E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mao Ce Duni konkurron mes të pavarurve

 

Historia e Mao Ce Dunit shqiptar shfaqet së shpejti në Romë. Filmi "Mao Ce Dun" i regjisorit Besnik Bisha merr pjesë në Festivalin e Filmit të Pavarur (Roma Indipendent Film Festival) që zhvillohet në datat 18-24 prill. Për këtë edicion të shtatë RIFF ka përzgjedhur 80 krijime nga 30 vende të botës (13 filma, 16 dokumentarë, 30 filma me metrazh të shkurtër, mes të cilëve 15 italianë, 10 filma të shkurtër dixhitalë e 8 video të animuara). I është dhënë rëndësi debutimeve të krijuesve të rinj italianë dhe atyre të huaj, ende të pashpërndara në sallat e kinemave. Nuk mungojnë në program premierat europiane e botërore.

Çmimet e RIFF 2008 do të ndahen nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga Paul Zonderland (Buena Vista International), Libero De Rienzo (aktor/regjisor), Francesca Inaudi (aktore) Andra Hosvart (aktore), Laura Muscardin (regjisore), Rudolph Gentile ("Moviemax"), Nikos Koutsogiannis (Naoussa Film Festival).

Do të ketë net dedikuar kinemasë spanjolle franceze e greke. Mes filmave të huaj në konkurrim është "Mao Ce Dun" i Besnik Bishës prodhim i vitit 2007, që tregon një nga historitë e shumta absurde të kohës së komunizmit. Ngjarjet vendosen në vitet '70 në një familje rome, ku për nder të "vëllazërisë shqiptarore-kineze" burri i shtëpisë vendos ta quajë të birin Mao Ce Dun. Problemet nisin kur prishen marrëdhëniet me Kinën. Interpretojnë Fadil Hasa, Miola Sitaj, Marko Bitraku, etj. "The Class" i Ilmar Raag nga Estonia, "The Paper Prince" i Marko Kostic nga Serbia, "Bajo Las Estrellas" i Felix Viscarret nga Spanja, "El Brindis" i Shai Agosin nga Kili. Një seleksion i filmave me metrazh të shkurtër që do të prezantohen në RIFF do të shpërndahen nga Instituti "Luce".

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›