Rikthehet në burg ish-kreu i sindikatës
FIER - Ish-kreu i sindikatës së naftës në Fier, Veli Fejzullari u arrestua dje pasi theu masën e sigurisë që kishte vendosur ndaj tij gjykata e këtij rrethi. Shkalla e parë e gjyqësorit kishte caktuar për Fejzullarin masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi akuzohej për abuzime të rënda me fondet e sindikatës. Por Fejzullari nuk e ka zbatuar vendimin e gjykatës. Ai është parë të lëvizë i lirshëm, jo vetëm në rrugët e qytetit, por edhe jashtë saj. Burime nga gjykata bënë të ditur se ish-kreu i kësaj sindikate u arrestua në nëntor të vitit 2007, me akuzën e “Abuzimit me fondet e sindikatës”. Ai kishte qenë në krye të kësaj sindikate prej më shumë se 10 vitesh. Në fillim të procesit gjyqësor, trupi gjykues vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Por kjo masë u ndryshua pas dy muajve, kur trupi gjykues me kërkesën e mbrojtës së të pandehurit, në bazë edhe të një sigurie të lëshuar nga prokurori i çështjes, vendosën një masë më të lehtë duke e lënë në “arrest shtëpie”. Pas marrjes së këtij vendimi, ka rezultuar se shtetasi Fejzullari nuk e ka respektuar atë, duke lëvizur lirshëm jo vetëm brenda qytetit të Patosit, ku edhe jeton, por edhe në qytetet e Fierit, Durrësit e Tiranës. Dje mësohet se Fejzullari është ndjekur nga ekspertët e policisë gjatë udhëtimit të tij nga Fieri në Tiranë, ku mësohet se u bë edhe arrestimi i tij. Ata kishin marrë informacione për lëvizjet e tij, duke thyer kështu vendimin e gjyqësorit. Pas arrestimit, gjyqtari i çështjes vendosi të ndryshonte sërish masën e sigurisë, nga arrest shtëpie në arrest me burg duke e kthyer Fejzullarin në qeli. Mësohet se ai do të ndiqet penalisht edhe për thyerjen e masës së sigurisë. m.r