspektuar gjatë mesditës së djeshme vendin ku ndodhi tragjedia. Qëllimi i tyre ka qenë rindërtimi i skenës së ngjarjes, kur disa lëkundje të forta provokuan tronditjen e më pas shembjen e një pjese të pallatit 5-katësh. Burime zyrtare nga Prokuroria e Gjirokastrës pohuan për gazetën se, ky inspektim i kryer nga oficerët e institucionit të akuzës ka ardhur si domosdoshmëri për të vërtetuar shkencërisht shkaqet reale që sollën rrëshqitjen e dheut dhe më pas shembjen e pallatit. “Inspektimi ynë është përqendruar te zanafilla e vendit të ngjarjes, rreth tridhjetë metra poshtë pallatit të shembur, në krahun e djathtë të godinës pesëkatëshe”, thanë burime zyrtare. Ata shtuan se gjatë inspektimit janë marrë në cilësinë e provës kampione nga kolonat që nisën të vendosen nga firma zbatuese “Arti Ndërtim” sh.p.k., por që fatkeqësisht ato nuk e luajtën funksionin e tyre. Po të njëjtat burime deklaruan se, nga hetimet e deritashme është vërtetuar se shkaktar i tragjedisë së 9 nëntorit është vendosja e gabuar e disa kolonave, si dhe gërmimi i tepruar i hapjes së themeleve. Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati 5-katësh i ngritur në një kodër, u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re pranë tij. Për këtë ngjarje janë ndaluar dhjetë persona, dy nga të cilët do të gjykohen në gjendje të lirë. Përveç humbjes së jetës së tre banoreve të pallatit, familjet e pastreha janë ende pa asnjë zgjidhje për të ardhmen e tyre. Ata kanë kërkuar kompensim sipas vlerës së tregut, por pak ditë më parë mësuan nga pushtetarët vendorë se për çdo metër katror do të dëmshpërblehen me 23 mijë lekë. Banorët kanë reaguar, duke mos e quajtur të arsyeshme këtë vlerë të përcaktuar nga ekspertët vendorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›