E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaosi në Athinë, ushtria në gatishmëri për të ndërhyrë

 

Greqia ka hyrë në ditën e shtatë të protestave të dhunshme kundër policisë, pas vrasjes së 15-vjeçarit një javë më parë, duke e kthyer Athinën në një shesh të vërtetë beteje. Protestuesit, pjesa më e madhe e të cilëve studentë, janë parë duke thyer dyer qelqi në Citibank, duke kapërcyer një barrikadë metali të policisë dhe duke u përleshur me policët me helmeta të bardha. Sipas raportimeve mediatike, qindra nxënës kanë bllokuar disa prej udhëkryqeve më të rëndësishme të kryeqytetit grek dhe disa të tjerë kanë ‘pushtuar’ përkohësisht një radio në Athinë, nga ku kanë thirrur parulla kundër shtetit. CNN njofton se turistët janë këshilluar të qëndrojnë në hotelet e tyre, pasi gjatë gjithë ditës së djeshme priteshin protesta, të cilat nuk ka më shans të mendohet se nuk do të përfshijnë akte dhune. Veç protestave kundër dhunës së policisë, të rinjtë kanë bashkëngjitur në thirrjet e tyre edhe pakënaqësitë për ekonominë e ulët, mungesat në arsim dhe papunësinë. Qeveria ka në gjendje gatishmërie edhe ushtrinë, e cila pret vetëm urdhrin për t’u përfshirë në situatën kaotike. Kryeministri Karamanlis ka vendosur që për momentin nuk do të ndërhyjë, megjithatë ai ka mbrojtur deri tani zyrtarët e përfshirë teorikisht në incident, policinë dhe Ministrinë e Brendshme. Protestat po kërcënojnë qëndrimin e mëtejshëm të qeverisë në pushtet, ku grupe të opozitës vazhdimisht kanë bërë thirrje për zgjedhje të reja. Dy policët e përfshirë në të shtënat e së shtunës kanë dalë të mërkurën para gjykatës. Njëri prej tyre akuzohet për vrasje me paramendim dhe tjetri si bashkëpunëtor. Polici që qëlloi kundër djaloshit, duke i marrë jetën, ka deklaruar se plumbi ishte rioshet, pasi ai nuk kishte si synim të godiste trupin e 15- vjeçarit. Në pritje të publikimit të rezultatit të testeve balistike, familja Grigoropoulos kishte punësuar një patolog të pavarur për të studiuar rastin dhe për t’u bindur se analizat e shtetit nuk do të mbulonin të vërtetën. Trazirat e së premtes ndodhën pas një pasditeje relativisht të qetë ditën e enjte. Shumë njerëz rifilluan punën për herë të parë dje pas gjithë këtyre ditëve shkëputje, për shkak të trazirave. Megjithatë studentët kanë refuzuar të kthehen nëpër shkolla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›