E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ah këta të sotmit!

 

Në festën e librit fëmijët thonë se preferojnë librat e të huajve përkundër atyre shqiptarë. Thonë se nuk u përshtaten temat që trajtohen. Lexojnë enciklopedi e libra me aventura

"Librat shqiptarë janë shumë për fëmijë". Kur e dëgjon këtë të thuhet nga vetë goja e një fëmije mbetesh pa fjalë. Mario është një djalë faqekuq 10-vjeçar, që të përgjigjet me shumë dëshirë kur e pyet nëse lexon libra. Por kur vjen fjala tek shkrimtarët shqiptarë, ngre supet. Mendohet pak e pastaj të thotë se librat e këtyre autorëve i duken shumë "për fëmijë". Dhe nuk është i vetmi që e thotë. Bashkëmoshatarë të tjerë thonë se temat e librave shqiptarë nuk u përshtaten. U duken tepër të "lehta", apo "të thjeshta", për gustot e tyre. Ilustrimet gjithashtu nuk u duken interesante dhe në këtë pikë mbështeten edhe nga vetë shkrimtarët e botuesit. Kjo është edhe arsyeja pse parapëlqejnë librat e huaj, ndonëse shkrimtarë e botues shqiptarë shprehen të shqetësuar për nivelin e përkthimit. Por fëmijët pak duan t'ia dinë për këtë. Duke qenë se "prodhimet vendase" janë shumë "për fëmijë", preferojnë ata që u ngjajnë botimeve për të rritur. Si një moshë kurioze që kërkon të dijë sa më shumë e të kuptojë çka ndodh rreth tij, që ngre qindra "përse" të cilave jo gjithnjë mund t'u gjesh një përgjigje të thjeshtë e të kuptueshme, preferojnë të lexojnë diçka më shumë se ndodhitë gazmore me Çufon e Bubin Kaçurrel, Pinokun, Borëbardhën… "Libri i madh i Persëve", "Pse jam unë, unë", janë disa nga titujt që përmendin vetë fëmijët. Janë libra që ofrojnë njohuri mbi botën, tokën, trupin e njeriut. Dhe siç dëshmojnë ata vetë, janë ata që i drejtojnë prindërit t'uablejnë librat. Ka ndonjë që të përmend klasikun "Një mijë e një netë", ndërsa shumica preferon sagën moderne magjike.

Kur i pyet se kush është libri i preferuar të përgjigjen pa u menduar "Harry Potter", seria best seller e shkrimtares britanike J.K. Roëling. Bëmat e magjistarit Potter, që kanë shkuar në shtatë vëllime, i ka bërë për vete fëmijët shqiptarë, ashtu si edhe në gjithë botën ku ky libër është botuar e shfaqur si film.

Duket se një botë të tillë plot fantazi, shkrimtarët shqiptarë nuk po munden ta gjejnë dot. Kjo është edhe arsyeja pse fëmijët njohin shumë pak autorë shqiptarë dhe preferojnë të blejnë libra të përkthyer, pse jo edhe të shtrenjtë. Vetë shkrimtarët thonë që të shkruash një libër për fëmijë, duhet të njohësh botën e tyre, të hysh në mënyrën e tyre të të menduarit. Por nuk duhet të harrojmë që kohët kanë ndryshuar dhe fëmijët e "sotshëm" kanë horizonte pa fund përpara vetes (televizioni, interneti), në ndryshim nga brezat e përpara '90-ës, që jetonin në një botë shumë më pak të komplikuar, rrethuar nga lepuj, dhelpra, qerosë, katallanë e kuçedra. Ndoshta është momenti që shkrimtarët të studiojnë më thellë se çfarë pëlqejnë fëmijët e sigurisht t'u ofrojnë ushqimin që u përshtatet.

Kur vjen fjala për festimet, askush nuk është më i vërtetë se fëmijët. Duket se vetëm ata dinë të festojnë dhe sinqerisht madje. Salla e Teatrit të Kukullave nuk i mbante aq shumë fëmijë sa u mblodhën dje për Festën e Librit. Ndoshta nuk ishte menduar që ftesave të hedhura nga qielli nga Alket Islami, t'u përgjigjeshin aq shumë fëmijë. "Libri jep dritë, ditura sjell kënaqësi". Ky ishte slogani i festës së këtij viti, shkruar në 5 mijë fletë volante të hedhura mbi shkolla gjatë ditës së djeshme. Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Fëmijëve organizuan një spektakël në skenën e Teatrit të Kukullave, ku morën pjesë fëmijë nga i gjithë kryeqyteti. Organizatorja e kësaj feste, Ardita Rrepishti, thotë se ishte një pjesëmarrje e paparashikuar. Thelbi i festës ishte libri, por edhe krijimet e vetë fëmijëve. U zhvillua edhe një konkurs me vjersha kushtuar Kosovës, të interpretuar nga fituesit e konkursit të interpretimit më të mirë. Nuk munguan këngët, pjesët koreografike dhe teatri i të vegjëlve. Në skenë u ngjitën rreth 200 fëmijë. Të pranishëm edhe shkrimtarët e letërsisë së të vegjëlve që u takuan me ta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›